22 dhjetor 2009

Ferrara mes “stuhisë”: Nuk e braktis anijen!

Trajneri bardhezi, pas humbjes në Katania nuk e jep dorëheqjen. Presidenti Blank: Do të vazhdojmë me Çiron

Jam një njeri i detit dhe nuk e braktis anijen”. Çiro Ferrara nuk “e dorëzon” Juventusin, përjashton mundësinë e dorëheqjes dhe përpiqet të analizojë situatën me qetësi të madhe pas humbjes dhe me Katanian në Torino: “Është një moment i vështirë, ‑ thotë ai, ‑ jemi në vorbullën e një stuhie, por e vetmja mënyrë për t’ia dalë, është të qëndrojmë të bashkuar. Iku kampionati? Gjithçka është për t’u parë”.

Ferrara kërkon të mbrohet, por as ai nuk është shumë i bindur në ato që thotë. Në krahasim me disa muaj më parë, është një tjetër njeri. Nuk ka më hije buzëqeshjeje, fjalët duket se nuk bindin më. Më shumë se i zhgënjyer, duket konfuz.

Në mes “të stuhisë” pra dhe i paaftë të gjejë zgjidhjet për problemet. Ferrara pranon: “Nëse do ta gjeja problemin, do ta kisha zgjidhur”. Po, por tani pse nuk provon të ndryshojë në vend që të këmbëngulë te 11‑shja që humbi në Bari? E menjëhershme përgjigja e trajnerit bardhezi: “Sepse unë në Bari pashë një Juve të mirë, që m’u duk në rritje.

Melo? Zëvendësimi i tij ishte fryt i një zgjedhjeje teknike, por do të flas me të kur të takohemi”. Nëse do të takohen, sepse as kjo nuk është shumë e sigurt. Klubi, gjatë javës ka përgënjeshtruar kontaktet me holandezin Hidink, por si do të reagojë tani? Psherëtima e Blankut, i ulur në tribunë, pas golit të katanezit Izko, nuk premtonte asgjë të mirë.

Për momentin, siguritë janë dy: e para që Ferrara të mos e braktisë anijen dhe që dikush, atje sipër, të vazhdojë ta mbrojë me “hijen” e tij. E dyta, siguria është edhe nëse “muzika” nuk ndryshon. Edhe pse presidenti Blank sqaron pas ndeshjes: “Do të vazhdojmë përpara me Ferrarën. Linja nuk ndryshon. Besimi te Ferrara dhe stafi i tij, ekziston. Duhet të punojmë më shumë, të përkushtohemi më shumë. Ky pushim vjen në momentin e duhur”.

Presidenti bardhezi përpiqet të ruajë qetësinë dhe shpjegon: “E kuptoj keqardhjen e tifozëve. Priten shumë gjëra nga Juventusi. Mund të them që do të përkushtohemi më shumë, do ta analizojmë situatën. Do të luajmë të bashkuar në ditët në vijim”. Por a do të vijnë përforcime? “Nuk do ta prekim skuadrën, ‑ nënvizon Blanku.

- Kemi aftësitë për të marrë rezultate të mira, duhet të shpalosim cilësitë tona, ‑ thotë ai, duke mbrojtur blerjet e Felipe Melos dhe Diegos. - Në të kaluarën e afërt kanë treguar se sa vlejnë. Duhet të kuptojmë motivet për të cilat lojtarët nuk po japin aq sa duhet. Do të punojmë për këtë”. Flitet edhe për rikthimin e Roberto Betegës në stafin drejtues: “Nëse ka nevojë për përforcime në klub, jam i zoti të marr vendime të rëndësishme”.