25 dhjetor 2009

Champions Liga zhvendos Serinë A

Nëse është akoma shpejt për ta konsideruar të fituar, beteja e Hoze Mourinjos të paktën ka filluar. Fjalët e teknikut portugez, që më shumë se një herë ka kërkuar në të kaluarën zhvillimin e ndeshjeve ditën e premte kur në mesjavë ka Champions Ligë, kanë arritur, nëpërmjet presidentit Masimo Morati deri tek drejtuesit e Serisë A që, për herë të parë, kanë vendosur ta marrin në konsideratë këtë propozim. Natyrisht, skuadrës së Interit i janë bashkuar dhe Fiorentina me Milanin.
Ajo që ka bindur drejtuesit e kampionatit italian për nevojën që ekziston për të zhvilluar takimet ditën e premte për skuadrat që luajnë në Champions ka qenë rreziku i humbjes së një skuadre italiane nga ky kompeticion në sezonin e ardhshëm. Në fakt, Gjermania po i afrohet rrezikshëm Italisë në renditjen e UEFA-s dhe një dështim i Interit, Milanit dhe Fiorentinës në Europë mund të bëjë që Seria A të përfaqësohet vetëm me tri skuadra në kompeticionin më të rëndësishëm europian. Një vendim përfundimtar në lidhje me këtë çështje pritet të merret shpejt pasi sfidat e Champions Ligës do të rifillojnë në muajin shkurt dhe kundërshtaret e italianeve nuk janë aspak të lehta.