16 dhjetor 2009

Lajme nga Kategoria Superiore e Shqiperise

Mustafa sheh vetëm fitore ndaj peqinasve

Kapiteni Arjon Mustafa, tregohet optimist për të ardhmen
Menjëherë pas zhvillimit të seancës stërvitore, skuadra e Kastriotit është grumbulluar në një nga hotelet e qytetit të Krujës, për të qenë e gatshme për ndeshjen e sotme me Shkumbinin, e cila do të zhvillohet në stadiumin e qytetit të Krujës. Ndeshja ndaj rivalit peqinas do të zhvillohet në praninë e sportdashësve krutanë, të cilët mendohen të jenë të shumtë në numër.
Mjaft tifozë krutanë, të pranishëm në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, e përcollën me mjaft zhgënjim gjykimin e njëanshëm të gjyqtarit Jorgji. Pavarësisht nga zhgënjimi që solli ndeshja e së dielës ndaj Vllaznisë, atmosfera është e mirë. Kapiteni i skuadrës krutane, Arjon Mustafa, flet me tone optimiste për atmosferën që ekziston në skuadrën e tij, teksa shprehet: “Humbja në Shkodër nuk na ka dekurajuar aspak, pasi skuadra zhvilloi një ndeshje të pëlqyeshme atje. Pasojat e asaj humbjeje dihen dhe nuk ka nevojë për koment.
E rëndësishme është se skuadra është në gjendjen e saj më të mirë. Ne i dimë fare mirë aftësitë që ka ekipi, gjë që në asnjë mënyrë nuk u përgjigjet rezultateve të arritura gjatë javëve të fundit.” Ndeshja me Shkumbinin është një tjetër ndeshje që kërkon përqendrim maksimal për formacionin krutan, i cili kërkon të marrë tri pikë për t’u rikthyer te rezultatet pozitive.
Sipas Mustafës, ndeshja ndaj peqinasve është vlerësuar në shkallët maksimale, sepse një hap fals do të kompromentote dukshëm ecurinë e skuadrës në ndeshjet në vazhdim. Duke përfunduar, 29-vjeçari shkodran do të thoshte: “Nuk ka diskutim që skuadra jonë do të hyjë në fushën e lojës vetëm për fitore. Pavarësisht se do të luajmë në fushën tonë, skuadra peqinase duhet respektuar. Nuk na lejohet të bëjmë hapa false, pasi në të kundërtën do ta vështirësonim shumë situatën në renditje. I kemi të gjitha mundësitë të rikthehemi te rezultatet pozitive, pasi do të kemi edhe përkrahjen e sportashësve tanë, mungesën e të cilëve në ndeshjen me Teutën e kemi ndjerë shumë.”

