19 dhjetor 2009

FLESH LAJME - Per futbollin Shqiptar

Fatmire Bajramaj shënoi gol për Turbine Potsdamin

Futbollistja më e mirë shqiptare, Fatmire Bajramaj, dëshmoi lojë të pëlqyeshme në ndeshjen çerekfinale të kupës së Gjermanisë në futboll në konkurrencën e femrave. Skuadra e Bajramajt, Turbine Potsdam, me lehtësi ka shënuar fitore me rezultat 3:0 ndaj skuadrës së Frankfurtit. Fatmire Bajramaj përndryshe reprezentuese e Gjermanisë e para ka qenë që e ka hapur serinë e golave në minutën e 9-të, duke kaluar në epërsi me 1:0 skuadrës e vet. Golat të tjerë për Turbine Potsdamin i kanë shënuar futbollistet Kebler (79’) e Mittag (85’). Shqiptarja Bajramaj ka qenë njëra nga futbolliste më të dalluara në fushë.

Curri dhe Ramaj pësuan humbje të lartë

Skuadra e AUE-së nuk ka pritur të pësoi një humbje kaq të lartë me rezultat 1:5 si mysafirë në ballafaqim me Ingolstadtin, në javën e 21-të të ligës së tretë gjermane në futboll. Curri luajti 90 minuta, ndërsa Rama është aktivizuar nga minuta e 70-të, por me bashkëlojtarë të tjerë treguan lojë të dobët dhe pësuan humbje të lartë. Ingolstadti udhëheq kreun e tabelës me 36 pikë, ndërsa AUE radhitet e katërta në tabelën e klasifikimit me vetëm 34 pikë të tubuara.

Shosholli në Vëllaznim pas 22 vjetësh

“Me Vëllaznimin kam nënshkruar kontratën deri në fund të kampionatit. Ajo që më ka joshës më së shumti që të shkojë në këtë skuadër është se jam i lidhur emocionalisht me ta që nga periudha e viteve 80-ta kur isha trajner në ish-ligën e dytë federative”,- tha Ajet Shosholli.
Pas shumë hamendjeve skuadra e futbollit Vëllaznimi nga Gjakova ka emëruar për kryetrajner të ri Ajet Shoshollin, një trajner i dëshmuar dhe që ka lënë gjurmë në futbollin e Republikës së Kosovës. Emërimi i Shoshollit nga njohësit e futbollit por edhe vet gjakovarët e vlerësojnë si hap shumë të qëlluar dhe që iu ka dashtë ky njeri edhe më herët këtij klubit që në stinorin vjeshtor ka pasur krizë të rezultateve. Vëllaznimi edicionin vjeshtor në Raifeissen Supelrigën e Kosovës e ka përfunduar në pozitë të pavolitshme pikërisht në vendin e 11-të (të parafundit) me vetëm 14 pikë. Pozitë që aspak skuadrës gjakovare nuk i premton qetësi në vazhdim të kampionatit, por kryetrajneri i ri, Shosholli, zotohet se do të nxjerrë nga kjo situatë e pakëndshme. Ajet Shosholli tha se është i lidhur emocionalisht më këtë klub qysh në vitet 80-të kur i ka prirë si kryetrajner në ish-ligën e dytë federative, kur ka pasur edhe rezultate të mira. “Me Vëllaznimin kam nënshkruar kontratën deri në fund të kampionatit. Ajo që më ka joshës më së shumti që të shkojë në këtë skuadër është se jam i lidhur emocionalisht me ta që nga periudha e viteve 80-ta kur isha trajner në ish-ligën e dytë federative”, ka thënë Shosholli. Ajet Shosholli ka lënë postin e drejtorit të shkollës së futbollit Trepça ’89 nga Mitrovica, që e ka udhëheq me plotë sukses vite më radhë dhe ka shkuar në radhët e Vëllaznimit. “Natyrisht se me pret një punë më përgjegjësi në skuadrën e KF Vëllaznimit. Na pret shumë punë në luftë për mbetjen në elitën e futbollit, pasi dihet se Vëllaznimi tash për tash renditet në vendin e 11-të me vetëm 14 pikë. Duke i pasur parasysh të gjitha këto rrethanat që gjendet skuadra mendoj se me një punë profesionale, angazhim të te gjithëve do të ia dalim të largohem nga kjo pozitë. Vëllaznimi synoj t’ia kthejë namin që e ka gëzuar vite më radhë dhe kjo pozitë në të cilën gjendet nuk e meriton ta ketë skuadra e Vëllaznimit, po ashtu adhuruesit e mrekullueshëm të kësaj skuadre dhe në përgjithësi qyteti i Gjakovës. Vëllaznimi i duhet që të përforcohet me një mbrojtës të dëshmuar më përvojë sikurse edhe një sulmues. Në afatin kalimtar dimërorë së bashku me menaxherin e klubit do të shikojmë tregun e futbollistëve të Kosovës dhe cilin nga ta do të sjellim në Vëllaznim”, tha Shosholli. Duhet theksuar se deri më tash postin e trajnerit e ka kryer Gojani, por zyrtarët e këtij klubit pas zgjedhjes së kryesisë së re, vendosën të bëjnë ndryshime në Shtabin Teknik. Shosholli tha se deri në javën e ardhshme pret t’i bëjë të ditur edhe emrat e ndihmësve të tij. “Kam paraqitur kushtet e mija, me të cilat janë pajtuar drejtuesit e skuadrës. Nga 10 janari kemi planifikuar t’i nisim edhe përgatitjet për stinorin pranveror”, ka thënë Shosholli.

