01 dhjetor 2009

Galiani “voton” Juven në Derbin e Italisë

Drejtuesi kuqezi ka treguar se do të bëjë tifo për bardhezinjtë kur këta të ndeshen me Interin

“Nëse të shtunën do të fitojmë kundër Sampdorias, një gjë aspak e lehtë për t’u arritur, sigurisht që në mbrëmje do të jem një tifoz i Juventusit”. Adriano Galiani nuk ka asnjë dyshim se kë skuadër do të mbështesë në përballjen, që do të zhvillohet fundjavën e ardhshme midis bardhezinjve dhe zikaltërve. “Si të gjithë ata që kanë lindur në Monza dhe nuk ndihen milanezë, - ka shpjeguar Galiani, - kur kam qenë fëmijë më pëlqente Juventusi, por skuadra tjetër që ndiqja ishte Milani. Kurrë Interi”. Në lidhje me takimin e fituar kundër Katanias, falë një dygolëshi në minutat e fundit të Huntelarit, drejtuesi kuqezi e ka pranuar: “Nuk kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, kemi marrë një fitore të ndihmuar pak nga fati, por kjo është pjesë e futbollit.

Të dy golat kanë ardhur nga dy sponda të Inzagit, - ka theksuar Galiani. - Sëbashku me Huntelarin janë dy lojtarët që janë aktivizuar në pjesën e dytë dhe me këta Leonardo ka ndryshuar ndeshjen. Milani ka patur kurajo duke marrë një trajner që nuk kishte drejtuar asnjëherë një skuadër, as në ekipet e moshave. Ai që nga viti 1997 më flet pëe Brazilin e 82-it, është i dashuruar me skemën 4-2-4. E di që ekipi rrezikon shumë, por njëkohësisht ka më shumë mundësi për të goditur kundërshtarin”

. Në lidhje me Interin: “Ne nuk jemi kunër askujt, nëse kunërshtarët vazhdojnë të fitojnë në këtë mënyrë, nuk ka asgjë për të bërë. Vetëm mund të shpresojmë që të ngadalsojnë pak marshimin me ritme shumë të larta”. Nuk mund të mungonte një koment për Huntelarin: “Deri në ndeshjen kundër Katanias kam qenë ai që kam shpërdoruar 15 milionë euro për të, ndërsa, që tani kanë filluar të më vijnë mesazhe për të më thënë se kam bërë lëvizjen e duhur.

Goli i dytë më ka kujtuar Van Bastenin, në dhomat e zhveshjes më ka përqafuar dhe më ka thënë: ‘jam i gëzuar, sepse iu kanë akuzuar se keni shpërdoruar një shumë të madhe parash’”, ka bërë të ditur drejtuesi kuqezi që, në fund, ka folur edhe për çështjen Gatuzo: “Në ditët e kaluara i kam treguar mesfushën e pesë skuadrave më të mëdha në Europë dhe ai nuk do të kishte qenë titullar në asnjë nga këto. Pra pse duhet të shkojë të qëndrojë në stol tek një skuadër tjetër”, ka përfunduar Adriano Galiani.