17 dhjetor 2009

FLESH LAJME - Per futbollin dhe fudbollistet shqiptare..

Njëherë vjen vera nga dera

Sulmuesi më i spikatur i kampionit aktual, KF Prishtina, Astrit Fazliu, mezi pret që të zhvillojë ndeshjen miqësore të futbollit me 9 janar në Zvicër me skuadrën e Schaffhausenit, anëtare e ligës së dytë zvicerane si dhe të marrin pjesë në turneun ndërkombëtar në Winterthur që mbahet më 10 janar . Ai thotë se po përgatiten për këtë ndeshje miqësore dhe për turneun e Winterthurit. “Kemi mundësi të mira që të dëshmojmë veten dhe të gjejmë edhe rrugën që të depërtojmë në ndonjë klub cilësorë jashtë Kosovës”, ka thënë Fazliu. Thonë se njëherë vjen vera nga dera dhe këtë rast që e kanë në Zvicër do të përpiqen në maksimum të shfrytëzon çdo futbollistë i Prishtinës madje edhe vet Fazliu.

Hamdi Salihi shënon në Europa Leagua

Në Europa Leagua më tutje shkojnë: Anderlech, Ajax, Benfica, Everton, Valencia, Lille, Tel Aviv, Hamburger SV, Salzburg, Villareal, Fenerbahce e Twente.
Skuadra e Rapidit të Vjenës është eliminuar nga garat e Europa Leagua në futboll edhe me barazimin që ka luajtur 3:3 me skuadrën e Celticut nga Skocia. Kjo ndeshje është zhvilluar në kuadër të grupit C dhe ka qenë jashtëzakonisht intresante. Salihi ka shënuar golin e tij në minutën e 19-të për Rapidin dhe ka luajtur titullarë deri në minutën e 78-të. Intresant ka qenë edhe eliminimi i Dinamos nga Zagrebit nga Europa Leagua, e cila befasisht humbi në fushë të veten me shifrat 1:2 nga skuadra rumune, Timisiora. Mirëpo, sikur edhe të fitonte Dinamo asgjë nuk do t'i kryente punë, pasi rivali i saj Anderlech që ka ndihmës trajner Besnik Hasin, ka fituar si udhëtues me rezultat 3:1 kundër Ajaksit të njohur. Edhe skuadra e Genoas nga Italia është eliminuar, e cila ka humbur nga Valencia e Spanjës me rezultat 1:2 në kuadër të grupit B. Genoa bie nga Europa Leagua, ndërsa shkoi Valencia së bashku me Lillen që shënoi fitore 3:1 kundër Sllavisë. Në Europa Leagua më tutje shkojnë: Anderlech, Ajax, Benfica, Everton, Valencia, Lille, Tel Aviv, Hamburger SV, Salzburg, Villareal, Fenerbahce e Twente.

Lala, autografe për bamirësi

Altin Lala, edhe pse prej kohësh qëndron larg fushave të futbollit në Bundesligën gjermane, për shkak të një dëmtimi të rëndë, vazhdon të jetë personash në qytetin Hanoverit. Së bashku me disa prej shokëve të skuadrës, Arnold Brugink, Vinicius Bergantin dhe Steven Çerundolo, mesfushori shqiptar është shfaqur në një nga rrugët e qytetit, në stacionin kryesor të trenit ECE-Promenaden, ku kanë dhënë autografe në këmbim të mbledhjes së disa të hollave që më pas do të përdoreshin për bamirësi, për disa shoqata të fëmijëve. Sikurse është bërë e ditur dje, nga mediat gjermane, kjo nismë mblodhi 5 mijë euro, të cilat më pas iu dhuruan organizatave të fëmijëve "Suchtmobil" dhe "Kinderherz". Nisma ishte nën moton ora e autografeve "Stars4Kids" me disa prej futbollistëve profesionistë të Hanover 96.

Brus: Mungesa e Canës, një goditje e rëndë

Trajneri i Sandërlendit, Stiv Brus, ka pranuar se mungesa e kapitenit Lorik Cana për sfidën e së shtunës kundër Mançester Sitit është "një goditje e rëndë për skuadrën". Në takimin e humbur 2-0 në "Stadiumin e Dritës" përballë Aston Vilës, në minutën e 79, mesfushori shqiptar u largua nga fusha me karton të kuq pas një ndërhyrjeje ndaj Xhejms Milner (ishte ndëshkuar më parë me karton të verdhë në të 13-ën). Brus ka dalë në mbrojtje të 26-vjeçarit, duke akuzuar gjyqtarin e takimit, për vendimet e diskutueshme. "Vendimet e arbitrit në pjesën e parë ishin shumë të dobëta", tha Brus. "Në pjesën e dytë Cana vazhdoi të luante fortë, edhe pse e kishte një karton, por unë as që kam ndërmend t‘ia ndryshoj stilin e tij të fortë të lojës. Mungesa e kapitenit është një goditje e rëndë për ndeshjen me Sitin"

