22 dhjetor 2009

Ranieri: Juvja ka nevojë për njerëz të aftë

Trajneri verdhekuq kritikon vendimet e marra nga ish-skuadra e tij dhe situatën e fundit

I pyetur në lidhje me Juventusin në krizë, Klaudio Ranieri, edhe pse me qetësinë e zakonshme, nuk ka qëndruar në heshtje. Dhe i dërgon një mesazh pak të hidhur ish-drejtuesve të tij: “Skuadra kontestohet? Eshtë normale, - komentoi tekniku verdhekuq, - aty duhet fituar patjetër. Por të fitosh gjithçka dhe menjëherë është e pamundur, sepse duhet kohë, sidomos kur ndryshon sistemin e lojës.

Dhe duhen njerëz që marrin vesh nga futbolli. Këtë ua kam thënë njerëzve përgjegjës, por jo kur jam larguar nga detyra, ua kam thënë më parë”. Fjalë këto që bëjnë të mendohet se, edhe pse kanë kaluar disa muaj, plaga për shkarkimin nga detyra nuk është shëruar akoma. “Të ndryshosh sistemin nuk është asnjëherë e lehtë, - ka vazhduar Ranieri.

- Edhe unë do të kisha patur vështirësi. Dhe sigurisht do të isha shkarkuar para kohe. Unë bëra në Torino atë për të cilën isha thirrur dhe madje shkova më tej. Thashë se duhej një zëvendësues i Nedvedit, por duke parë se një zëvendësues i tillë mungonte kam thënë se mund të merrnim Diegon. Më përpara është thënë se duheshin 5 vite për të arritur majat.

Vitin e parë e përfunduam kampionatin në vendin e tretë, në të dytin në vendin e dytë, më pas janë shpenzuar 50 milionë euro dhe pretendohet të fitohet menjëherë, por nuk mjafton të blesh lojtarë që kjo të ndodhë, duhet shumë punë”. Ndërkohë, në lidhje me fitoren e rëndësishme që Roma e tij mori kundër Parmës, Ranieri shtoi:

“Dua të theksoj punën e madhe që bëri gjithë skuadra, që po bëhet gjithnjë dhe më shumë kompakte, gjë që unë e kam kërkuar që në fillim”, ka thënë Ranieri. Por në shtëpinë verdhekuqe ka disa shqetësime për gjendjen e Françesko Totit. Kapiteni romanist ka qenë i detyruar të lërë fushën në minutën e 67-të. Menjëherë pas daljes nga fusha, Toti, i shoqëruar nga përgatitësi i tij atletik Vito Skala, ka shkuar t’i nënshtrohet vizitave mjekësore. Ndoshta ndërprerja e kampionatit ka ardhur në momentin e duhur për fantazistin verdhekuq, i cili do të ketë mundësinë të kurojë shqetësimet që ka në gju në këto 20 ditë pa kampionat.