03 dhjetor 2009

Në pritje të FIFA-s

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të saj, pritet të lëvizë rreth kërkesës së Federatës së Futbollit të Kosovës për mbrojtjen e kartonëve të futbollistëve kosovarë që transferohen jashtë vendit.
Kjo marrëveshje do t’u garantonte klubeve kosovare kompensim material për futbollistët që do t’i lëshonin të largoheshin drejt klubeve evropiane.
Për këtë çështje, krerët e futbollit kosovar shpresojnë se do të bisedohet të premten më 4 dhjetor, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s që po mbahet në Afrikën e Jugut.
Javën e kaluar, presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, kishin udhëtuar në Zurich të Zvicrës për t’ia prezantuar FIFA-s dokumentet, me të cilat sqaruan se FFK ishte pjesë e Federatës ish jugosllave të Futbollit, veprim i njëjtë siç kishin bërë edhe shtetet tjera që ishin pavarësuar nga ish Jugosllavia, Kroacia e Sllovenia.
Pas kësaj, FFK shpreson të shqyrtohet kërkesa e tyre në FIFA. “Në dy deceniet e fundit futbollistët kosovarë janë angazhuar ose janë ndarë nga klubet e tyre pa kurrfarë autorizimi”, ka thënë për ueb faqen playthegame.org Edmond Rugova, ish selektor i përfaqësueses së Kosovës, tash drejtor i përgjithshëm te klubi më i madh në vend, FC Prishtina.
“Nëse FIFA e nënshkruan këtë certifikatë për futbollistët kosovarë me ligj, atëherë futbollistët, klubet dhe FFK do të ishin të mbrojtura. Klubet kosovare janë në gjendje të nënshkruajnë kërkesat për taksa si çdo klub tjetër, gjë të cilën deri tash nuk kishin rast ta bënin”, shtoi Rugova.
Në takimin e mbajtur javën e kaluar në Zurich, FFK e ka njoftuar FIFA-n me një listë futbollistësh që kishin nënshkruar kontratë me klubet e huaja, pa përfituar asnjë cent klubet ku luanin ata deri në atë kohë.
“Futbollistët janë marrë nga FC Prishtina dhe nga klubet tjera pa asnjë dëmshpërblim. Disa vite më parë, futbollistët si Armend Dallku e Debatik Curri, që luajnë te Vorskla në Ukrainë dhe e përfaqësojnë Shqipërinë në nivelin ndërkombëtar, ishin marrë pa autorizim dhe pa kurrfarë kompensimi. Kjo praktikë vazhdon edhe sot, përveç Prishtinës, e cila ishte në gjendje t’i japë fund kësaj dukurie, duke kërkuar që ligjet për transferimin e futbollistëve të respektoheshin”, vazhdoi Rugova.
Vitin e kaluar, Prishtina siguroi për herë të parë para si kompensim për transferimin e futbollistëve Visar Berisha e Shqipëron Skeraj, të cilët ishin transferuar te Schaffhausen dhe Winterthur.
“Prishtina ishte ekipi i parë dhe i vetëm në Kosovë që ishte në gjendje ta arrinte këtë rezultat. Unë besoj se FIFA do të vendosë të merret me këtë temë dhe besoj se ky është një hap legjitim në drejtimin e duhur, para se FFK të bëhet pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s me të drejta të plota”, përfundoi Rugova.
Është e qartë se Kosovës i nevojiten njohje të reja politike para se t’i garantohet pranimi në shtëpinë europiane dhe në atë botërore.
“Pasi Kosova të njihet nga Bashkimi Evropian dhe nga Kombet e Bashkuara si shtet i pavarur, atëherë nuk do të ketë asnjë pengesë që FFK të bëhet pjesë e FIFA-s dhe e UEFA-s”, ka thënë kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri.
Ndërkohë, FFK ka nënshkruar një aleancë strategjike me grupin zviceran Kentaro, të cilit ia ka shitur të drejtat televizive. Kentaro do të merret me të drejtat televizive, me mediet dhe me të drejtën e sponsorizimit për futbollin kosovar, ndërsa në këmbim ky grup do ta ndihmojë FFK-në që ta zhvillojë një strukturë më profesionale.