21 dhjetor 2009

Lorik Cana, “gju më gju” me tifozët e Sunderlandit

Kapiteni shqiptar i Sunderlandit, Lorik Cana, pasi ka mbyllur seancën stërvitore të radhës, ka përfunduar mes fansave, për të cilët ka firmosur autografe para Krishtlindjeve. Mesfushori shqiptar ishte në stadiumin e klubit të tij, për t’u takuar me qindra tifozë, që kishin ardhur aty për të, pavarësisht dëborës dhe erës së fortë që frynte.
Duke folur për këtë ceremoni të vecantë, Loriku tha: “Ky veprim imi, për t’u takuar këtu me mbështetësit, ishte si një lloj kusuri, karshi asaj që kanë treguar gjatë gjithë kësaj kohe. Tifozët e Sunderlandit kanë treguar kaq shumë besim tek mua, sa kjo më ka ndihmuar të ndihem me të vërtetë mirë.”
Qindra tifozë sfiduan motin e ftohtë për të përmbushur dëshirën e tyre, për t’u takuar dhe marrë autografe nga kapiteni mjaft popullor i Sunderlandin, Lorik Cana. “Ishte një dëshirë dhe obligim i madh për të përmbushur kërkesën e mbështetësve, që ishin kaq të shumtë në numër, sa nuk isha në gjendje t’i takoja të gjithë. Megjithatë, gjej rastin për t’i falënderuar ata për mbështetjen e tyre karshi meje dhe ekipit,” – tha Loriku.