22 dhjetor 2009

Felipe Melo i largohet Juves

Forma e dobët që po kalon mesfushori brazilian, ka bërë që drejtuesit bardhezi të mendojnë për ta shitur Felipe Melon, ndoshta që në merkaton e janarit.
Në takimin e humbur ndaj Katanias në fundjavë, braziliani u zëvendësua pas vetëm 32 minutash lojë, duke konfirmuar edhe një herë formën e dobët dhe prishjen përfundimtare të marrëdhënieve me trajnerin Çiro Ferrara.

“Krisja” midis teknikut dhe mesfushorit filloi që pas ndeshjes ndaj Bordosë në Ligën e Kampionëve, kur Melo deklaroi për “Tuttosport” se pozicioni që i ka caktuar Ferrara nuk është roli i tij natyral. Kjo deklaratë i kushtoi atij mosgrumbullimin për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Kaljarit.

“Zonja” pagoi plot 25 milion euro për ta marrë Felipe Melon nga Fiorentina në merkaton e verës. Tashmë drejtuesit e Juves duan ta shesin lojtarin dhe destinacioni i mundshëm duket se është Spanja dhe Anglia, ku Arsenali duket i interesuar ta bëjë të vetin brazilianin.