25 dhjetor 2009

Lajme nga Kategoria Superiore e Shqiperise

Kastrioti bën lojën, Tirana golin

Kampionët kanë arritur që të fitojnë me vështirësi në Krujë duke i bërë një mbyllje dinjitoze 2009.
Dje, në takimin Kastrioti-Tirana, është zbatuar me përpikmëri ligji i pashkruar i futbollit se po nuk shënove do të pësosh. Me plot gojën ndeshja e djeshme mund të konsiderohet si përballja e rasteve të humbuara. Po t’i hedhësh një sy radiografisë së sfidës bindesh plotësisht për këtë fakt. Takimi është karakterizuar nga një "Fair- Play" nga të dyja skuadrat duke i dhënë ngjyra interesante lojës. Bukurisë së këtij takimi ja shtoi dhe gjykimi korrekt i treshes së gjyqtarëve me kryesor Albano Jankun, i cili nuk u kontestua për asnjë moment nga të pranishmit. Nisur nga rezultati i arritur në përfundim të ndeshjes të jepet përshtypja se skuadra krutane nuk ka zhvilluar një lojë me nivel por me atë që tregoi në fushën e lojës bindesh plotësisht se djemtë krutan kanë zhvilluar një ndeshje të kënaqshme, ku fati ishte ai që vendosi rezultatin përfundimtar. Rreth 2500 sportëdashës të pranishëm në stadium më tepër u zhgënjyen nga rezultati se sa nga loja e skuadrës së tyre. Miqtë nga kryeqyteti morën një tripikësh të artë dhe e shohin më me optimizim ndeshjet në vazhdim të kampionatit. Bardheblutë fituan falë kualiteteve dhe eksperiencës së tyre. Pjesa e parë u zhvillua e barabartë me nje epërsi të skuadrës vendase. Fragmenti i dytë është zhvilluar me një epërsi të skuadrës vendase që nuk reshti së e kërkuari golin duke e vënë disa herë në shënjestër portën e Tiranës. Duke parë intesitetin e lojës së krutanëve u duk se goli nuk do të vononte, por në realitet ndodhi e kundërta. I riu Hajdari me zgjuarsinë e tij diti të jetë efikas dhe i shpëton mbulimit të mbrojtjes në momentin e finalizimit, duke i dhuruar skuadrës së tij një fitore të merituar. Skuadra krutane ishte superiore në aspektin fizik duke qenë vazhdimisht kërcënuese ndaj kundërshtarit. Por loja e tyre çaloi në repartin e sulmit. Një rezultat i tillë ka rënduar disi pozitat e skuadrës krutane. Bilanc negativ në këto gjashtë javë të fazës së dytë të kampionatit në total (pesë humbje dhe vetëm një fitore, ajo ndaj Shkumbinit), është një tregues mjaft interesant se në merkato duhet ndërhyrë urgjentisht për forcimin e skuadrës me element cilësorë. Koha është e mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë në mënyrë që pjesa tjetër e sezonit ta gjejë Kastriotin akoma më solid. Periudha prej mëse një muajsh të shërbejë jo vetëm në forcimin e skuadrës me element cilësor por edhe në përgatitjen e grupit për ndeshjen mjaft të vështirë që do të luajnë në transfertë me "Ujqërit e Dëborës". Kastrioti i ka bërë një mbyllje si mos më keq fazës së parë. Ndërsa skuadra e Tiranës arriti që të marrë fitoren e dytë radhazi dhe nga ajo që tha dhe trajneri mik Tafaj në fund të ndeshjes, ekipi ka hyrë në shinat e duhura dhe deri në fund nuk është çudi që skuadra kryeqytetase të bëj ndonjë surprizë duke ditur që ndeshjen e parë të vitit do e luajë ndaj Dinamos.

