08 dhjetor 2009

Juventus-Bajern, brenda apo jashtë?!

Italianët mund të kualifikohen edhe me barazimin ndaj bavarezëve, që s’kanë alternativë veç fitores

Bajerni i Mynihut ka përpara një detyrë mjaft të vështirë, atë të kualifikimit në Ligën e Kampionëve, por përballë ka italianët e Juventusit, të cilët duhet t’i mundë patjetër, edhe pse do t’i mungojë Frenk Riberi dhe Luka Toni. Juventusit i mjafton barazimi për të qenë pjesë e 16 skuadrave të kualifikuara. Bordoja e ka siguruar vendin e parë në grup me 13 pikë, pasi mundi dy javë më parë Juven 2-0. Juventusi është në vend të dytë me tetë pikë, i pasuar nga Bajerni me shtatë dhe Makabi me zero pikë në fund. Klaudio Markizio ishte shënuesi i golit të fitores 2-1 kundër Interit në Serinë A të shtunën. “Duhet të vazhdojmë në atë formë”, ka thënë mesfushori italian.

“Ne ia vështirësuam vetes punën pas humbjes kundër Bordosë dhe tani duhet të fitojmë kundër Bajernit jo vetëm për t’u kualifikuar, por për të treguar që fitorja kundër Interit nuk qe rastësi”, ka thënë Markizio. Xhorxhio Kielini nuk do të luajë pasi është i dëmtuar në pulpë dhe vendin e tij do ta zërë Nikola Legrotalie. Sulmuesi Vinçenco Jakuinta ende nuk e ka marrë veten plotësisht nga operacioni në gju.

Amauri, Alesandro Del Piero dhe Devid Trezege janë zgjedhjet e trajnerit Çiro Ferrara në sulm. Trezege ishte autor i dy golave të shënuar kundër Bajernit në vitin 2005, hera e fundit kur bavarezët kanë luajtur në Torino. Kjo ndeshje mund të jetë e fundit për Bufonin para operacionit të tij në menisk. Për Bajernin, Riberi ka nisur ditët e fundit të stërvitet, kurse Toni nuk do të luajë, sepse ka një grindje me trajnerin Luis van Gal.

“Synimi ynë ka qenë të arrijmë në fazën e dytë të Ligës së Kampionëve pas ndeshjeve në grupe. Shpresojmë ta realizojmë qëllimin tonë”, ka thënë Karl Hainc Rumenige. Mbrojtësi qendror i Bajernit, Van Bujten, do të luajë edhe pse është i dëmtuar në fytyrë pas goditjes me bërryl në ndeshjen kundër Mynshengladbahut, të premten. Juvja dhe Bajerni kanë barazuar 0‑0 në Mynih në shtator. Humbja e fundit e Juves në fushën e vet daton në vitin 2003, kur u mund 1-0 nga Deportivo La Korunja.