19 dhjetor 2009

Çelsi vendos fatin e Xhianfranko Zolës

Uest Hemi në “krizë” pret Çelsin, ku trajneri italian shkëlqeu gjatë karrierës si futbollistXhianfranko Zola ka qenë i përkëdheluri i stadiumit “Stamford Bridge” gjatë karrierës së tij si lojtar i Çelsit, por trajneri italian duhet të fitojë tani zemrat e tifozëve të Uest Hemit. Transformimi i tij nga një lojtar i famshëm në një trajner i suksesshëm duket se është më e vështirë. Nesër ai do të ketë përballë Çelsin nën vëzhgimin e mijëra tifozëve në “Upton Park”, të cilët duket se po e humbin besimin te aftësitë e tij si trajner. Humbja 3-1 kundër Bolton Uonderersit të martën e ka futur në një situatë edhe më të rëndë Uest Hemin, që rrezikon të bjerë nga kategoria. Kalendari i këtij fundviti nuk i jep Zolës shumë arsye për të festuar
. Nesër është ndeshja kundër Çelsit kryesues, që të mërkurën iu kthye fitores pas disa rezultatesh jo aq të mira. Zola do të jetë përballë Ançelotit, atij që e detyroi të shkonte te Çelsi, pasi nuk i dha më shans që të qëndronte te Parma në vitin 1996. Çelsi i Ançelotit fitoi 2‑1 kundër Portsmuthit dhe tashmë ka tri pikë më shumë se Mançester Junajtid në krye të renditjes. Uest Hemi është në vendin e parafundit të tabelës me vetëm 3 fitore në 17 ndeshje në kampionat.
Ndihmësi i Zolës, Stiv Klark, i cili për shumë vite ka qenë numri dy edhe te Çelsi, i famshëm gjatë kohës së Mourinjos, është përpjekur ta largojë presionin nga Zola duke thënë se forma e dobët e skuadrës ishte përgjegjësi e tij. Zola duket se gëzon mbështetjen e ish-shokëve të tij të skuadrës te Çelsi, edhe pse nuk pret t’i bëjnë ndonjë dhuratë nesër. “Kam shumë respekt për Xhianfrankon dhe Klarkun dhe nuk do të doja të dëgjoja lajme të këqija për ta”, ka thënë Frank Lampard, i cili iu bashkua Çelsit në vitin 2001 pasi iku nga Uest Hemi. Lampard ishte autori i golit të fitores kundër Porsmuthit.
“Ata janë njerëz të shkëlqyer. Eshtë e vështirë kjo situatë për ta, por dihet që kjo është ligë e fortë”, ka shtuar ai. Zola, i cili zëvendësoi Alen Kurbishlein vitin që shkoi, nuk ka pasur fat as me dëmtimet e lojtarëve, pasi sulmuesi Karlton Kol i është dëmtuar, ndërkohë që edhe situata jo e mirë financiare e klubit i ka shtuar telashet. Megjithatë, Klark beson se ardhja e Çelsit në “Upton Park” mund t’u japë lojtarëve të Uest Hemit një shtytje pozitive. “Eshtë një ndeshje e madhe për ne. Askush nuk pret që ne të fitojmë, por ku i dihet futbollit?”, ka thënë Klark.
Duke qenë se Çelsi luan të dielën, kampionët e Mançester Junajtid mund të barazohen me pikë me ta, por megjithatë kanë një ndeshje të fortë në transfertë në fushën e Fulhemit, ku vjet u mundën 2-0. Fulhami, që u kualifikua për në fazën e mëtejshme të Ligës Europa këtë mesjavë, është mjaft e fortë në fushën e vet dhe Junajtid e ka të garantuar testin e fortë, jo si kundër Volverhemptonit, që aktivizoi skuadrën rezervë dhe ia lehtësoi punën Junajtid, që fitoi 3-0. Arsenali i vendit të tretë, me tetë pikë pas Çelsit, pret Hull Sitin në “Emirates” nesër, ndërsa Aston Vila pret Stok Sitin. Totenhemi i vendit të pestë, pas fitores 3-0 kundër Mançester Sitit, luan në fushën e Blekbërnit.