Deklarojnë….
Asnjë nga drejtuesit e skuadrës krutane nuk u paraqit në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

Alban Tafaj, (trajner i Tiranës): Nuk kam përse ta fsheh, në Krujë morëm një tripikësh të artë dhe vinim në këtë sfidë pas një ndeshje shumë të mirë që kemi bërë në Tiranë me Apoloninë ku fituam dhe dominuam. Morëm tri pikë në sajë të kualiteteve që kemi në skuadër. E dominuam lojën në të gjitha drejtimet. Tashmë duhet mendojmë për ndeshjene radhës. Me ketë fitore dhe ritëm që ka ekipi im mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe ditë më të mira do të vijnë për Tiranën.
Të veçanta
‑ Ndeshja e djeshme është transmetuar nga paketa dixhitale Super Sport. Pavarësisht nga ky fakt kjo ndeshje u ndoq nga një numër i konsiderueshëm sportëdashësish.
‑ Sipas burimve pranë drejtuesve më të lartë të klubit, hyrja në stadium për sportdashësit krutanë ka qenë falas.
‑ Në ndeshjen e djeshme ra në sy grupimi i njohur "Tirana Fanatiks" që ishte vendosur në pjesën e veriperendimore të stadiumit.
‑ Mjaft personalitete të pranishëm në tribunën kryesore duke filluar që nga presidenca krutane dhe ajo mike që ndoqën këtë sfidë.

Apolonia, barazimi që kushton shtrenjtë

Korçarët kanë arritur të marrin një pikë me vlerë në Fier. Shënojnë të dy kapitenët e ekipeve
Një hap fals i Apolonisë në shtëpinë e vet dhe dy pikë mjaft të çmuara, të cilat do t’i kushtojnë shumë në objektivat që kjo skuadër ka. Fierakët nuk arrijnë të kalojnë dot një prej skuadrave më modeste të këtij kampionati, Skënderbeun, renditur momentalisht në vendet e fundit në renditje dhe që lufton për mbijetesë. Apolonia ka qarkulluar topin dhe vetëm kaq, pasi rastet për të kërkuar golin e fitores, kanë qenë fare të minimizuara, për të mos thënë që kanë munguar. Më tepër, fierakët kanë rrezikuar përmes goditjeve standarde. Në të dy rastet ka qenë kapiteni Haxhibuliç, i cili, në njërin rast ka shënuar dhe në goditjen tjetër ka goditur shtyllën traversale. Skuadrës së Likës i ka munguar harmoniteti dhe fantazia në organizimin e aksioneve sulmuese dhe futbollistët kanë punuar larg portës, të shkëputur nga njëri‑tjetri. Skënderbeu e ka merituar barazimin e marrë në Fier dhe ka bindur që nuk ka kaluar rastësisht në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë, duke pasur si kundërshtar pikërisht Apoloninë. Mungesa e mbrojtësve Ofoyen dhe Çela për shkak të dëmtimeve, e ka detyruar Likën që ta mbajë paksa të tërhequr mbrapa Kaçin. Fierakët kërkojnë të rrezikojnë duke kërkuar shërbimet e Haxhibuliçit dhe Brkiçit në sulm, po serbi ka qenë hija e vetvetes në këtë ndeshje. Në minutën e 40‑të, kapiteni do të godasë me saktësi një top që gjen rrjetën e Llapanjit dhe kalon në avantazh skuadrën fierake, duke pritur pjesën e dytë për të menduar dhe konsolidimin e këtij avantazhi. Por ndodh e kundërta. Apolonia vjen e tkurret në lojën e vet dhe korçarët rrisin pretendimet drejt gjetjes së barazimit. Futbolistët fierakë nuk e kanë freskinë e duhur fizike dhe ngjeshja e kampionatit ka bërë punën e vet. Gjithsesi, është Apolonia që e posedon më tepër topin, por pa qenë konkrete dhe duke e humbur gradualist rrezikshmërinë. Korçarët përfitojnë nga një pakujdesi e Ferizoviçit, teksa ndërhyn ndaj Djarmatit dhe kanë shënuar golin e barazimit me anë të kapitenit të tyre, Bledi Shkëmbi. Fierakët nuk mund të bëjnë më asgjë, as dy zëvendësimet e bëra nga trajneri Lika. Miqtë mbrohen mirë dhe, pse jo, ruajnë për të shfrytëzuar ndonjë gabim tjetër të mundshëm të fierakëve, për të rrëmbyer maksimumin e luksit nga ky takim. Megjithatë, vetëm barazim, i merituar ky për korçarët dhe i vështirë për Apoloninë, skuadër që është larguar edhe më nga Tirana e vendit të tretë. Nuk ka qenë kjo ndeshja e duhur për të mbyllur këtë vit futbollistik dhe fitorja tashmë është shndërruar në "qershizën e munguar mbi tortën e Vitit të Ri".