Në Ersekë pa tifozë, favor për korçarët

Kapiteni i korçarëve, Bledi Shkëmbi, thotë se është në favorin e tyre që luhet pa tifozë
Për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar derbi i Prefekturës së Korçës, mes Skënderbeut dhe Gramozit, do të luhet pa sportdashës. Kjo duket se favorizon korçarët nga njëra anë, por janë sportdashësit korçarë, të cilët kanë mbetur të zhgënjyer nga ky dënim që iu dha këtij stadiumi, pasi të gjithë ishin bërë gati që sot të ishin në Ersekë për të mbështetur nga afër skuadrën e tyre të zemrës.
Një derbi pa sportdashës sikur nuk ka lezet, por ky është vendimi i disiplinës dhe në fund të fundit, kjo duhet pranuar. Korçarët, nga ana e tyre, dje rreth mesditës kanë zhvilluar edhe seancën e fundit anti‑Gramozi, ndërkohë që vetëm sot do të udhëtojë Skënderbeu drejt Ersekës, pasi këtë ia dikton afërsia gjeografike mes Korçës dhe Ersekës.
“Një derbi që duhet fituar dhe ne do të luajmë vetëm për të marrë tri pikë ndaj Gramozit,” ‑ ka thënë gjatë ditës së djeshme kapiteni i korçarëve, Bledi Shkëmbi, lideri i korçarëve, që në këto javë të fundit ka treguar se vërtet ia vlen të kesh një lojtar në ekip me të tillë profesionalizëm në fushën e lojës. Shkëmbi ka qenë pa dyshim heroi i javëve të fundit dhe skuadra korçare në katër ndeshjet e fundit ka arritur katër barazime, dy në transfertë dhe dy në shtëpi. Skënderbeu ka që nga java e katërt e superligës që nuk fiton dhe fitorja e fundit është ajo me Gramozin në Korçë 4‑1 në javën e 4‑t të fazës së parë.
Një koincidencë kjo për ndeshjen e sotme, pasi korçarët do të kërkojnë të rikthehen pikërisht te fitorja atje ku e lanë, me Gramozin fqinj. Tashmë edhe trajneri Haxhiu e ka bërë gati grupin për takimin e sotëm, ku konfirmohet se “arma” më e fortë sot ndaj Gramozit për korçarët do të jetë mesfusha. “Një ndeshje si gjithë të tjerat, por ajo që na favorizon patjetër është stadiumi i boshatisur. Ne do të mundohemi ta shfrytëzojmë këtë mundësi që na është dhënë për këtë takim.
Kemi marrë në këto katër javë të fundit katër barazime dhe mendoj se ka ardhur momenti që të kthehemi te fitorja dhe do të luajmë pa frikë vetëm për tri pikë ndaj fqinjëve tanë. Unë kam besim te grupi që ka Skënderbeu dhe u bëj thirrje të gjithë shokëve të skuadrës që të japin më të mirën në këtë 90-minutësh. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë çdo gjë do të jetë si në javët e para për këtë Skënderbe. Nuk e meritojmë vendin e dhjetë në renditje. Mos harroni se vendi i pestë ndodhet vetëm pesë pikë larg nesh, pra shumë afër. Jam i bindur që shumë shpejt do të jemi në mesin e artë të tabelës,” ‑ përfundon kapiteni i kuqebardhëve, Bledi Shkëmbi.

Xaka‑Çipi, që nga minuta e parë në Ersekë

Pavarësisht se nuk mund të quhen më risi në formacionin e parë të Skënderbeut, Xaka dhe Çipi do të plotësojnë grupin e futbollistëve në takimin e sotëm në Ersekë. Të dy lojtarët do të luajnë në mesin e fushës, njëri në vendin e Gjondedës dhe tjetri në atë të Dokut. Për sa i përket Çipit, ai e ka treguar veten se është një lojtar që tashmë është pjekur, ndërkohë që Xaka ka luajtur pak.

Apeli, asnjë përgjigje mbrojtësit Kraja

Duket se më kot ka pritur mbrojtësi Elvis Kraja në lidhje me uljen e dënimit nga ana e tij nga dy, në një ndeshje. Ka qenë vetë lojtari që e ka apeluar këtë vendin pranë komisionit të apelit, por dje nuk ka ardhur asnjë përgjigje dhe në këtë mënyrë Kraja përfundimisht nuk do të jetë sot në fushë ndaj Gramozit. Mungon edhe Gjondeda dhe Doku, të ndëshkuar me kartonë të kuq në Vlorë.

Largohet Marko Dos Santos nga Gramozi

Një lajm jo i këndshëm vjen për sportdashësit kolonjarë, të cilët mësojnë për largimin e idhullit të tyre, sulmuesit Dos Santos, në prag të derbit me Skënderbeun. Dos Santos dihet se qe bërë për tifozërinë kolonjare një nga futbollistët më të dashur gjatë dy sezoneve të fundit, i cili me golat e tij, por edhe me lojën e shpejtë, bëri që Gramozi të shkruajë historinë për klubin kolonjar, duke e ngjitur në majat më të larta të futbollit. Marko Dos Santos gjatë sezonit të kaluar u shpall edhe golashënuesi më i mirë i kategorisë së parë, me 21 gola.
Ai largohet në një kohë kur ka arritur të shënojë dhe golin e parë në superligë ndaj ekipit kampion të Tiranës. Dos Santos gjatë gjithë kësaj kohe ka lënë përshtypjet më të mira për shumë specialistë futbolli. Ai është cilësuar një nga lojtarët më të shpejtë për momentin në ligën superiore, duke u sjellë shumë probleme mbrojtësve kundërshtarë. Të pyetur për këtë largim të papritur të sulmuesit kryesor të kolonjarëve, asnjë nga drejtuesit e klubit nuk ka dhënë shpjegim, duke bërë të paditurin për largimin e futbollistit. Duke u munduar të kontaktojmë me futbollistin, telefoni i tij nuk ka funksionuar, duke qenë gjithë kohën i mbyllur.

