24 dhjetor 2009

Dunga reagon: Diego dhe Melo nuk preken

Trajneri i Brazilit ka dalë në mbrojtje të dy lojtarëve, të cilët janë kritikuar shumë kohët e fundit
Dielli i Porto Alegres shoqëron një Krishtlindje të përjetuar me nxitim. Vizita e përditshme tek babai, i sapo dalë nga spitali; dhuratat për fëmijët; programi, akoma që duhet përcaktuar, me Botërorin e Afrikës së Jugut, që po afrohet. Karlos Dunga, të paktën, për disa ditë nuk do të shikojë apo nuk do të regjistrojë më ndeshje futbolli. "Në muajin e fundit, - ka shpjeguar trajneri i kombëtares braziliane, - kam ndjekur të gjitha ndeshjet e Milanit. Leonardo po punon mirë. Dhe i ka rikthyer futbollit Ronaldinjon e vërtetë".
- Kampioni kuqezi shpreson të marrë pjesë në Botëror.
- Në telvizor kam parë Ronaldinjon të qeshë. Duket një detaj, por është një lajm i rëndësishëm. Dinjo bën diferencën kur është i lumtur. Për të topi është argëtim, jo një punë. E kam parë edhe të luftojë, të vrapojë, të ndjekë kundërshtarët. Sinjale shumë pozitive.
- Keni një mesazh për të?
- E ndjek. E pres. Dyert e Seleçaos nuk janë të mbyllura. Kam akoma gjashtë muaj kohë për të zgjedhur lojtarët. Ronadinjo duhet të vazhdojë kështu, duke kujtuar se në futboll nuk ka rëndësi e kaluara. Ka rëndësi vetëm e tashmja. Opinioni publik ka dëshirë ta shohë Dinjon në Afrikën e Jugut. Por kjo është normale: njerëzit bëjnë tifo për ata që qëndrojnë jashtë ekipit. Kjo ndodh edhe në Itali, apo jo? Kam lexuar se tifozët duan Totin dhe Kasanon.
- Edhe Pato ëndërron Afrikën e Jugut.
- Më përpara kam thënë se Pato mund të bëhej Ronaldo i ri. Kjo tregon sesa konsideratë kam unë për sulmuesin e Milanit. Por, duhet të gjejë vazhdimësinë. Natyrisht që po ndjek edhe atë.
- Golashënuesi më i mirë i Milanit ka përfunduar jashtë Seleçaos pas paraqitjeve zhgënjyese në Kupën e Konfederatave.
- Në atë turne nuk ka qenë Pato i vërtetë. E vërteta është se kur ndodhesh brenda kombëtares së Brazilit duhet të luftosh për të mbrojtur vendin tënd, sepse mbrapa ka shumë lojtarë cilësorë që janë në pritje.
- Tek Milani luan edhe Tiago Silva.
- Një lojtar i ri me kokën mbi shpatulla. Eshtë një talent i madh. Më pëlqen. Madje shumë.
- Tek Juventusi ka shpërthyer çështja Felipe Melo.
- Nuk e kuptoj. Pyes veten: Juventusi i njihte karakteristikat teknike të Felipes? Ai nuk është një organizator klasik. Tek Seleçao nuk ka gabuar asnjë ndeshje. Ferrara duhet të ketë besim tek Felipe. Duhet të flasë me të, duhet t’i shpjegojë se çfarë është Juventusi. Por, mesfushorë kaq të fortë nuk ka shumë nëpër botë.
- Edhe Diego ka marrë shumë kritika.
- Në Itali nuk ka ekuilibër në gjykimet që jepen. Pas muajit të parë në kampionat Diego është cilësuar Zidani i ri, ndërsa tani është një lojtar i zakonshëm. Diego nuk është Zidan dhe as Platini. Por edhe Platini e Zidan kanë patur nevojë për kohë për të kuptuar Serinë A, apo jo? Për të nxjerrë në pah cilësitë e tij më të mira Diego ka nevojë të luajë në një ekip që funksionon. Dhe, në këtë moment, Juventusi ka disa probleme.
- Ndërkohë, Interi ka filluar "arratisjen".
- Eshtë skuadra favorite për titullin dhe do të shkojë përpara edhe në Champions. Me lojtarë si Hulio Sezar, Maikon dhe Lusio mund të sfidosh gjithë botën. Ata janë fitues brenda vetes.
- Kakà nuk është përshtatur akoma tek Reali i Madridit.
- Ka thënë se akoma nuk po argëtohet. Asgjë për t’u shqetësuar. Janë probleme të vogla. Kakà është një kampion i vërtetë dhe është një njeri me vlera.