18 dhjetor 2009

Atalanta kërkon të rikthejë Rekobën në A

Alvaro Rekoba, ish-lojtar i Interit dhe një nga të preferuarit e Moratit, i ka thënë lamtumirë Panioniosit. “Çino” dhe klubi i vogël i Athinës janë ndarë ditën e mërkurë, por dëshira për të luajtur futboll nuk i ka ikur uruguajanit: “Do të vendos shumë shpejt në lidhje me të ardhmen time, - ka thënë Rekoba. - Nuk jam larguar nga Panioniosi për dëmtimet e shumta, fizikisht jam mirë dhe kam shumë oferta. Do t’i vlerësoj me vëmendje sepse e ndiej se mund të luaj edhe për dy vite të tjera në nivel të lartë dhe nuk dua të gaboj.
Botërori? Mendoj se jam akoma në kohë. Nuk jam inferior ndaj askujt në pozicionin tim, por pas shumë problemesh detyra ime është t’i tregoj vlerat e mia në fushën e lojës”. Në Uruguaj skuadrat Penarol dhe Nacional duket se kanë nisur një ankand për të, ashtu siç nuk mungojnë ofertat nga Greqia, me Aris dhe PAOK në vendin e parë. Por gjatë ditëve të fundit në garë është futur edhe Atalanta. Skuadrës së Kontes, do t’i shërbente shumë një lojtar me klasin dhe eksperiencën e Rekobës dhe goditjet e tij të dënimit do të ishin një ndihmë e madhe për bergamaskët.