Josa: Të korrigjojmë gabimet individuale

Trajneri i Teutës, Mirel Josa, e pranon se Dinamo përfitoi nga gabimet e durrsakëve
“Kemi gabuar shumë në ndeshjen kundër Dinamos dhe nuk besoj të kemi gabuar kaq shumë në ndonjë ndeshje tjetër.” Kështu shprehet trajneri i Teutës, Mirel Josa, i cili shton se gabimet individuale në këtë ndeshje sollën edhe ndëshkimin nga kundërshtari. Ndërkaq, Josa shprehet se ekipi ka nevojë për përforcime në të gjitha repartet në merkaton e janarit.
‑ Si e komentoni humbjen e fundit?
‑ Ishte një ndeshje, ku kemi gabuar ndoshta më shumë se në çdo ndeshje tjetër dhe, natyrisht, të gabosh ndaj një ekipi të tillë, si Dinamo, ndëshkohesh. Ne u ndëshkuam nga gabimet tona, që erdhën në të tre golat e shënuar. Kemi realizuar një lojë me mjaft ritëm dhe të vjen keq se kemi gabuar atëherë kur po luanim më mirë, ndërsa pritej shënimi i golit të barazimit. Kundërshtari pati meritën që i shfrytëzoi maksimalisht gabimet tona.
‑ Mendoni se sërish po shpërdoroni raste?
‑ Në të vërtetë, kemi pasur disa raste në këtë ndeshje, por gabimi ynë ishte gjuajtja vend e pa vend nga distanca. Sulmuesit tanë duhet të kërkonin më shumë depërtimin dhe të shmangnin gjuajtjet nga distanca, ku kemi gjuajtur portën shumë herë, por kemi shpërdoruar. Lojtarët tanë kanë provuar shumë herë të gjuajnë nga distanca, por pa saktësinë e duhur. Pa dyshim që dhe gabimet para portës na penalizuan jo pak në atë ndeshje.
‑ Moviolat kanë treguar një 11-metërsh, që nuk iu dha Teutës në fund të pjesës së parë. Si e komentoni?
‑ Në të vërtetë, duhej dhënë një tjetër penallti në favorin tonë, e cila mund të barazonte ndeshjen. Ai ishte 11-metërsh, por përveç këtij momenti, edhe sulmuesi ynë në atë rast vonoi në gjuajtje, kur ishte krejt i lirë përpara se të ndërhyhej ndaj tij.
‑ Mendoni se me ardhjen e Ngjelës dhe Çotës, Teuta do të jetë më rezultative vitin e ardhshëm?
‑ Të dy këta lojtarë janë sulmues dhe janë në përforcim të sulmit, por unë mendoj se në ekipin tonë duhen përforcime në të tri repartet gjatë merkatos së janarit, në mënyrë që të përballojmë rivalitetin në rritje të këtij kampionati.
‑ Të mërkurën kundër Flamurtarit…?
‑ Do të jetë një ndeshje e vështirë si të gjitha ndeshjet, por ne duhet të bëjmë detyrën dhe të marrim tri pikë të vlefshme, që në këtë situatë të krijuar, janë shumë të rëndësishme. Koha është e shkurtër, ndaj duhet të lëmë pas zhgënjimin e ndeshjes me Dinamos.

