01 dhjetor 2009

Diego, i sinqertë: Nuk na lejohen më gabime

Pas humbjes në Kaljari, braziliani paralajmëron Interin: Kundër tyre fillon një fazë e re

Duhet punuar shumë për të harruar Kaljarin. Diego Ribas da Kunja i tregon rrugën Juventusit në prag të sfidës me Interin, që mund të vlejë një sezon, me zikaltrit, që janë tetë pikë larg dhe bardhezinjtë nuk mund t’ia lejojmë vetes të humbasin dhe të bëjnë hapa të tjerë të gabuar: “Nuk mund të humbasim më asnjë ndeshje dhe duhet të shpresojmë në ndonjë hap të gabuar të Interit, - shpjegon Diego. - Takimi ynë i ardhshëm është sfida direkte me Interin, ndeshje shumë e vështirë dhe e bukur. Duhet të punojmë shumë këtë javë për të korrigjuar gabimet tona dhe të zbresim në fushë për të luajtur një ndeshje ndryshe, sepse rezultati kundër Kaljarit, e bëri objektivin tonë më të vështirë për t’u arritur. Kjo fazë e re duhet të fillojë që nga ndeshja e ardhshme”.

KIELINI, TJETËR OPERACION - Xhiorxhio Kielini, mbrojtësi i Juventusit është operuar dje në hundë. Lojtari, sipas asaj që bën të ditur klubi bardhezi mund të rifillojë stërvitjen nesër. Të shtunën duhet të jetë gati për sfidën me Interin. Kielini iu nënshtrua një operacioni në hundë për të reduktuar frakturën në kockë, që pësoi gjatë ndeshjes me Kaljarin gjatë një përplasjeje me brazilianin Nenè. Ndërhyrja kirurgjikale doli me sukses dhe Kielini doli nga spitali pas operacionit. Nesër mbrojtësi mund të stërvitet me një maskë mbrojtëse, për të shmangur kontaktet apo përplasjet me topin.

LIPI: KAMPIONATI? I HAPUR - Marçelo Lipi është i qartë. Pas parashikimit në fillim të sezonit (Juvja, favorite për titull), që inatosi Interin me Mourinjon), trajneri “axurr”, lëshon një tjetër konsideratë mbi kampionatin që nuk do ta gëzojë Mourinjon me shokë: “Kampionati italian mbetet akoma i hapur, - tha Lipi. - Të flasësh për një kampionat të mbyllur pas 14 javësh, më duket e tepruar, duke parë që duhen edhe 24 ndeshje dhe thuajse 6 muaj, ku mund të jenë të ndryshëm faktorët që do të vendosin.

Pa dyshim, disa gjëra po marrin formë, por të flasësh për titullin e fituar që tani, më duket pikërisht e tepruar”.