12 dhjetor 2009

Dinamon s’ka kush ta ndalë, Tirana bën “skifo” me Gramozin

Java e 14-të e superligës shqiptare nisi të shtunën e 12 dhjetorit, me 3 ndeshjet e para, ndërkohë që një ditë më pas, të dielën, do të luhen edhe 3 ndeshjet e tjera. Nga skuadrat e kreut, vetëm Tirana do të luante në shtëpi, ndërkohë që Dinamo, Besa dhe Apolonia kishin për të kaluar transferta të vështira. Konkretisht, Tirana priti në “Selman Stermasi“ Gramozin e Ersekës, në një ndeshje ku vlenin vetëm 3 pikët për bardheblutë. Por, edhe kolonjarët nuk do të vinin në kryeqytet për turizëm, por do të tentonin të mos dalin pa pikë, pasi vetë pozicioni në renditje ua kërkon me pahir këtë gjë. Dhe ka ndodhur ajo, që pakkush e mendonte. Tirana nuk ka shkuar më larg se një barazim 1-1, duke i zhgënjyer të gjithë, jo vetëm tifozët e saj, por edhe tërë dashamirësit e një gare sportive me rivalitet. Meritë për kolonjarët, që marrin një barazim historik ndaj bardhebluve, 24 herë kampionëve të vendit, në fushën e këtyre të fundit. Përfundimisht, skuadra e drejtuar nga Alban Tafaj i ka thënë lumtumirë titullit kampion për këtë edicion, edhe pse jo ende matematikisht, pasi diferenca me kreun, që mbahet nga Dinamo, është e madhe, plot 16 pikë. Pritej që, duke parë se rivalet e bardhebluve, Dinamo dhe Besa, luajnë në transfertë këtë javë, nuk do të ishte cudi që Tirana të rikuperonte diçka në renditje. Por ka qenë e kotë, sepse Dinamo nuk njeh kundërshtar në këtë kampionat. Ka luajtur në transfertë, me Teutën, por ka fituar pastër, 3-1, duke marrshuar pa asnjë problem drejt titullit kampion, deri tani pa e ditur akoma se çfarë është shija e humbjes.

Të shtunën, një tjetër kryesuese, e vendit të tretë, Apolonia e Fierit, luajti në transfertë, në Peqin, ndaj Shkumbinit vendas. Skualifikimi nga Kupa e Shqipërisë që në 1/16 finale, patjetër që do ta kishte rritur ngarkesën psikologjike te lojtarët fierakë. Gjë që u vu re edhe në fushën e lojës, ku pati thuajse një skuadër në fushë, Shkumbini, që fitoi bindshëm edhe me rezultat, 3-0. Në këtë mënyrë, Apolonia detyrohet të këmbëj vendet me Tiranën, duke zbritur vetë në vendin e katërt, me 1 pikë më pak se bardheblutë, që vijnë të tretët, pas Besës.

Të dielën, Besa e vendit të dytë do të luajë në transfertën e Lacit. Pikërisht aty ku tri javë më parë u mund edhe Tirana, ndaj vështirësia për kavajasit është e një shkalle të lartë. Forma e mirë që po kalon javët e fundit skuadra kurbinase, me fitore jo vetëm në shtëpi, por edhe jashtë fushe, si herën e fundit në Ersekë, janë paralajmërime të qarta për Besën e Shpëtim Duros, se nuk do ta kenë aspak të lehtë. Madje, edhe barazimi, nëse i referohemi së shkuarës së ndeshjeve të luajtura në Lac në këtë kampionat, mund të jetë një rezultat i dëshirueshëm për kavajasit. Megjithatë, nuk ka dyshim, të dyja skuadrat do të kërkojnë maksimumin, pra fitoren, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ishin brenda objektivit.

Në kryeqendrën e Veriut, në Shkodër, Vllaznia do të presë Kastriotin e Krujës. Kuqeblutë, pas një barazimi, të marrë fundjavën e shkuar në Fier, duket se i kanë “karikuar bateritë”, për të marrë fitore para tifozëve të vet. Në këtë synim kanë një pengesë, Kastriotin e Krujës, i cili ka demonstruar luhatje në këtë kampionat. Një derbi verior, mes dy skuadrave me traditë e histori të ndryshme, megjithatë fusha e lojës dhe aktualiteti duket se i përball në kushte të barabarta.

Flamurtari i Vlorës, në një situatë shumë kritike, i fundit në renditje, i dalë edhe jashtë Kupës së Shqipërisë, do të luajë të dielën një nga shumë finale, në përpjekjet e tij për të mbijetuar. Sepse kështu kanë rrjedhur ngjarjet në kampin vlonjat. Një “lab” do të ketë synime të kundërta me Flamurtarin këtë javë. Trajneri i Skënderbeut, Gerti Haxhiu, do të tentojë ta zërë “mat” skuadrën e vendlindjes së tij, në emër të profesionalizmit, që e ka dërguar deri në juglindje, për të drejtuar skuadrën korçare. Një humbje e Flamurtarit do të ishte mjaft ë rëndë, por edhe barazimi duket se nuk u bën punë kuqezinjve. Ndaj, 3 pikët, janë e vetmja rrugë për skuadrën e Gugash Maganit. Por, dëshira është tjetër dhe mundësitë janë të tjera, ndaj jo pak gjëra janë edhe në dorën e Skënderbeut, një skuadër simpatike, që kohët e fundit ka treguar pathyeshmëri në prapavijë.

Më poshtë, në mënyrë telegrafike, po pasqyrojmë përmes tabelave edhe ndeshjet e javës së 14-të të superligës dhe të kategorisë së parë, ndeshje të cilat përbëjnë fundjavën futbollistike në Shqipëri.

KATEGORIA SUPERIORE JAVA 14(12.12.2009)

TIRANA-GRAMOZI 1-1
SHKUMBINI-APOLLONIA 3-0
TEUTA-DINAMO 1-3

13.12.2009
LACI-BESA
FLAMURTARI-SKENDERBEU
VLLAZNIA-KASTRIOTI

KATEGORIA E PARE JAVA 14 (12.12.2009)

KAMZA-LUFTETARI 4-1
POGRADECI-BYLIS 1-3
LUSHNJA-SKRAPARI 6-0
ELBASANI-B.SPORT 2-1
MEMALIAJ-ADA 0-1
BURRELI-PARTIZANI 1-1
GRAMSHI-SOPOTI 3-0
TURBINA-BESELIDHJA 3-1