17 dhjetor 2009

Bastet, lidhje me 9 vrasje të pazbardhura

Revista "Der Spiegel" shkruante se policia gjermane po heton edhe një seri të pazbardhur vrasjesh, të cilat mund të jenë të lidhura me skandalin më të madh të trukimit të ndeshjeve në Europë. Sipas së përjavshmes, ekzekutimet e tetë turqve dhe një greku në Gjermani, ndërmjet vitit 2000 dhe 2006, mund të kenë ardhur për shifra të mëdha parash të pashlyera, ose për marrëveshje manipulimesh të pazbatuara. Zyra e Policisë Kriminale (BKA) nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment rreth kësaj çështjeje. Ndërkohë, presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Teo Zvanziger ka deklaruar gjatë fundjavës që kaloi se asnjë prej skuadrave të Bundesligës dhe Ligës 2 nuk është e përfshirë në skandalin e trukimeve. "Me përgjegjësi të plotë dhe ndërgjegje të pastër mund të them se episodet që duhet të hetohen dhe të ndëshkohen lidhen me skuadra që militojnë në ligat e ulëta gjermane. Ato nuk kanë lidhje me skuadrat e kategorisë së parë dhe të dytë", deklaroi ai për agjencinë DPA. Edhe Reinhard Rauball, presidenti i Ligës së Futbollit (DFL) mbështeti deklaratat e Zvanziger, duke deklaruar se "Bundesliga nuk është prekur nga ky skandal".