12 dhjetor 2009

Pato, njeriu me “7 shpirtra” te Milani

Braziliani është lojtari i aktivizuar më shumë nga Leonardo deri tani
Djaloshi po rritet. Fizikisht, taktikisht, para portës. Pato tashmë është bërë një “pedinë” e palëvizshme tek Milani i ri i Leonardos. Që në fillim të sezonit “Patoku” nuk ka munguar as në një ndeshje, me 21 gara radhazi të luajtura për 1 803 minuta. Ai është në vendin e parë të renditjes së kuqezinjve më të aktivizuar, përpara dy kampionëve si Pirlo e Sedorf, të dy të detyruar të mungojnë në vetëm një ndeshje.
Djaloshi brazilian ka shënuar 9 gola që në fillim të sezonit (7 në kampionat, 2 në Champions në fushën e Real Madridit) dhe ka shfaqur një rendiment të vazhdueshëm dhe të mirë. Në ndeshjen e fundit ndaj Zyrihut në Zvicër pësoi një rënie fiziologjike, normale për një të ri në moshën e tij, por që nuk i pëlqeu shumë administratorit të deleguar të Milanit, Adriano Galiani, që për të u shpreh: “Ndonjëherë luan shumë i zhvendosur dhe përfundon jashtë aksionit. Vendoset në krah të djathtë dhe nuk merr plotësisht pjesë në aksion.
Të mos harrojmë ama që Pato është vetëm 20 vjeç dhe ndaj tij pretendojmë një pjekuri që mosha e tij s’na e lejon ta kemi shpejt. Ka një talent të jashtëzakonshëm, por duhet të mësojë të lëvizë më mirë taktikisht. E di ai, e di edhe Leonardo: kemi të gjithë kohën për ta pritur”. Përshtypja është gjithsesi që Pato është vetëm në fillim të hapave të parë të karrierës. I ka të gjitha “letrat” për t’ia dalë dhe për t’u bërë një nga futbollistët më të mirë në nivel botëror. Leonardo po e ngarkon me shumë përgjegjësi dhe përgjigjet janë mëse pozitive.
Presidenti Berluskoni, duke mos pasur shumë durim, kishte parashikuar që Pato do ta fitonte “Topin e artë” që në 2008-ën: ka mundësi që takimi të jetë shtyrë pas disa vitesh. Megjithatë, “Kavaljeri” nuk zhgënjeu kur tha se braziliani është një lojtar që shënon 20 gola në sezon dhe për këtë ka të drejtë.