03 dhjetor 2009

FSHF ua sheh sherrin tifozëve

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) është gjobitur sërish nga FIFA. Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, ka bërë të ditur për mediet shqiptare se shtëpia e futbollit botëror i ka dënuar me pesë mijë franga zvicerane.
Sipas tij, ky dënim ka ardhur për shkak të hedhjes së fishekzjarrëve nga e tifozëve shqiptarë në ndeshjen Suedi-Shqipëri (4-1), e vlefshme për eliminatoret e kampionatit botëror “Afrika e Jugut 2010”.
Vetëm para dy muajve, FIFA gjobiti FSHF’në me një shumë prej 15 mijë eurosh për mosmarrjen e masave organizative gjatë ndeshjes kualifikuese të Botërorit 2010, Shqipëri-Danimarkë (1-1).
Ky dënim kishte ardhur, ngase pas ndeshjes gjyqtarët e takimit dhe lojtarët danezë u ankuan për mungesën e ujit të ngrohtë në dushet e stadiumit “Qemal Stafa”.
Mirëpo, gjobat për FSHF’në nuk pritet të përfundojnë këtu. Sipas Prodanit, federata pritet të ndëshkohet sërish me gjobë për shkak se drejtori i stadiumit “Qemal Stafa”, Perikli Dhales, nuk ka folur me tonin e duhur me drejtuesit e Kombëtares U-21 të Austrisë dhe gjyqtarët polakë, të cilët drejtuan ndeshjen Shqipëri-Austri (2-2), e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian U-21.