19 dhjetor 2009

Bordoja në krye, por Blanku nuk “ngopet”

Kampionët kryesojnë me gjashtë pikë avantazh, pavarësisht se trajneri pret më shumë
Trajneri i Zhirondinëve të Bordosë, Lorent Blank, u ka kërkuar lojtarëve të tij të japin më shumë në fushë, edhe pse Bordoja kryeson me gjashtë pikë më shumë se ndjekësit e saj në Ligën 1. Ndeshja e radhës për ta është ajo kundër Lorionit. Kampionët janë kualifikuar edhe për në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve dhe në gjashtë ndeshjet e fundit nuk kanë pësuar asnjë gol duke marrë pikë të plota. Ata kanë mundur edhe Olimpikun e Lionit edhe Montpeljenë rivale, por megjithatë Blank nuk është i kënaqur. “Nuk e meritonim fitoren kundër Montpeljesë”, ka thënë ish-kampioni i botës në vitin 1998, duke iu referuar fitores 1-0 të së mërkurës. “Mënyra se si luajtëm nuk reflekton aftësitë tona dhe disa lojtarë luajtën nën nivelin e tyre. Pres lojë më të mirë nga skuadra ime”, ka thënë Blank. Sidoqoftë, gjërat duken se po shkojnë mirë për Bordonë, ndërkohë që rivalët për titull, Marseja dhe Lioni, nuk kanë treguar diçka që mund të na bëjë të mendojmë se mund ta ndalin Bordonë në marshin e saj drejt titullit. Mbrojtësi Markus Planus i Bordosë ka pohuar se ata presin të kenë një ndeshje shumë të fortë kundër Lorionit, që është në mes të tabelës dhe u mund 2-1 të mërkurën nga Marseja. “Duhet të jemi shumë të fokusuar”, ka thënë Planus. “Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e komplikuar sepse Lorioni luan shumë mirë në transfertë.” Marseja, që ka gjashtë pikë më pak, do të luajë në transfertë kundër Sënt Etienit, dikur një skuadër e madhe, e cila ka shkarkuar trajnerin Alen Perrin dhe e ka zëvendësuar me ndihmësin e tij, Kristofe Galtier pas humbjes 3‑0 kundër PSG-së të dielën. Sënt Etieni, që ka fituar 10 tituj kampioni dhe ka shkuar në finale të Kupës së Europës në vitin 1976, është në vendin e tretë nga fundi. “E dua këtë skuadër dhe e di se kemi shumë lojtarë cilësorë”, ka deklaruar Galtier në një konferencë për shtyp. Montpeljeja, që ka qenë befasia e sezonit deri tani, e ringjitur në Ligën 1 këtë vit, është në vend të tretë me shtatë pikë pas Bordosë. Ajo luan sot kundër Nansisë.