20 dhjetor 2009

Juve dështon sërish

Ka vazhduar kriza e Juventusit edhe në javën e 17-të në Serie A, me ç’rast bardhezinjtë janë mposhtur nga Catania para tifozëve të vet.

Takimi i zhvilluar të dielën në Stadiumin Olimpik të Torinos, ka përfunduar me fitoren e Catanias me rezultat prej 2-1.

Sicilianet kaluan në epërsi pas një penalltie të ekzekutuar nga Jorge Andres Martinez (23’).

Vendasit arritën të barazojnë shifrat me golin e shënuar nga boshnjaku Hasan Salihamidzic (66’).

Mirëpo, për zhgënjimin e radhës të Zonjës së Vjetër u kujdes Mariano Julio Izco (87’), i cili ia siguroi fitoren skuadrës mysafire.

Përkundër kësaj humbjeje, Juventusi vazhdon ta mbajë pozitën e tretë, pasi që Parma u mposht nga Roma dhe nuk arriti ta zhvendosë nga pozita Zonjën e Vjetër.