Deklarojnë…
Hasan Lika, trajner i Apolonisë: "Jemi futur në fushë për ta fituar këtë ndeshje. Pjesa e parë ka qenë e mirë për ne dhe kemi zhvilluar më shumë lojë, duke e konkretizuar me golin e avantazhit, por nuk kemi mundur ta ruajmë. Kemi gabuar me fillimin e pjesës së dytë dhe kundërshtari arrit ta barazonte rezultatin. Ndoshta duhej të kishim vepruar më mirë nga krahët, edhe me zgjedhjet e bëra. Megjithatë, le të jemi të ndërgjegjshëm, edhe lodhja ka bërë punën e vet, që ka ardhur si shkak i dendurisë tej mase të kampionatit. Mjafton të përmendim faktin se në 30 ditë kemi zhvilluar 9 ndeshje. Megjithatë, futbollistët kanë luajtur mirë, pavarësisht se nuk mundëm të fitonim."
Gerti Haxhiu, trajner i Skënderbeut: "Ka qenë një ndeshje e bukur e skuadrës sonë. Eshtë një barazim dhe një pikë e merituar nga ana jonë, pavarësisht se rrezikonim të mos udhëtonim fare drejt Fierit dhe kjo për një ngërç të krijuar në financa dhe jo për faj të presidencës. E dinim që transferta e Fierit do të ishte e vështirë dhe kjo u vërtetua. Sot dua t’u them një "Ju lumtë!?" të madhe futbollistëve, të cilët kanë treguar karakter në fushën e lojës dhe nuk është hera e parë që thyejnë tabunë e ndeshjeve të transfertës."

Të veçanta
- Golat e kësaj ndeshjeje janë shënuar nga kapitenët e skuadrave, Sead Haxhibuliç dhe Bledi Shkëmbi.
- Kapiteni i fierakëve ka shënuar plot katër gola në portën e Skënderbeut këtë edicion.
- Ndeshja e shtatë që Lika drejton skuadrën fierake në kampionat. Bilanci është: 2 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje, golaverazhi 9‑12, 8 pikë të grumbulluara.

