01 dhjetor 2009

Seria A: Java 14 nuk u ngrit mbi nivelin mesatar

Protagoniste e javës së 14-të të Seria A është skuadra e Kaljarit, e cila imitoi Bordonë e disa ditëve më parë, duke mundur Juventusin e Del Pieros. Rezultati i pastër 2‑0 flet qartë për meritën e “Sardëve” në fitoren e tyre, përmes një loje përherë e më të ekuilibruar dhe të shpejtë në mekanizmat e saj. Kritikat e Diegos drejtuar trajnerit të tij, Ferrara, i japin të drejtë brazilianit, i cili shprehej për mungesën e qetësisë dhe të harmonisë në fazën ofensive të lojës së tyre. Me këtë humbje, Juventus qëndron në vendnumëro në tabelën e renditjes, me shpresën dhe qëllimin të rigjejë veten në ndeshjen e ardhshme, direkte kundër Interit të Mourinjos, që ndryshe nga Juve buzëqesh në kampionat me fitoren 1‑0 kundër Fiorentinës. Të gjithë prisnin një reagim të interistëve pas zhgënjimit ndaj Barcelonës dhe ashtu ndodhi me të vërtetë. Në ndeshjen kundër Fiorentinës, në “San Siro”, Interi prezantoi një skuadër shumë kompakte, që dominoi në të gjitha repartet dhe fazat e lojës, për të gjithë ndeshjen. Goli i vetëm i Militos, i shënuar me penallti, mund të shoqërohej dhe me të tjerë, nga rastet e shumta për shënim të sulmuesve interistë. Një shtyllë e Xhilardinos gjatë një kundërsulmi ishte shumë pak për një skuadër si Fiorentina. Me këtë fitore rikthehet entuziasmi tek Interi, që vërshon i vetëm në krye të klasifikimit, duke u shkëputur edhe tri pikë të tjera nga Juve. Ndryshe nga Juventusi, është Milani i Leonardos që vazhdon serinë e fitoreve në kampionat dhe arrin vendin e dytë të renditjes, duke e superuar atë, në ndjekje të Interit. Kundër Katanias së trajnerit Atzori, për t’u nënvizuar ishte rizgjimi i sulmuesit Huntelar, i cili me dy golat e mrekullueshëm, në minutat shtesë, u dhuron kuqezinjve fitoren 2‑0. Një fitore e vështirë jashtë fushe, që u arrit pas një loje cinike dhe me ritëm jo të lartë. Patjetër, ndihej mungesa e Pirlos, i cili është i pazëvendësueshëm për lojën e Milanit, në rolin e tij si regjisor, i pozicionuar përballë repartit difensiv. Një fitore për Milanin është edhe premtimi i Gatuzos, gjatë javës, që së shpejti do të rikthehet në fushë, për të ndihmuar skuadrën drejt sukseseve të mëtejshme, duke u dhënë kështu fund fjalëve për largim në merkaton e janarit. Nëse Gatuzo ka demonstruar që i mban premtimet, Kasano bën të kundërtën për skuadrën e vet, Sampdorian, duke humbur në ndeshjen kundër Xhenovas. Në bazë të një sondazhi, takimi mes Xhenovas dhe Sampdorias është dhe derbi më emocionues për skuadrat dhe tifozëritë përkatëse. Përsëri është Xhenova e Gasperinit, që hipnotizon Sampdorian e Del Nerit, me një lojë perfekte në të gjitha repartet dhe të bazuar mbi një ritëm shumë të lartë e formë fizike të përkryer. Vetë rezultati 3‑0 flet për dominimin e Xhenovas në të gjitha drejtimet dhe përgjatë 90 minutave. Nëntë kartonët, të dhënë nga arbitri, nga të cilët tre të kuq, nuk zbehën aspak bukurinë e këtij takimi. Kuriozitet për këtë derbi është dhe gara e koreografisë, që zhvillojnë tifozërite mes tyre. Edhe në këtë aspekt, është tifozëria e Xhenovas më superiore dhe spektakolare, si përherë. Me këtë rezultat, Xhenova arrin vendin e gjashtë të renditjes, me shumë meritë dhe dinjitet, për atë çfarë po demonstron. Përsa u përket meritave dhe dinjitetit, është edhe trajneri Ranieri, që po ia kthen ato përherë e më shumë skuadrës së vet, Romës. Me fitoren e vështirë 2‑1 ndaj Atalantës, në Bergamo, Roma vazhdon serinë e rezultateve pozitive, duke ngjitur me hapa të shpejtë tabelën e renditjes. Skuadra e Vuçiniçit dhe Totit po tregon që ka dalë nga tuneli i errët, ku ndodhej në fillim të kampionatit, dhe vërtetëson përherë e më shumë aftësitë e padiskutueshme të trajnerit Ranieri. Ndërsa gjysma e kyeqytetit gëzon dhe feston për skuadrën e vet, pjesa tjetër, ajo e Lacios, vazhdon të zhgënjehet nga njëra ndeshje në tjetrën. Kësaj jave, kundërshtarët modestë të Bolonjës “premtonin” një fitore për skuadrën e Ballardinit, por përsëri pa rezultat. Një barazim i bardhë 0‑0, që flet qartë, jo vetëm për mungesën e një sulmuesi me peshë, por edhe për mungesën e fantazisë për të gjithë repartin ofensiv të Lacios. Një lojë pa shumë emocione dhe një barazim që nuk ndihmon asnjërën nga skuadrat. Nga një pikë për secilën në renditje fitojnë edhe Parma e Napoli, nga rezultati 1‑1 mes tyre. Barazimi ishte i drejtë, i arritur përmes një takimi të ekuilibruar dhe plot rivalitet, që konfirmon stabilitetin në lojë dhe në rezultate për të dyja skuadrat. Trajneri Mazarri vazhdon të mos humbasë që pas zëvendësimit të Donadonit në pankinën e Napolit, me tri fitore dhe tri barazime në gjashtë javët e fundit. Të njëjtën kurë në zëvendësimin e trajnerëve provuan edhe Palermo e Siena, por pa rezultat në ndeshjet e para për trajnerët përkatës, Delio Rosi e Malezani. Të dy teknikët e rinj fillojnë me humbje aventurat e tyre, por jo për fajin e tyre, edhe për faktin e kohës së shkurtër në dispozicion për përgatitjen e ndeshjeve të radhës. Eshtë skuadra e Bogdanit, Kievo, që jo vetëm arriti të mundë Palermon me rezultatin e ngushtë 1‑0, por edhe e superoi atë në renditje, me tri pikët e fituara. Ndërsa Siena u dorëzua në fushën e Barit, edhe pse kaloi e para në avantazh. Rezultati 2‑1 për Barin e bën përherë e më të vështirë për Sienën rrugën drejt shpëtimit, për të mos rënë në Seria B. Megjithatë, kampionati i Seria A është shumë i gjatë, kështu që trajnerët Delio Rosi e Malezani kanë të gjitha mundësitë dhe kohën e duhur për t’u shprehur me skuadrat e tyre përkatëse, Palermo dhe Siena. Edhe trajneri Kozmi te Livorno po punon për riorganizimin dhe suksesin e skuadrës, pas zëvendësimit të Ruotolos, por kësaj jave nuk arriti të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen kundër Udinezes. Në fitoren e pastër 2‑0 të Udinezes, për t’u nënvizuar është goli fantastik i Di Natales, nga një goditje dënimi, që e rradhit atë në krye të klasifikimit, si golashënues më i mirë, me dhjetë gola, për momentin në kampionatin italian të Seria A.