Shqipëria e 96-a, por -18 pozicione në një vit

Shqipëria ngjit dy vende në 31 ditë, por humbet 18 pozicione në 365 ditë. Ky është bilanci i Kombëtares së futbollit përkatësisht në muajin e fundit të vitit. Përfaqësuesja jonë u ngjit dy vende në klasifikimin botëror të FIFA-s për muajin dhjetor 2009, duke mbyllur vitin futbollistik në vendin e 96, me 336 pikë. Megjithatë ky sukses zbehet menjëherë, kur mendon se në krahasim me janarin e këtij viti, Kombëtarja jonë ka bërë 18 hapa pas. Në janar Shqipëria pozicionohej e 78-a në botë. Në renditjen e UEFA-s, përfaqësuesja jonë vazhdon të renditet në vendin e 42-të, midis Moldavisë dhe Armenisë. Ndeshja e fundit e Kombëtares ishte barazimi 0-0 me Estoninë në Talin, më 14 nëntor 2009. Përfaqësuesja jonë ndodhet në vazon e pestë për shortin e eliminatoreve të Euro 2012.

Dinamo, Tirana dhe Teuta, në garë për Vilën

Merkato e janarit mund të rikthejë Emiliano Vilën në kampionatin shqiptar. Mesfushori i talentuar, i transferuar me shumë bujë gjatë verës te Dinamo e Zagrebit, duket se ende nuk është ambientuar me elitën e futbollit kroat. Pasi e bleu nga Teuta për 300 mijë euro, skuadra e mirënjohur vendosi ta kalonte 22-vjeçarin te klubi "satelit" i NK Zagrebit. Pas një fillimi premtues të sezonit, lojtari i Kombëtares shqiptare humbi besimin e stafit teknik, që nuk i jepte asnjë mundësi aktivizimi, qoftë edhe si zëvendësues. Nga situata e vështirë që po kalon Vila, shpresojnë të përfitojnë tri klube të elitës së futbollit shqiptar. Bëhet fjalë për Dinamon, Tiranën por edhe Vllazninë që kanë filluar garën për huazimin e mesfushorit. Dinamo kërkon përforcime për një largim të mundshëm të Bakajt apo edhe Plakut, Tirana po vuan mungesën e lojtarëve cilësorë dhe shpreson që me disa afrime në janar të kapë vendin e dytë, ndërsa Teuta i ofron lojtarit ambientin ideal për të vazhduar rritjen e tij si profesionist. Por, problemi është se lojtari është mjaft i kushtueshëm dhe Dinamo e Zagrebit mund të pretendojë shifra të konsiderueshme për huazimin e tij.

Kristaq Mile, "viktima" e shtatë mes trajnerëve të Kategorisë Superiore

Trajneri shkarkohet nga Shkumbini pas humbjes 4-1 ndaj Kastriotit
Aventura e Kristaq Miles te Shkumbini ka arritur në finishin e saj. Ky ka qenë një nga verdiktet e javës së 15 të Kategorisë Superiore, të zhvilluar në mesjavë. Humbja e turpshme 4-1 në fushën e një rivali direkt për një vend në mesin e tabelës si ajo e djeshmja ndaj Kastriotit, ka bërë të humbasë durimi i drejtuesve të lartë të klubit peqinas, të cilët kanë marrë masën e shkarkimit nga detyra për trajnerin beratas. Kjo humbje nuk është përtypur dot nga klubi, i cili noton në ujërat e qeta të mesit të klasifikimit. Por disfata e së mërkurës në Krujë ka shkaktuar edhe rokadën mes dy skuadrave në tabelën e renditjes. Pas fitores 4-1, Kastrioti i ka rrëmbyer Shkumbinit vendin e gjashtë, pasi ka 19 pikë, një më shumë se peqinasit, që tashmë kanë përfunduar në vendin e shtatë me 18 pikë pas 15 javëve të para. Kristaq Mile u emërua në krye të kësaj skuadre pas javës së dytë të këtij sezoni, menjëherë pasi vendi ishte vakant pas largimit të trajnerit të atëhershëm, Gugash Maganit. Deri në atë moment (pas dy javëve të para të sezonit), Shkumbini kishte mundur të grumbullonte vetëm 1 pikë. Gjatë 13 ndeshjeve me Milen në krye, skuadra e qytetit të Peqinit ka grumbulluar 17 pikë të tjera. Bilanci i tij nën drejtimin e kësaj skuadre është: në 13 ndeshje, 6 humbje, 5 fitore, 2 barazime. Në një analizë më të hollësishme, është e dukshme ecuria negative e peqinasve në ndeshjet jashtë fushës së tyre, ndërkohë që krejt ndryshe mund të flitet për ndeshjet e luajtura në shtëpi. Në 13 ndeshjet që Mile ka udhëhequr Shkumbinin, ka marrë gjashtë fitore dhe një barazim në takimet e luajtura në shtëpi. Ndërsa problemi kryesor i tyre ka qenë transferta, ku në gjashtë ndeshje, kanë koleksionuar vetëm një rezultat pozitiv (barazimin 1-1 në Vlorë në javën e tetë) dhe pesë humbje. Vetëm pesë ditë më parë (në javën e 14) Shkumbini kishte arritur një fitore bindëse 3-0 me Apoloninë në Peqin. Por humbja 4-1 në Krujë dje ndaj Kastriotit ishte si një "rrufe në qiell të hapur", gjë që duket se ka pasur edhe ndikimin maksimal në vendimin e drejtuesve të lartë të peqinasve. Mile është trajneri i shtatë në këtë sezon, i cili largohet nga drejtimi i ekipeve të Kategorinë Superiore.

