03 dhjetor 2009

Wenger mendon për përforcime

Lëndimi i rëndë i holandezit Robin Van Persie, i cili do të mbetet jashtë fushës së blertë për pesë muaj, e ka detyruar menaxherin e Arsenalit, Arsene Wenger, që t’u rikthehet përforcimeve, të cilat i munguan gjatë verës.
Trajneri francez po mendon që gjatë afatit kalimtar të janarit në skuadrën e tij ta sjellë një sulmues. “Në janar do t’u rikthehemi përforcimeve”, tha fillimisht ai për televizionin zyrtar të klubit anglez.
“Më parë nuk kishim nevojë të sillnim futbollistë të tjerë, por tash situata ka ndryshuar. Është e sigurt se do të jemi aktivë në afatin e janarit. Duhet të jemi të shkathtë që ta gjejmë zgjidhjen më të përshtatshme për kërkesat tona”, theksoi Wenger.
Emrat kryesorë që qarkullojnë se mund ta përforcojnë Arsenalin në dimër janë dy: futbollisti i ri i Interit, Mario Balotelli dhe sulmuesi maroken i Bordeaux, Marouane Chamakh.