Shkodranët, pa pesë titullarë ndaj Dinamos

Për Vllazninë me shumë mundësi do të mungojë edhe Sinani, lideri i formacionit kuqeblu
Gjërat kanë shkuar vërtet keq në pragndeshjen me Dinamon. Stafi drejtues i Vllaznisë nuk do të ketë të gatshëm për këtë ndeshje shumë të rëndësishme plot 5 titullarë të saj. Dhe bëhet fjalë për emra të tillë, si Sinani, Osja, A.Beqiri, Smajli e Kasapi. Kuqeblutë kësisoj do të luajnë pa gjysmën e ekipit ndaj kryesuesve të kampionatit dhe skuadrës më në formë për momentin. Do të jetë shumë e vështirë të rezistohet në fushë dhe formacioni që do hedhë në fushë trajneri Luçi duket “i arnuar”. Ai do të jetë i detyruar të ndryshojë edhe skemën e lojës, teksa ndaj bluve do të luhet me një mesfushë me shumë forca dhe me një sulmues të vetëm.
Bala është zgjidhja e vetme që ka në dispozicion, ngaqë nuk ka sulmues të tjerë dhe, për këtë arsye, numri një i pankinës shkodrane ka vendosur të ndryshojë mënyrën e të luajturit. Pikërisht nga këto mungesa, si në mbrojtje, ashtu dhe në mesfushë, do të ketë shumë ndryshime. Në repartin e prapavijës do të ketë një ndryshim thuajse tërësor në krahë. Qendra e këtij reparti do të vazhdojë të jetë e përbërë sërish nga dyshja E.Beqiri‑Rajoviç. Në të majtë do të luajë përsëri Mrvaljeviç, ashtu si edhe në ndeshjen ndaj Kastriotit. Risi do të jetë krahu i djathtë.
Me shumë mundësi, ndeshjen do ta nisë si titullar Arsen Sykaj, 19-vjeçari që është edhe lojtari i ekipit kombëtar Shpresa. Edhe mesfusha do të ketë ndryshime. Vetëm dyshja e qendrës e përbërë nga Nallbani dhe Alikaj nuk do të ndryshojë e po ashtu edhe Shtubina do të luajë sërish në të djathtë. Në të majtë do të ketë diçka të re, teksa do të luajë Doçi, ndërsa Hallaçi pritet të jetë në rolin e “digës” para mbrojtjes së bashku me Nallbanin. Kjo është pak a shumë mundësia e rreshtimit në fushë e 11‑es shkodrane.
Mungesat kanë sjellë jo pak probleme dhe për rrjedhojë shpresohet që ato të mos ndikojnë në rezultat. Madje trajneri Luçi kërkon të bëjë optimistin, teksa deklaron: “Mungesat janë të rëndësishme për ne, megjithatë do të mundohemi të bëjmë edhe pa to. Nuk do të jetë e lehtë, megjithatë do ta provojmë. Unë kam besim se ndaj Dinamos skuadra do të paraqitet mirë dhe do të tentojë të marrë një rezultat pozitiv, pse jo edhe fitoren.
Natyrisht, Dinamo do të jetë favorite për ta fituar këtë ndeshje, por unë nuk heq dorë nga mendimi im se do t’ia bëjmë të vështirë punën skuadrës që udhëheq me meritë kampionatin.” Për të, katër mungesa kanë qenë të ditura dhe pikërisht, ato të Osjes, A.Beqirit dhe Kasapit për arsye dëmtimesh dhe ajo e Smajlit për skualifikim me tre kartonë të verdhë. E papritur ka qenë disi mungesa e Sinanit. Kapiteni shkodran ka ndjerë shqetësime jo të vogla rrëzë kofshës dhe prandaj është konfirmuar nga stafi mjekësor mungesa e tij. Të mos kesh në dispozicion 5 titullarë, sigurisht që është shumë, aq më tepër për Vllazninë aktuale, e cila ka pasur jo pak probleme dhe ka shumë nevojë për pikë. Megjithatë, do të provohet edhe pa ta.

