08 dhjetor 2009

Atletiko: Ndaj Portos për Ligën e Europës

Spanjollët synojnë vendin e tretë në grupin ku janë kualifikuar Çelsi dhe Porto
Sulmuesi Diego Forlan i Atletikos së Madridit ka këmbëngulur duke thënë se skuadra e tyre duhet të bëjë çmos që të fitojë kundër Portos dhe të arrijë të zërë një vend në Ligën Europa. Duke qenë se ëndrra për të vazhduar në Ligën e Kampionëve u shua prej kohësh, spanjollët tashmë synojnë të zënë një vend në kompeticionin tjetër. Ata kanë epërsi ndaj APOEL-it në garën për vendin e tretë, duke qenë se luajnë në fushën e tyre, kurse qipriotët në Londër kundër Çelsit. Atletiko ka gjithashtu një pikë më shumë se qipriotët.
Atletiko ka bilanc më të mirë se APOEL-i në ndeshjet e drejtpërdrejta pasi ka barazuar 0-0 në Spanjë dhe 1-1 në Qipro. Atletiko e ka nisur keq sezonin si në kampionatin spanjoll edhe në Evropë, por duket se janë duke shkuar në drejtim të duhur kohët e fundit. Në pesë ndeshjet e fundit të tyre në të gjitha kompeticionet, ata kanë mundur skuadrat e Marbelas, Espanjolit dhe të Kserezit, me golavarazhin 12‑0, kanë barazuar në transfertë kundër APOEL-it dhe janë mundur vetëm nga Deportivo La Korunja pas një penalltie të dyshimtë në kohë shtesë.
Fitorja 2-0 në transfertë kundër Kserezit e çoi Atletikon në vend të 13-të në kampionat dhe Forlan, autor i golit të parë, mendon se ai ishte rezultati i duhur para ndeshjes kundër Portos. “Na duhej fitorja, luajtëm mirë dhe i merituam pikët. Ishte e rëndësishme të merrnim pikë dhe të largoheshim nga fundi i renditjes. Ne nuk duam të jemi atje dhe na u desh të luanim shumë mirë që të fitonim”, ka thënë ai. Trajneri Sançez Flores ka përfshirë në formacion edhe mbrojtësin Alvaro Dominguez, që mori karton të kuq kundër Kserezit, por Tomas Ujfalushi, Raul Garsia, Roberto dhe Florent Sinama Pongole nuk do të luajnë.
Porto do të luajë pa interes për rezultatin, pasi është kualifikuar si skuadra e vendit të dytë në grup dhe nuk ka shanse që t’ia marrë vendin e parë Çelsit. Portugezët mund t’ia shtojnë telashet spanjollëve pasi i kanë mundur ata 2-0 në Portugali në muajin shtator, ndërkohë që vjet i eliminuan nga Liga e Kampionëve. Trajneri Hesualdo Ferreira do të ketë në skuadër sulmuesin Mariano Gonzalez pas skualifikimit, ndërkohë që rikthehet edhe mbrojtësi Miguel Lopes pas dëmtimit që e ka lënë jashtë fushës së gjelbër prej më shumë se dy muajsh.