24 dhjetor 2009

Besa dhe Tirana në ngjitje, Dinamo konfirmon shenjat e krizës

Të enjten u mbyll java e 17-të e superligës, me tri ndeshjet e fundit, ndërkohë që tri të parat u luajtën një ditë më parë. Edhe kësaj here, pas humbjes shokuese në Peqin, 4-0, javën e kaluar, Dinamo ka zhgënjyer në lojën e saj. Madje, vetëm penalltia e diskutueshme, e kontestuar fuqishëm nga kurbinasit, e dhënë në minutën e 92-të të lojës, në kohën shtesë, nga gjyqtari Lorenc Jemini, e ka shpëtuar Dinamon nga humbja e dytë radhazi. Gjatë 90 minutave, kryesuesit e kampionatit janë shfaqur të mpirë, konfuzë në aksionet e tyre, me pasiguri të mëdha në prapavijë dhe me shumë pak rrezikshmëri në fazën offensive. Nga ana tjetër, Laci është paraqitur i zhdërvjellët, me kominacione të bukura dhe të sakta mes lojtarëve, duke dalë në kundërsulm mjaft rrezikshëm. E ka gjetur golin e epërsisë me sulmuesin e tij kryesor, Arlind Nora, në minutën e 12-të. Gjirokastriti i është vjedhur bukur mbrojtjes blu, duke shënuar një gol të zgjuar. Kur pritej që Dinamo të reagonte, ka ndodhur e kundërta. Eshtë Laci që vijon me lojën e tij, duke kundërsulmuar dhe vënë disa herë të tjera në rrezik serioz portierin Kotorri. Madje, vetëm mungesa e konkludimit i ka munguar skuadrës mike, për ta thelluar më tej rezultatin. Dinamo vijon të mos dalë në lojën e saj, repartet janë të shkëputura nga njëra-tjetra, ndërsa mbrojtja çahet pa problem nga sulmuesit kurbinas. Në radhët e Lacit spikat organizatori Emiljano Veliaj, ndërkohë që Nora e vë përherë në alarm prapavijën dinamovite. Trajneri Muca bën ndërrimet që i lejohen, duke përforcuar manvorën sulmuese, por nuk është dita e Dinamos. Loja shkon sipas “muzikës“ së Lacit, deri në minutën e 92-të, kur gjyqtari kryesor akordon një penallti të dyshimtë, e cila është kontestuar fuqishëm nga drejtuesit e Lacit. Madje presidenti Laska ka shfryrë fort ndaj dy zyrtarëve të FSHF-së, të pranishëm në këtë ndeshje, Ilir Shulkut dhe Hito Hitajt, duke qëlluar me shqelma stolin ku qëndronin ata. Kujtojmë se më përpara, kryesori Jemini kishte akorduar një tjetër penallti, por ishte anësori Qirici, ai që e anuloi atë, për pozicion jashtë loje. Përfundimisht, ndeshja Dinamo-Laci mbyllet në barazim 1-1, me një lojë tepër të dobët të kryesuesve të kampionatit, ndërsa nga ana tjetër, Laci u shfaq mjaft kompakt dhe i vendosur mirë në fushë, të cilit i iku, sipas tyre padrejtësisht, 3-pikëshi nga duart.
Në Kavajë, ndjekësja më e afërt e Dinamos, Besa, ka fituar minimalisht 1-0 ndaj Gramozit debutues në superligë. Ka qenë korcari Dhëmbi, i cili ka vulosur fatin e kësaj ndeshjeje në minutën e 14-të. Kolonjarët kanë bërë cmos për të barazuar, por këmbëngulja e vendasve dhe fusha tejet e keqe e stadiumit të Besës nuk i ka lënë skuadrat të bëjnë më shumë. Kujtojmë se për secilën skuadër ka patur nga një karton të kuq. Në fundin e pjesës së parë është ndëshkuar portieri Shehi, për Besën, ndërsa në pjesën e dytë Goshevski për Gramozin. Sidoqoftë, Besa ka marrë 3 pikë të arta, duke iu afruar edhe më Dinamos, pasi kjo e fundit u ndal me barazim në shtëpi me Lacin.
Në Durrës, Teuta e drejtuar nga Mirel Josa ka mundur 1-0 Shkumbinin. Goli i Hysenit, shënuar në limitin e pjesës së parë, ka mbetur i pandryshuar deri në fund. Ekuilibër në lojë, më sulme e kundërsulme nga të dyja palët, por që fatin e ndeshjes e ka përcaktuar ai gol i vetëm, që mban autorësinë e Hysenit. Tri pikë me shumë vlera për “djemtë e detit”, që pozicionohen në mesin e renditjes, duke e mbyllur vitin 2009 mjaft komodë.