Smajli i kërkon falje Abazajt

Ndërhyrja e tij mund të ketë qenë vërtet e rëndë, por jo aq sa është ekzagjeruar në media. Dritan Smajli nuk është ndjerë mirë nga kjo gjë dhe prandaj ka vendosur t’i kërkojë falje publikisht lojtarit të Kastriotit, Oriand Abazaj, që njëkohësisht është edhe shok i tij. “Më duket se është tepruar disi me atë ndërhyrje. Nuk ka qenë e qëllimshme, aq më tepër ndaj Abazajt, të cilin e kam shok. Ka qenë një moment tensioni në lojë dhe prandaj ndërhyra pak ashpër. Vërtet mund ta kisha dëmtuar Abazajn dhe për këtë i kërkoj ndjesë, por ka qenë e paqëllimshme,” - thotë Smajli.
Historia ka ndodhur në pjesën e parë të ndeshjes Vllaznia‑Kastrioti. Për kuqeblutë, sapo kishte dalë jashtë me karton të kuq edhe i riu Djepaxhija dhe në fushë kishte tension. Smajli në një moment ndërhyn me taka në kaviljen e Abazajt, por kontakti nuk ka qenë i rëndë. Për rrjedhojë, sulmuesi krutan nuk ka pësuar asgjë. Vetë mbrojtësi lezhjan i Vllaznisë e ka kuptuar gabimin e tij dhe i ka kërkuar falje publike Abazajt.

Muça: Në çdo moment Vllaznia mbetet Vllazni

Pavarësisht pozitave, trajneri blu Shkëlqim Muça i vlerëson nga tradita shkodranët
Dinamo dhe Vllaznia janë dy skuadra që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar ndër vite. Ditën e sotme, në orën 13:30, në stadiumin “Qemal Stafa”, blutë kryesues dhe shkodranët, mes një mijë problemesh, do të sfidohen midis tyre për të disatën herë në historinë disavjeçare të klubeve në fjalë. Normalisht, dinamovitët janë të favorizuar për vetë diferencat që kanë shfaqur ekipet gjatë kampionatit. Dinamo kryeson në kuotën e 38 pikëve, ndërkohë që Vllaznia ndodhet në vendin e 9-të, me 15 pikë.
Në të dy kampet ka mungesa, blutë do të luajnë pa Putinçanin të pezulluar dhe Sozën, që ka mbushur numrin tre të kartonëve të verdhë. Por edhe Allmuça është në dyshim. Pavarësisht mungesave të kampit kundërshtar dhe ndryshimit të madh në cilësi dhe rezultate midis Dinamos dhe Vllaznisë, blutë kërkojnë të qëndrojnë me këmbë në tokë, të largojnë euforinë dhe të mendojnë më shumë për hallet e veta. Kështu e mendon edhe trajneri Shkëlqim Muça, me anë të prononcimit e tij: “Është një ndeshje që e vlerësojmë maksimalisht. Pavarësisht pozitave apo mungesave, Vllaznia mbetet Vllazni.
Edhe në kohët që kemi luajtur si futbollistë, Vllaznia në çdo moment ka luajtur për fitore në kryeqytet. Nuk e kuptoj konceptin gjysmë skuadre. Le të kemi mungesa, kur në ekip ka 22 futbollistë gjithçka mund të kalohet. Me trajnerin Luçi nuk kam pasur përballje si teknikë, por di që si futbollistë kemi pasur raporte të mira dhe jemi ende shokë në aspektin shoqëror. Kemi luajtur së bashku me kombëtares Shpresa më 1981, ku edhe jemi shpallur kampionë të Ballkanit.
Më pas edhe në përfaqësuesen e Shqipërisë kemi qenë shokë skuadre. Ne duhet të vazhdojmë ecurinë tonë pozitive ndaj Vllaznisë për të ruajtur ritmet,”- citon trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça. Duket se dinamovitët e kanë gati strategjinë e tyre për të goditur kundërshtarin në sfidën e sotme dhe nuk kërkojnë aspak të bien në “grackën” e shkodranëve, të cilët po ankohen për shumë mungesa përpara sfidës ndaj dinamovitëve.
Por një problem të tillë blutë e kanë hasur në transfertën e Korçës, ku ndaj Skënderbeut me formacion të gjysmuar, nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1. Dhe pas kësaj sfide blutë e kanë pranuar edhe vetë që ka pasur pak nënvleftësim. Ndaj dhe ndeshja e stadiumit “Skënderbeu” është kthyer në një mësim të mirë për dinamovitët, të cilët vlerësojnë në maksimum çdo kundërshtar.