Dinamo, për një mbyllje dinjitoze me Laçin

Sipas trajnerit Shkëlqim Muça, dinamovitët duhet të respektojnë dhe kërkojnë fitore me Laçint
Dinamo dhe Laçi do të përballen sot, në orën 13:30, në stadiumin "Qemal Stafa" në sfidën e javës së 17-të të kategorisë superiore. Dy ekipet në fjalë ndodhen në pozita të ndryshme, ku blutë kryeqytetas kryesojnë kampionatin në kuotën e 41 pikëve, ndërsa Laçi ndodhet në vendin e 7-të, me 20 pikë. Por pavarësisht faktorëve të ndryshëm, dinamovitët janë me këmbë në tokë, sidomos pas humbjes ndaj Shkumbinit një javë më parë, pritet kthesa ndaj bardhezinjve. Të njëjtën gjë kërkon edhe trajneri Shkëlqim Muça, i cili kërkon një mbyllje dinjitoze të vitit nga ana e futbollistëve të tij.
Mbyllja
"Laçi s’ka lidhje fare me atë që ka ndodhur me ne në Peqin, ndaj Shkumbinit. Laçi duhet respektuar nga ana jonë për atë mikpritje që na bëri më 3 tetor, në drejtim të fushës e të luftës sportive gjatë ndeshjes, e cila është zhvilluar brenda rregullave të futbollit. Kjo ndeshje nuk ka lidhje me ato që kanë ikur. Ne duhet të vazhdojmë punën tonë për të fituar dhe për t’i bërë një mbyllje të mirë këtij viti. Pse jo, edhe për të ruajtur këtë diferencë pikësh me ndjekësit."
Mësimi
"Çdo humbje lë pasoja psikologjike në skuadër. Por ne jemi përpjekur që këtë humbje ta shohim si një mësim për ndeshjet që do të vijnë, sepse kampionati do të ketë edhe sfida të tjera të vështira dhe terrene të vështira. Prandaj ne duhet të jemi të përgatitur për çdo gjë."
Laçi
"Unë pak e kam parë Laçin në këtë periudhë, megjithatë është një skuadër që duhet respektuar, sepse është mjaft luftarake, vendoset mirë dhe jep maksimumin në fushën e lojës. Mbi të gjitha, është ndër ato që skuadra, të cilat kur debutojnë në një kampionat mes më të mirëve të futbollit shqiptar, luajnë fort dhe kërkojnë edhe surpriza."
Bakaj
"Natyrisht që Bakaj e ka merituar atë titull, por ai është shprehur vetë se suksesi i tij është edhe pjesë e futbollistëve, apo dhe e stafit. Sepse në futboll sukseset janë gjithnjë pjesë e përbashkët e skuadrës. Ai ka vlerat e veta si futbollist, sepse po të mos i kishte këto vlera, atëherë nuk do të ishte më i miri në Shqipëri."
Rivalët
"Mua nuk më shqetësojnë rivalët, sepse jam i përgatitur edhe për fitoret, por edhe për humbjet. Edhe diferenca e pikëve nuk të lë të mendosh për ndjekësit. Sepse, që të jem koshient, unë nuk e kisha parashikuar që në gjysmë të kampionatit të isha kaq pikë larg nga ndjekësit. E po ta thoja këtë, do të isha hipokrit. Megjithatë, po ju them që, nëse do të ishte në vendin tim trajneri i Besës, apo i Tiranës, me këtë diferencë pikësh të gjithë do të ishin të kënaqur. Kemi bërë maksimumin, por kjo është arritur me punë, sepse pa punë nuk bëhet asgjë. Por kjo nuk është vetëm merita ime, por e të gjithëve. Eshtë merita e stafit, sepse unë punoj me staf, sepse jo vetëm fitoret, por edhe humbjet i përballojmë bashkë. Eshtë meritë dhe e drejtuesve, të cilët janë treguar korrektë. Pra, është punë e përbashkët, sepse ndahen përgjegjësitë. Askush nuk e merr qindpërqindëshin e përgjegjësive, sepse në skuadër secili ka pozicionin dhe rëndësinë e vet. Unë kam pozicionin e trajnerit, por pa impenjimin e futbollistëve, asgjë nuk mund të bëhet. Por pa korrektësinë e drejtuesve, pavarësisht impenjimit të trajnerit e futbollistëve, prishet gjithçka. Eshtë një zinxhir, ku hallkat janë lidhur fort dhe punohet për një qëllim të përbashkët. Kur këputet një hallkë, çdo gjë prishet. Duhet ta kuptoni mirë që shkallët e përgjegjësisë janë të ndara, kurse suksesi i përbashkët,"- citon trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça.