Vllaznia, emri s‘mjafton përballë Dinamos

Ashtu si ka ndodhur gjatë gjithë këtij sezoni, edhe sfida me Dinamon konfirmoi se Vllaznisë nuk i mjafton vetëm emri i madh për të grumbulluar pikë në kampionat. Edhe për shkak të mungesave të shumta, shkodranët janë shfaqur si një kundërshtar i lehtë për kryesuesit e Kategorisë Superiore, të cilët fituan 4-2 në përballjen e javës së 15. Heroi i ndeshjes për skuadrën e drejtuar nga Shkëlqim Muça ishte padyshim sulmuesi Fatjon Sefa, me tre golat e realizuar në portën kundërshtare. Në anën tjetër, shkodranët kanë qenë konkurrues vetëm për një pjesë loje, pasi në fraksionin e dytë të lojës ata u nënshtruan përpara superioritetit të dukshëm taktiko-teknik të bluve. Vetëm pas tetë minutave lojë, Dinamo kryesonte me rezultatin 2-0 falë golave të Sefës dhe Bakajt. Kjo krijoi idenë e një fitoreje të lehtë dhe solli lëshim në lojën e vendasve. Vllaznia përfiton nga përgjumja e skuadrës që po dominon kampionatin elitar dhe në harkun e 120 sekondave barazon shifrat me Rajoviç (23) dhe kapitenin Elvin Beqiri (25). Madje, kuqeblutë kanë pasur shansin të kalonin edhe në avantazh me talentin Bekim Bala, por ai ka shpërdorur përballë portierit Kotorri. Deri në pushimin mes pjesëve, edhe dinamovitët kanë kërkuar të shënojnë, pa qenë të saktë përpara portës. Fraksioni i dytë i lojës ka nisur njësoj si i pari, me sulme "vdekjeprurëse" të kryeqytetasve nga e djathta që në harkun e gjashtë minutave ka sjellë dy gola. Aksionet kanë qenë fotokopje e njëra-tjetrës: harkim i Allmuçës nga krahu dhe Sefa që kërcen më shumë se të gjithë, duke e dërguar topin në rrjetë. Me këtë fitore, Dinamo ngjitet në kuotën e 41 pikëve në 15 ndeshje, e tashmë Besa e vendit të dytë është 15 pikë larg.
Në ndeshjet e tjera të luajtura dje, Kastrioti ka shkatërruar Shkumbinin me shifrat 4-1. Kalari, Shala, Pema e Abazaj autorët e "pokerit" të krutanëve, ndërsa goli i Pashjas në të 38-ën shërbeu thjesht për statistikë. Një rrjetë që shkurtoi përkohësisht rezultatin në 2-1, duke rindezur më kot shpresat e peqinasve. Megjithatë, në pjesën e dytë, skuadra e Ramazan Ndreut tregoi forcën në fushën e saj. Apolonia fiton 2-0 me Laçin dhe rikthehet (përkohësisht) në vendin e tretë në klasifikim. Edhe pse kanë luajtur për afro 80 minuta në inferioritet numerik, pas kartonit të kuq të Kelmendit, fierakët kanë marrë tri pikë falë dygolëshit të Mlladen Brkiç. Fakti interesant është se sulmuesi serb ka shënuar në minutën 23 të secilës pjesë të lojës. Flamurtari kapitullon edhe në ndeshjen e luajtur në Durrës: vlonjatët e Maganit vazhdojnë të renditen në vendin e fundit. Për t‘u shënuar një penallti e humbur nga sulmuesi kuqezi Mema në pjesën e parë, ndërsa për Teutën, që vinte në këtë sfidë me shumë mungesa shënoi mbrojtësi Dushku. Gramozi fitoi 2-0 në derbin me Skënderbeun, duke i marrë kushërinjve më të famshëm vendin e 10 në Superiore. Oliveira dhe Rustemi ishin autorët e golave në pjesën e dytë, që kanë ardhur me goditje nga distanca e largët.