Allmuça në dyshim ndaj Vllaznisë

Mesfushori i Dinamos, Igli Allmuça, ditën e djeshme nuk është stërvitur sërish me skuadrën. Mesfushori me nr.14 vazhdon të vuajë një tërheqje muskulore që nga ndeshja ndaj Teutës dhe si pasojë mund të mbetet jashtë formacionit për sfidën ndaj Vllaznisë, e cila do të luhet sot, në orën 13:30, në “Qemal Stafa”.

Blutë, grumbullimi në klub

Ndryshe nga sfida përballë Teutës, ku blutë janë grumbulluar në hotel “Ylli i Detit”, dinamovitët pasi kanë kryer stërvitjen e paradites nga Kodrat e Liqenit, mbrëmë janë grumbulluar në ambientet e klubit “Dinamo” për të kaluarën natën. Sot, në orën 12:00, blutë do të mbërrijnë në stadium për sfidën me Vllazninë.

“Fitorja në Lezhë, fund i lumtur për Lushnjën”

Mesfushori Alban Byzhyti thekson se skuadra është në formë shumë të mirë dhe pretendon maksimumin me Besëlidhjen
Lushnjarët, për shkak të reshjeve të shiut, e kanë zhvendosur stërvitjen në një prej kalçetove të qytetit. Stafi teknik e ka parë të pamundur zhvillimin e seancave në fushën e stadiumit dhe në aneksin përkarshi, kështu që ka zgjedhur këtë mënyrë. Ndeshja me Besëlidhjen në Lezhë, e fundit për fazën e parë të kampionatit dhe mjaft e rëndësishme, është vlerësuar si një nga më të vështirat nga verdhëjeshilët. Këta të fundit e konsiderojnë një kockë të fortë Besëlidhjen dhe janë angazhuar maksimalisht, kur ende nuk dihet se cili do të jetë formacioni i parë. Skuadra lushnjare ka gjetur formën e duhur në kampionat dhe po i ndjek kryesuesit në të gjitha drejtimet, por nuk mund të thuhet se ka arritur atë që donte për këtë fazë. Nuk janë pak pikë për t’u rikuperuar nga lushnjarët në fazën e dytë, por gjendja e skuadrës është e kënaqshme si nga ana fizike, ashtu dhe nga ajo psikologjike.
Në infermieri nuk ka asnjë “pacient”, po kështu nuk ka asnjë të skualifikuar për transfertën e fundjavës. “Jemi në një formë të shkëlqyer të gjithë dhe sigurisht nuk na mungon asnjë komponent. Ndeshja e fundit, ku fituam thellë, na ka bërë të mendojmë për një fundviti të lumtur. Ishte një fitore e bukur ajo me Skraparin, sepse të gjithë patën grintë në fushë, por na ka mbetur ende në memorie ai barazim me Bylisin në shtëpi. Në çdo ndeshje kemi hyrë për fitore dhe këtë e kemi treguar qartë në fushë, pavarësisht se disa faktorë, që nuk dua t’i përmend, na kanë penguar të marrim pikët maksimale,” - thekson mes të tjerash mesfushori Alban Byzhyti, i cili më tej parashikon vetëm fitoren e Lushnjës në Lezhë: “E kemi treguar kush jemi dhe do të shkojmë për të fituar në lezhë. Skuadra ka frymën e duhur të fituesit.
Të gjithë do të japim maksimumin, ndërsa kundërshtari është për t’u vlerësuar.” Ndërsa Dorian Bubeqi, i cili me tripletën e shënuar ndaj Skraparit kryeson i vetëm listën e golashënuesve më të mirë, thotë: “Ishin 3 gola, që edhe vetë i kam pëlqyer. I pari dhe i dyti erdhën nga aksione, që tregojnë rrjedhshmërinë e lojës së skuadrës sonë. Kam shumë besim se do të shënoj edhe këtë fundjavë në Lezhë.” Besëlidhja ka në stol të mirënjohurin Ilir Gjyla, ndërkohë që Lushnja ka në përbërje dy futbollistë lezhjanë, Alert Alcanin dhe Arben Prelën. Të dy aktivizohen në repartin e mbrojtjes dhe duan të jenë patjetër në 11‑shen e lushnjarëve të shtunën.