Futbolli me pushime, polemikat i lë pas

Java e 17-të e superiores, e fundit për 2009-n, solli disa surpriza, që e bëjnë më të bukur kampionatin
Dinamo është kampionia e dimrit. Një titull që e ka bërë të vetin javë më parë, duke qenë e shkëputur, madje me një distancë disi të thellë nga ndjekëset më të afërta. Dominimi i bluve në kampionat ka nisur që në javët e para, është bërë edhe më i dukshëm pas javës së 15-të, kur u arrit diferenca më e thellë më Besën. 14 pikë ishin shumë, madje u tha se kampionati është “vrarë” nga Dinamo, që sido që të gabonte, e kishte fituar titullin.
Ndryshe flasim pas javës së 17-të. Në dy javët e fundit, blutë e drejtuar nga Shkëlqim Muça nuk kanë mundur t’i marrin pikët të plota. Me keq se kaq, duhet t’i gëzohen pikës me Laçin në “Qemal Stafa”, për të shpresuar rikthimin në identitet në fund të janarit, kur të rinisë kampionati. Dinamo i meritonte komentet e para, sepse pavarësisht polemikave dhe akuzave ndaj gjyqtarëve për favorizimin e saj e ka merituar plotësisht vendin e parë. Me me 5, 10 apo 15 pikë më shumë, kjo mbetet për t’u diskutuar. Koha për të bërë analiza dhe komente është e gjatë. Topi do të ndalet një muaj, kohë që do t’u mjaftojë skuadrave për të zhvilluar minifazën e janarit si dhe për të ndërhyra në organikë. Tregu do të jetë i hapur për të gjithë aktorët e superiores. Në njëfarë mënyre gara do të jetë e hapur, por jo në fushën e blertë.

Laçi zbukuron kampionatin

Nëse para javës së 17-të flitej përballje që nuk do të kishte shumë histori, sigurisht që bëhet fjalë për takimin Dinamo-Laçi. Sepse blutë të drejtuar nga Shkëlqim Muça kishin pësuar humbjen e parë në kampionat me Shkumbinin e Peqinit në një terren, ku vetëm futboll nuk mund të luhej. Polemika mbeti e hapur: a duhej luajtur ajo ndeshje? Dinamo pësoi katër gola, si asnjëherë tjetër, por në media e duk e qetë, sikur të mos kishte ndodhur gjë. Diferenca më skuadrat e tjera mbeti sërish e thellë, ndërsa në javën pasuese i priste një takim thuajse i fituar në letër me Laçin.
Por nuk ishte aspak kështu. Dje, në “Qemal Stafa”, Dinamo nuk kishte asnjë lidhje me atë skuadër që ka kryesuar me meritë kampionatin. Apatike në fushë, pa dëshirë dhe forcë për të luftuar. Muça reagon nga pankinë, i thërret një e nga një thuajse të gjithë futbollistët, sikur të mos kishin qenë po këta përfaqësuesit e Dinamos në ndeshjet e mëparshme të kampionatit. Goli i Arlind Norës e shokoi më tepër Dinamon, që për minuta të tëra, me gjithë ndërrimet e bëra nga Muça, nuk njihte veten e saj. Nuk do të mjaftonin 90 minuta lojë për t’i shmangur polemikat. Një vendim i prerë i gjyqtarit Jemini, i cili akordoi një 11-metërsh të dyshimtë në minutën e dytë shtesë (i shndërruar në gol nga Sebino Plaku), ndezi “eksplozivin” e vetëpërmbajtjes së drejtuesve dhe tifozëve laçianë. Dinamo sërish e favorizuar nga “bluzat e zeza”? Tifozët në shkallët e stadiumit reagojnë dhe shikojnë siç u thotë zemra (për dinamovitët është 11-metërsh, ndërsa laçianët ndihen të tradhtuar nga Jemini), por fjalën e fundit do ta thotë moviola. Laçi, pavarësisht se nuk mori tripikëshin (ndoshta të mohuar padrejtësisht), por fitoi moralisht. Fitoi jo vetëm Laçi, por i gjithë kampionati shqiptar, që pritet të zhvillohet edhe më i bukur pas festave të fundvitit.

