18 dhjetor 2009

De Rosi betohet: Përgjithmonë tek Roma

Pas rinovimit të kontratës së Totit ka ardhur një tjetër deklaratë për dashuri të përjetshme ndaj Romës. Daniele De Rosi ka konfirmuar lidhjen e tij të fortë me ngjyrat verdhekuqe: “Nuk do të largohesha kurrë nga Roma, - ka siguruar ai. - Do ta merrja në konsideratë këtë alternativë vetëm nëse klubi do të falimentonte. Do të ishte një gjë shumë e rëndësishme sikur ta mbyllnim vitin në vendin e katërt. Gjatë derbit Roma-Lacio, buzë fushës, ka qenë edhe një mik i ngushtë i imi romanist, ndoshta më shumë mik se romanist.
Ai më thotë gjithmonë se duhet të largohem, sepse meritoj të përjetoj emocione të ndryshme dhe të luaj ndeshje si Real-Barcelona apo Mançester-Liverpul. Në fundin e ndeshjes e kam takuar, nuk e dija as që ishte aty, jemi përqafuar dhe i kam thënë: ‘E shikon pse qëndroj këtu?’. Tani më në fund e ka kuptuar”. Në lidhje me derbin ka diçka që De Rosit nuk i ka pëlqyer: “Për dikë Lacio ka bërë një ndeshje të madhe… Po çfarë ndeshjeje? Kanë qenë 11 veta në mbrojtje dhe kanë gjuajtur vetëm një herë në portë”, ka thënë mesfushori i Romës.