Gramshi, shpërblim maksimal për fitore në Gjirokastër

Kryebashkiaku Kastriot Zëraj i ka premtuar 1 milion lekë skuadrës për të mundur Luftëtarin
Kryebashkiaku i Gramshit, Kastriot Zëraj, deklaron për “Sportin shqiptar” se, nëse skuadra gramshiote fiton në Gjirokastër, do të marrë një shpërblim prej 1 milion lekësh. Gjithashtu, ai ka pohuar se do të kërkojë një mbledhje me këshillin bashkiak, me qëllim miratimin e këtij fondi që në mesjavë. Kryebashkiaku Zëraj, presidenti Baholli, trajneri Gallo dhe kapiteni Stojku, pritet ta mobilizojnë skuadrën me të vetmin objektiv: marrjen e 3 pikëve me Luftëtarin. “Kam shumë besim te stafi teknik dhe grupi i futbollistëve të Gramshit.
Në ndeshjen e së shtunës ata do të jenë të mobilizuar fuqishëm për t’i shtuar skuadrës edhe tri pikë. Kjo është ndeshja e fundit e fazës dhe, pavarësisht vendit në renditje, kam dëshirë t’i shpërblej futbollistët e Gramshit me 1 milion lekë. Mendoj se Gramshi ka forcë dhe kualitet për një fitore në Gjirokastër,” - është shprehur kryebashkiaku Zëraj.
Ai ka saktësuar se futbollistët do të çmohen për kontributin e tyre dhe në fund të gjithë do të mbeten të kënaqur. Grupi i futbollistëve, me në krye kapitenin Stojku, vazhdon me përkushtim stërvitjen, kurse trajneri Gallo kërkon vlerësimin e duhur për këtë ndeshje të rëndësishme.
Gramshi gjendet në kuotën e 16 pikëve, edhe pse për këtë skuadër është investuar shumë. Për ndryshimet e mundshme para fazës së dytë, kryebashkiaku Zëraj thotë: “Pa dyshim që Gramshi i fazës së dytë do të përforcohet dhe do të jetë i përgatitur për ta përballuar kampionatin. Emrat do të përzgjidhen nga drejtuesit e klubit, por tani është herët për ta bërë një gjë të tillë. Ndeshja e së shtunës ka shumë rëndësi për të ardhmen e skuadrës dhe duhet patjetër një rezultat pozitiv.”

Stoja: Luftëtari s’duhet ta diskutojë Gramshin

Nertil Stoja shënoi një gol elektrizues në Kamëz, duke e barazuar rezultatin përkohësisht, sepse Luftëtari pësoi më pas humbjen pokeristike, 4‑1. Tani ekipi gjirokastrit e sheh veten tepër larg kreut, madje për fat të keq, më afër fundit. Stoja, i cili pësoi dhe një dëmtim në Kamzë, në pjesën e dytë, arriti në kuotën e 5 golave, aq sa ka edhe Shkoza, që u dëmtua javën e 7‑të të kampionatit dhe nuk ka luajtur në vazhdim. Për javën e 15‑të Luftëtari pret Gramshin dhe kjo është një mundësi për ta mbyllur me fitore këtë fazë. Nëse e bëjnë këtë, gjirokastritët mund të qetësohen disi dhe të rigrupohen për fazën e dytë, ku duhet të bëjnë lëvizjet e duhura.
Për humbjen me Kamzën dhe ndeshjen e radhës, Stoja shprehet: “Pa i mohuar vlerat e Kamzës, kur barazova 1‑1, mendova se nuk do të dilnim pa gjë, por pjesa e dytë ishte fatale. Pësuam edhe 3 gola dhe regjistruam kështu humbjen më të thellë. Dy golat e parë, që kundërshtari i shënoi nga goditjet e dënimit, ishin të evitueshëm, por ekipi ynë nuk reagoi si duhet dhe në vazhdim humbja mori përmasa të paparashikueshme për ne, ndoshta edhe për kundërshtarin.
Mendoj se duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet që të fitojmë me Gramshin, që do të luajë me guxim në Gjirokastër, duke menduar se ka po aq pikë sa Luftëtari. Për mendimin tim, Gramshi ka vlerat e tij, por ai nuk është as Elbasani dhe as Kamza. Duke u mobilizuar sa duhet, shpresoj se do të arrijmë fitoren, pra duke djersirë në fushë, sepse askush nuk të fal pikë.” Nga drejtuesit e ekipit gjirokastrit janë premtuar përforcime për fazën e dytë, edhe pse shanset për vendin e 4-t, i fundit që të jep të drejtën për të marrë pjesë në “play-off”, janë minimizuar.
Gjirokastritët kanë vuajtur në shumë ndeshje të fazës së parë mungesën e futbollistëve titullarë. Futbollistët e dëmtuar apo ata të skualifikuar nuk janë zëvendësuar si duhet nga stoli i varfër e Luftëtarit. Ndoshta edhe fati ka qenë kundër këtij ekipi, që pas javës së 6-të ka humbur shumë terren në tabelën e renditjes. Gjirokastritët kanë lënë shumë pikë edhe në fushën e tyre, ku janë mundur nga Bylisi, Ada dhe Elbasani. Një fitore e mundëshme me Gramshin mund ta përmirësojë disi gjendjen pas këtyre rezultateve negative të javëve të fundit.

