12 dhjetor 2009

Fernando Torres heq dorë nga titulli

Nesër, Liverpuli pret Arsenalin, teksa sulmuesi spanjoll pranon dështimin sezonal të “të kuqëve”
Kur kanë mbetur edhe pesë muaj nga sezoni aktual, sulmuesi Fernando Torres i Liverpulit ka thënë se titulli i Premier Ligës është shumë larg për skuadrën e tyre. Kjo do ta bëjë edhe më të dhimbshme ndeshjen kundër Arsenalit për lojtarin spanjoll. Arsenali është në vend të tretë me tetë pikë më pak se Çelsi, por Liverpuli është në vend të shtatë me 12 pikë më pak. Liverpuli i dha lamtumirën Ligës së Kampionëve në mënyrë të shëmtuar duke u mundur 2-1 nga Fiorentina, duke humbur kështu dy objektivat kryesorë të sezonit.
Ajo që mbetet është Kupa e Federatës, Liga Europa dhe një vend në mesin e katër skuadrave më të mira në kampioant, me qëllim që të luajë vitin që vjen në Ligën e Kampionëve. “Jemi me të vërtetë shumë larg titullit, prandaj duhet të ndryshojmë objektivat tanë”, ka thënë Torres. “Duhet të përqendrohemi te Liga Europa dhe te kupa nëse duam të fitojmë diçka këtë sezon dhe sigurisht duhet të qëndrojmë në mesin e katër skuadrave më të mira në Premier Ligë.
Nëse do të jemi të bashkuar- lojtarë, trajnerë, drejtues të klubit- gjërat mund të shkojnë më mirë sepse i kemi aftësitë për të arritur objektivat dhe për të fituar trofe.” Torres e ka marrë veten pas dëmtimeve dhe pritet të japë kontributin e vet në kampionat, pas dy mujash mungesë. “Arsenali është duke bërë një sezon mjaft të mirë. Ata janë pranë kreut dhe luajnë me lojtarë të rinj të talentuar. Mentaliteti i trajnerit të tyre është shumë pozitiv, por ne do të luajmë në fushën tonë dhe me përkrahjen e tifozëve tanë mund të mundim këdo.” Torres, që u ble nga Liverpuli në vitin 2007, ende nuk ka fituar një titull me Liverpulin.
“Nëse fitojmë një trofe, do të ishte një sezon i mirë, domethënë arrijmë një objektiv. Liverpuli dhe tifozët e tij e meritojnë të jenë një një finale, qoftë në Angli a në Evropë, sepse kemi shumë kohë pa luajtur në një finale dhe pa fituar një trofe”, ka thënë Torres. Blerja e verës, Alberto Akuilani, i cili luajti për herë të parë si titullar kundër Fiorentinës, mund të luajë edhe kundër Arsenalit. Arsenali ndodhet në vështirësi në repartin sulmues dhe do të mbështetet te Arshavini. Sulmuesi rus kthehet kështu në stadiumin që i dha emër në Angli, pasi në muajin prill shënoi katër gola në barazimin 4-4, që u dha fund shpresave të Liverpulit për titull. Arshavini nuk e ka përsëritur më atë lojë aq të bukur si në “Anfield” dhe ndihet i frustruar.
“Nuk ka rëndësi se në cilin rol luaj, mjafton të luaj mirë”, ka thënë rusi i Arsenalit. “Disa herë unë luaj më mirë dhe jam i papërmbajtshëm, nuk e di pse herë të tjera jo. E rëndësishme është që skuadra po luan për kreun e renditjes dhe jam optimist. Do të kem kohë që të tregoj vlerat e mia”, ka shtuar ai. Në ndeshjet e sotme, Çelsi kryesues është në transfertë në fushën e Evertonit, kurse Mançester Junajtid i vendit të dytë pret Aston Vilën e vendit të pestë në një ndeshje të vështirë për kampionët e Anglisë.