05 dhjetor 2009

Ferrara: Juventusi duhet të jetë perfekt

Trajneri bardhezi ka paralajmëruar skuadrën e tij të mos bëjë gabime kundër Interit

“Për të mundur Interin duhet një Juve perfekte”. Çiro Ferrara e ka shumë të qartë vështirësinë që paraqet përballja me zikaltrit që vjen në një moment delikat të sezonit për bardhezinjtë, por, ka siguruar, “ambienti është i qetë pavarësisht humbjeve”. Dhe më tej: “Unë kam besim, - ka shpjeguar tekniku i Juves, - sepse gjatë javës kemi punuar shumë mirë. Sigurisht, do të ndeshemi me Interin, por në fund për mua janë vetëm tri pikë”. Juventusi e ka përgatitur ndeshjen me dyer të mbyllura.

“Nuk ka patur asnjë sekret: mendoj se mund të na ketë shërbyer, duke punuar në mënyrë të qetë. Jo vetëm shtypi ka mbetur jashtë, por edhe familjarët dhe shokët”, ka pohuar Ferrara. Sot trajneri do të ketë në dispozicion edhe Felipe Melon. Në Kaljari, mesfushori brazilian ka qëndruar jashtë për shkak të një vendimi teknik. “Zgjedhja që kam bërë në Kaljari ka ardhur si pasojë e faktit se Felipe kishte luajtur shumë dhe kam preferuar ta lë pushim për një ndeshje. Ka patur disa probleme me fytin, por mund të luajë”.

Sfida e “Olimpikos” parashikon gjithashtu edhe sfidën midis teknikut napoletan dhe Hoze Mourinjos. “Jemi ndeshur për trofeun Tim në Peskara, - ka thënë Ferrara. - Do të jetë një kënaqësi e madhe të përballem me të dhe do të jetë gjithashtu një kënaqësi, shpresoj, ta mund”. Ndërkohë, ndeshja e sotme kërcënohet edhe nga koret raciste si ato që disa tifozë të Juventusit i kanë drejtuar kohët e fundit sulmuesit zikaltër Mario Baloteli.

Presidenti i Juves, Zhan Klod Blank, ka ftuar mbështetësit e “Zonjës së Vjetër” për të treguar stil dhe korrektësi në këtë eveniment. “Fjalët e Blankut pasqyrojnë stilin e klubit dhe tregojnë punën që po bën Juventusi në mënyrë që në çdo stadium aspekti më i rëndësishëm të mbetet ai sportiv. E di rëndësinë që ka publiku ynë dhe nuk është një tifozeri që krijon probleme. Do të më pëlqente që të përdorej ironia”, ka përfunduar Ferrara.