16 dhjetor 2009

Juventusi përgatit strategjinë e shpëtimit

Tek bardhezinjtë do të rikthehet ish-drejtuesi Betega dhe do të ndërhyhet në merkaton e janarit

Të gjithë të bashkuar, si pinguinët që ngrohin njëri-tjetrin për të mbijetuar në dimrin arktik. Edhe tek Juventusi bën ftohtë, shumë ftohtë pas 4 humbjesh në 5 ndeshje dhe eleminimit të dhimbshëm në Champions Ligë, edhe pse rezultatet e marra nga kundërshtarët e bardhezinjve në kampionat e kanë përmirësuar sado pak situatën. Kështu, pavarësisht hapave të gabuara që ka bërë Juventusi në kampionat diferenca që ka me kreun është akoma e rekuperueshme.

Pikërisht ky aspekt në momentin më të vështirë ka bërë që bardhezinjtë të ndihen më optimistë për të ardhmen. Në kampionat gjithçka është e hapur dhe mjafton vetëm që “Zonja e Vjetër” të rigjejë rrugën e duhur. Kaq mjafton për të larguar çdo ndjesi disfate. Vetëm duke qëndruar të bashkuar në Torino mund të shpresojnë të mbijetojnë gjatë dimrit të tyre. Të dielën kundër Katanias në “Olimpiko” Juventusi duhet të marrë patjetër tre pikët për të lënë pas një 2009-të zhgënjyes dhe për ta filluar vitin e ri me hapin e duhur.

OPTIMIZEM DHE RREZIQE - Kjo është atmosfera që ndihet tek skuadra bardhezi, që dje ka rifilluar stërvitjen në Vinovo (me dyer të mbyllura ashtu siç ka ndodhur në javën e vështirë para përballjes me Interin). Por nuk kemi të bëjmë me një pritje pasive për një mrekulli. Drejtuesit e klubit janë vënë në lëvizje, si për të marrë përsipër përgjegjësinë e një zgjedhjeje, ajo e trajnerit, që nuk jep rezultate ashtu edhe për të mbështetur Ferrarën. Të shtunën në Bari drejtori sportiv Alesio Seko ka qenë i pranishëm në stol dhe këto ditë presidenti Blank do të jetë i detyruar të hypë në makinën e tij për të shkuar në Vinovo për t’i dhënë mbështetje skuadrës. Klubi është i vetdijshëm për rreziqet që paraqet situata që është krijuar midis lojtarëve. Të kapesh mbas optimizmit nuk do të thotë të mbyllësh sytë para realitetit, të injorosh mungesat e rëndësishme dhe të gjata si ato të Iakuintës, Kielinit, Sisokosë, Bufonit dhe Kamoranezit, të fshehësh faktin se ka lojtarë që duhen rekuperuar në aspektin fizik (Del Piero), psikologjik (Diego), madje edhe disiplinor.

STRATEGJIA - Në këtë situatë mundësia që gjërat të mos shkojnë ashtu siç duhet duhet marrë në konsideratë. Dhe për të evituar që një gjë e tillë të ndodhë drejtuesit bardhezinj po kërkojnë të gjejnë strategjinë e duhur. Lëvizja e parë e së cilës parashikon një rikthim, atë të Roberto Betegës në një pozicion që nuk është përcaktuar akoma, por që do të ketë kompetenca edhe përsa i përket merkatos. Pikërisht për këtë rikthimi i tij duket se do të bëhet këto ditë, sepse në janar Juventusi do të kërkojë të marrë një mesfushor. Kështu, duke përforcuar skuadrën dhe klubin, kërkohet të mos arrihet me trauma në muajin korrik, kur do të vijë edhe rikthimi i Lipit në detyrën e drejtorit teknik. Prezenca e tij nuk përjashton atë të Bepe Marotës, i cili ka bërë të ditur se ka me trajnerin e Italisë “një marrëdhënie të shkëlqyer”. Por administratori i deleguar i Sampdorias ka thënë gjithashtu se “ndihem shumë mirë tek Sampi, kam besimin e familjes Garrone dhe kam dëshirën të vazhdoj të punoj tek ky klub”.