Humbje shokuese e liderit

Më në fund ndalet dhe Dinamo. Madje pëson një humbje shokuese, të thellë dhe që e ngatërron jo pak situatën psikologjike të kryesuesve të kampionatit. Natyrisht, terreni i stadiumit të Peqinit ka qenë tepër i rënduar dhe mund të përdoret nga Dinamo si shkak për këtë humbje 4:0, por rezultati i thellë nuk lë shumë vend për diskutime. Shkumbini i ka bërë “dhuratën” më të bukur të fund-vitit kampionatit, kur dukej se titulli kampion ishte punë e kryer tashmë, e kishte fituar Dinamo. Frenimi i bluve i ka dhënë mundësinë e Besës, ndjekëses më të afërt, që të tentojë patjetër të dielën fitoren në Korçë, për ta zvogëluar diferencën me kreun, në 11 pikë. Po kështu, stimul moral do të jetë humbja e Dinamos edhe për Apoloninë dhe Tiranën, që mbajnë aktualisht vendin e tretë dhe të katërt, dhe që do të ndeshen të dielën mes tyre në “Qemal Stafa”. Megjithatë, java e 16-të ka thyer një “mit”, apo “tabu”, sikurse mund ta quajmë. Dinamo ka pësuar humbjen e parë, e cila është mjaft e hidhur, pasi është e thellë dhe nuk lë asnjë vend për justifikime. E ka merituar Shkumbini i Peqinit, i cili, edhe me një “dorë kavajase”, atë të trajnerit të sapoemëruar, Përparim Daiut, ka shënuar katër gola, falë luftës burrërore sportive, shpirtit të lartë të garës, çka ka bërë edhe diferencën. Te fitorja, shumë e çmuar, dhe që jep shpresë për vazhdimësinë e garës, është kthyer Flamurtari. Në ndeshjen e luajtur në Vlorë, skuadra e drejtuar nga Gugash Magani ka fituar 2:0 ndaj Gramozit të trajnerit Canaj. Në njëfarë mënyre, Flamurtari është hakmarrë për eliminimin që i bëri Gramozi nga Kupa e Shqipërisë, qysh në 1/16 finale. Në derbin e Laçit me Kastriotin ka vendosur kapiteni vendas, Julian Brahja, që ka kthyer në gol një goditje dënimi. Gol i shënuar qysh në pjesën e parë, por që ka mbetur në fuqi deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Peza, i cili ka drejtuar një sfidë të luftuar fort nga të dyja palët.

Mavraj më i mirë se Rama

Mërgim Mavraj me skuadrën e Bochumit u kthyen me tri të mëdha nga Hannoveri. Bochumi shënon fitore me rezultat 3:2 ndaj Hannoverit, në javën e 17-të të elitës së futbollit gjerman. Mërgim Mavraj luajti 90 minuta dhe ka qenë më i mirë se Valdet Rama që luajti prej minutës së 68-të në radhët e Hannoverit. Mavraj ka pasur angazhim të jashtëzakonshëm në fushë dhe këto tri pikët e fituara janë në çastet e duhura. Bochumi më këto tri pikë kalojë në vendin e 14-të me 16 pikë, ndërsa Hannoveri zë vendin e 13-të me 17 pikë.