05 dhjetor 2009

Leonardo: Historinë tonë e shkruajmë vetë!

Trajneri kuqezi ka bërë të ditur se nuk do të mbështesë asnjë ekip në përballjen Juventus-Inter
Juventus‑Inter nuk do të jetë vendimtare për kampionatin e Milanit, edhe nëse zikaltrit do të humbisnin dhe kuqezinjtë do të afroheshin në renditje në rast se do të fitonin kundër Sampdorias. Ky është opinioni i teknikut të Milanit, Leonardo. “E vetmja gjë që është përcaktuese është loja jonë, të vazhdojmë kështu siç po luajmë. Vetëm ne mund ta shkruajmë historinë tonë në këtë sezon”, ka shtuar trajneri brazilian, që nuk i është përgjigjur në mënyrë direkte atyre që e kanë pyetur nëse do të bëjë tifo për bardhezinjtë.
“Diferenca në renditje nuk është shumë e madhe, rezultatet tona të fundit kanë qenë pozitive dhe të gjitha skuadrat janë afër njëra-tjetrës nga vendi i dytë tek i dhjeti”. Leonardo u ka bërë thirrje të gjithëve të bëjnë llogaritë në fundin e sezonit dhe të mendojnë më shumë për lojën që po tregon skuadra në këtë periudhë. “Interi nuk ka patur rënie, ka patur pak momente negative gjatë këtyre viteve, sepse është një skuadër solide, - ka vazhduar ai. - Ne kemi arritur gjithmonë të përmirësohemi. Qëllimi është të vazhdojmë të qëndrojmë tek grupi i skuadrave që luftojnë për objektivat e rëndësishëm”. Ndërkohë, sot në “San Siro” do të paraqitet Sampdoria: “Eshtë një skuadër që ka dëshirë të rikthehet tek fitorja, - ka thënë Leo, - ndaj do të jetë një ndeshje e vështirë”.
Më pas, tekniku i Milanit ka kërkuar të heqë vëmendjen nga çështja Gatuzo, pasi numri dy i kuqezinjve ka deklaruar, në lidhje me pakënaqësitë e mesfushorit, se “Milani nuk është një hotel”. “Unë dua që ai të qëndrojë. Kur do të rekuperojë nga dëmtimi do të diskutojmë për këtë çështje, por idea është që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim. Tani nuk mund të merret asnjë vendim, shpresoj që të kthehet shpejt”, ka thënë Leo. Ndërkohë, Silvio Berluskoni, ka patur më pak kontakte me Leonardon qëkur Milani ka filluar të fitojë rregullisht, duke arritur dhe vendin e dytë në kampionat.
Këtë e ka bërë të ditur vetë trajneri kuqezi në prag të ndeshjes me Sampin. “Presidenti komunikon me skuadrën vetëm në momentet e vështira, - ka shpjeguar tekniku brazilian. -Në fillim të sezonit merrte 2-3 herë në ditë në telefon. Tani është i qetë dhe i kënaqur. Por vazhdon të qëndrojë gjithmonë afër ekipit”.