Ndërkohë, kujtojmë se të mërkurën janë luajtur 3 ndeshjet e para të javës së 17-të të kampionatit të 71-të kombëtar të futbollit, superliga, turi i fundit për këtë vit. Kështu, ka luajtur Kastrioti me Tiranën, Apolonia me Skënderbeun dhe Vllaznia me Flamurtarin. Rezultatet e të cilave ishin vërtet surprizë, pasi nuk ka fituar dot asnjëra nga skuadrat vendase. Janë fiksuar dy barazime, në Fier dhe Shkodër, ndërkohë që kampionët në fuqi kanë triumfuar në Krujë, falë golit të të riut Hajdari, i cili ishte protagonist edhe në ndeshjen paraardhëse të bardhebluve, në fitoren 4-1 ndaj Apolonisë. Me këtë ritëm në dy javët e fundit, Tirana duket si një “ashensor” në ngjitje, duke u bërë kërcënim serioz edhe për Dinamon kryesuese, pavarësisht se diferenca është e ndjeshme. Fitorja në një transfertë të vështirë, si ajo e Krujës, ku Kastrioti vendas nuk fal kollaj, tregon se Tirana e ka rigjetur veten vërtet, me lojë dhe rezultat, duke e tejkaluar atë krizë.
Në Fier, Apolonia nuk ka shkuar dot më tej se një barazim 1-1 ndaj Skënderbeut. Skuadra korcare duket se është një “mace e zezë” për fierakët, sepse vetëm dy javë më parë i eliminoi nga Kupa e Shqipërisë, qysh në 1/16 finale. Golit të Haxhibulic, për Apoloninë, shënuar në fundin e pjesës së parë, i është kundërpërgjigjur Bledi Shkëmbi, që ka barazuar në minutën e 58-të, me anë të një penalltie. Pra, kjo ndeshje, përvec barazpeshës në rezultat, ka prodhuar edhe gola kapitenësh, por u ka shërbyer fare pak skuadrave për planet e tyre, natyrshëm edhe për renditjen. Kuptohet, pikë me vlera mund të konsiderohet për Skënderbeun, pasi luante në transfertë, ndaj një skuadrë të fortë dhe plot ambicie, ndërkohë që Apolonia duket në një rënie të lirë. Pas humbjes së thellë 4-1 në Tiranë, javën e shkuar, nuk shkon më shumë se barazimi 1-1 në shtëpi, me Skënderbeun.
Barazim dramatik ka marrë Vllaznia, në “Loro Borici”, në ndeshjen me Flamurtarin e Vlorës. Miqtë mund edhe të kishin fituar, nëse do të kishin edhe pak fat me vete, ndërkohë që Vllaznia e lë sërish veten të kundrohet e përfshirë në krizën e këtij edicioni. Kuqeblutë nuk kanë arritur dot ta shfrytëzojnë maksimalisht kalendarin, që u dhuronte dy ndeshje radhazi në shtëpi, në këtë fundviti. Kanë mundur 2-1 Teutën, në javën e 16-të, ndërkohë që nuk kanë shkuar dot më larg se barazimi 2-2 ndaj Flamurtarit. Ky barazim tregon se skuadra vlonjate po i “braktis” humbjet, duke dhënë shpresa për tjetër fytyrë në vijim të garës. Katër pikë në dy ndeshje për Flamurtarin (fitore me Gramozin dhe barazim me Vllazninë) nuk janë pak, edhe pse nevojat e skuadrës vlonjate duken alarmante, sepse noton në ujërat e ftohta të fundit të klasifikimit. Merkatoja e janarit duket si shpëtimi i të dyja skuadrave, Vllaznisë dhe Flamurtarit, që kanë konsumuar një fazë të parë kampionati gati të mjerueshme, shumë larg emrit dhe mundësive reale të tyre.
Më poshtë, në mënyrë telegrafike, ja edhe pasqyra e plotë e javës së 17-të të superligës.

KATEGORIA SUPERIORE JAVA 17 (23.12.2009)

APOLONIA – SKENDERBEU 1-1
KASTRIOTI - TIRANA 0-1
VLLAZNIA - FLAMURTARI 2-2

(24.12.2009)

BESA - GRAMOZI 1-0
DINAMO - LACI 1-1
TEUTA - SHKUMBINI 1-0