16 dhjetor 2009

Tomas Shaf rinovon me Verder Bremenin

Trajneri 48-vjeçar i Verder Bremenit, Tomas Shaf, ka rinovuar kontratën e tij edhe për dy vjet me këtë klub, pra deri më 2012. Bremeni është aktualisht në mesin e pretendentëve për titullin kampion dhe ka vetëm katër pikë më pak se Leverkuseni kryesues. Vjet skuadra e Bremenit fitoi Kupën e Gjermanisë dhe shkoi në finale të Kupës UEFA, ku u mund nga Shaktjor i Donjeskut.
Drejtori i përgjithshëm i Bremenit, Klaus Allofs, ka shkruar këto fjalë për faqen zyrtare të klubit në internet: “Jemi shumë të lumtur që e arritëm marrëveshjen para vitit të ri dhe do të punojmë së bashku. Kemi thënë javët e shkuara se është ndër kontratat më të rëndësishme për klubin. Kjo tregon se sa e vlerësojmë Tomasin. Ai ka treguar prej vitesh aftësitë e tij për të përmirësuar skuadrën dhe lojtarët, është pjesë e rëndësishme e suksesit tonë.” Shaf është që prej vitit 1999 trajner i Bremenit dhe i ka drejtuar ata në fitimin e kupës dhe të kampionatit në vitin 2004.