Merxha ka një formulë fituese për në Ballsh

Kapiteni i Elbasanit, Erjol Merxha, shprehet se tashmë është gjetur “çelësi” i fitoreve jashtë fushe
Moti i keq i ditëve të fundit i ka krijuar disa probleme skuadrës elbasanase në lidhje me përgatitjet anti-Bylis. Trajneri Dosti dhe ndihmësi i tij, Guranjaku, kanë gjetur mënyrën më të përshtatshme të momentit, me qëllim që lojtarët të marrin maksimumin deri ditën e premte. Më shumë se çdo gjë tjetër, për ndeshjen në Ballsh duhet profesionalizëm nga verdheblutë, të cilët e kanë përvojën për ta kaluar me sukses një sfidë të tillë. Ata janë të përqendruar dhe nga deklaratat e tyre kuptohet se ka vetëm respekt për kundërshtarin dhe jo frikë. Ndërkohë, konsiderohet një plus i madh fakti që do të luhet në një terren të mirë, ku mund të tregohen vlerat e vërteta. Kështu, ka një frymë optimiste në radhët e Elbasanit, edhe pse mund të jetë ndeshja më e vështirë e fazës së parë.
Ndonjë prej lojtarëve u trembet vetëm faktorëve të jashtëm, ku bën pjesë edhe gjykimi. Kapiteni Erjol Merxha, i cili është lojtari më me eksperiencë tek Elbasani, kërkon që gjithçka të vendoset në fushë dhe jo jashtë saj. Sipas tij, në këtë ndeshje duhet folur vetëm për futboll të bukur dhe asgjë tjetër. “Natyrisht, duke parë se luajnë dy skuadrat e vendeve të para në renditje, trysnia mbi ne lojtarët është e madhe. Elbasani ka në përbërje lojtarë, të cilët janë në gjendje t’i nxjerrin me sukses ndeshje të tilla, që kanë shumë emocion dhe përgjegjësi. Po kështu, kemi edhe lojtarë të rinj, që nuk e kanë përvojën e duhur. Mjafton të bësh një gabim sado të vogël dhe mund të ndëshkohesh, kështu që duhet të kemi shumë kujdes.
Grupi ynë është mjaft solid dhe besoj se kjo është “arma” jonë më e fortë,” - shprehet Merxha, i cili nuk sheh diferenca mes përbërjeve të dy skuadra kryesuese. Ai pohon gjithashtu se elbasanasit e dinë si mund të fitohet ndeshja e së shtunës: “Ua kemi marrë dorën edhe transfertave. Tani kemi një formulë fituese edhe për ndeshjet jashtë, kështu që tifozët tanë duhet të jenë të qetë dhe të presin një sukses të skuadrës së tyre.” Lojtari “veteran” i verdhebluve kërkon më tej t’i mbajë shokët e skuadrës me këmbë në tokë dhe thotë se Bylisi është vërtet një rival potencial. “Ata kanë një skuadër të kompletuar dhe pa probleme. Kanë marrë rezultate të mira, prandaj duhet të bëjmë shumë kujdes,” - përfundoi Erjol Merxha.