Besa-Tirana, dyshja që u “kërcet dhëmbët” bluve

Java e 17-të e kampionatit nisi me një fitore tepër të rëndësishme të Tiranës në transfertë me Kastriotin. Ajo Tiranë që mrekullisht i mori një pikë Besës në Kavajë, u tregua racionale, duke marrë makimumin, ndoshta jo plotësisht të merituar më atë që dhanë të dyja skuadrat në fushë. Më shumë rëndësi për bardeblutë kanë tri pikët, që e afruan disi me Dinamon e vendit të parë. Është ende herët për të thënë: Tirana i rikthye! Edhe atëherë kur është proklamuar me forcë Tirana kampione, bardheblutë kanë bërë hapin e gabuar të radhës. Nëse bën të paktën një herë tri fitore radhazi, mund të jesh pretendent. Tirana nuk e ka bërë këtë. Në takimin e parë të 2010-s presin Dinamon, kryesuesen e kampionatit. Gjithçka është hapur. Po i mposhtën blutë, futbollistët e trajnerit Tafaj mund të realizojnë fitoren e tretë radhazi. Që do të thotë se rikthehen vërtet pretendentë për titull. Fitorja e Tiranës u kompletua me suksesin shumë të vështirë të Besës në shtëpi me Gramozin. Fitorja është minimale dhe e vagët, por ndoshta i ka dhënë tripikëshin më me vlerë Besës. Diferenca me Dinamon është reduktuar 12 pikë, por me një ndeshje më pak. Sfida Skënderbeu-Besa, e shtyrë për shkak të terrenit të papërshtatshëm, mund t’i ndryshojë më tej pozitat në renditje. Jo sa i përket radhës, sepse Besa e ka siguruar tashmë vendin e dytë, por për t’iu afruar edhe tri pikë të tjera bluve. Dinamo do ta nisë 2010-n favorite, por sigurisht jo me komoditetin e dy javëve më parë.

Apolonia-Teuta, krijohet mesi i artë

Deri një javë më parë ishte shumë e vështirë t’i ndaje ndjekëset e vendit të parë nga skuadrat që luftojnë të mos bien nga kategoria. Nuk ekzistonte një grup skuadrash që as pretendojnë të dalin kampione apo të zënë një vend nderi dhe as kanë frikë nga fundi. Pas javës së 17-të ky grup i vogël është krijuar. Apolonia dhe Teuta kanë të njëjtën kuotë pikësh dhe mbajnë të njëjtën distancë prej katër pikësh si me ndjekëset (Shkumbini dhe Laçi, 21 pikë) dhe me pretendentët (Tirana 29 pikë). Mund të themi që janë skuadrat e mesit të artë, por që mund të kenë pozita të tjera në rast disfatash të njëpasnjëshme.

Vllaznia, humbësja e madhe e javës 17

Janë shtatë skuadra, ndër të cilat më të rrezikuarat Gramozi, Flamurtari dhe Skënderbeu) që për momentin kanë një qëllim të përbashkët: mosrënien nga kategoria. Vllaznia është “humbësja” më e madhe e javës së 17-të. Barazimi 2-2 me Flamurtarin në “Loro Boriçi” u konsiderua humbje, aq sa të merrej vendimi për shkarkimin e Roland Luçit, i cili bë javën e 5-të zëvendësoi Hasan Likën. Nëse Vllaznia do të tregohej me e saktë, do t’i ishte afruar më shumë mesit të artë. Shkodranët do të kenë kohën e mjaftueshme për të vënë dorën mbi plagë. Tregu i janarit dhe faza përgatitore kanë ardhur në momentin e duhur. I takon presidencës shkodrane të bëjë zgjedhjet e duhura.
Askush nuk e ka menduar që fituesi në fuqi i kupës, Flamurtari, sidomos pas atij starti mbrësëlënës me Tiranën në javën e parë, do të ishte në këto pozita. 15 pikë në 17 ndeshje, po aq sa Gramozi dhe Skënderbeu, të sapongjitur në kategorinë superiore. Tri skuadrat e fundit ndihen më të rrezikuara, por frika e madhe ekziston ende për Vllazninë, pse jo për Kastriotin, Shkumbinin dhe Laçin. Sezonin e kaluar dy emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, Elbasani dhe Partizani, iu bindën me hir a me pahir verdiktit të sezonit. Të njëjtin fat mund të ketë edhe Flamurtari, ndoshta edhe Vllaznia. Futbolli nuk luhet më me emra, por me këllqe.