12 dhjetor 2009

Ançeloti “zgjedh” Mourinjon para Milanit

Trajneri i Çelsit preferon të shmang kuqezinjtë, por pranon: Interi është ekipi më i fortë në vazon 2

Karlo Ançeloti ndodhet mes Milanit dhe Interit, jo sepse ka ndonjë ofertë prej tyre, por sepse është duke pritur me ankth shortin e Ligës së Kampionëve për 1/8. Çelsi është ndër klubet më të forta të Evropës për momentin dhe e siguroi kualifikimin dy raunde para mbarimit të ndeshjeve në grup. Tani mund të përballet me Milanin ose me Interin, pasi Porto ka qenë në grupin e Çelsit në fazën e grupeve. Shorti do të hidhet të premten që vjen në Nion të Zvicrës. “Nuk kam preferenca, të bjerë kush të dojë”, ka pohuar ai.

‑ Adriano Galiani ka thënë: “Nuk e dua Ançelotin në 1/8″.

‑ Çelsi-Milan do të ishte një situatë shumë e veçantë për të dy ne.

‑ Ju nuk keni preferenca, por në zemrën tuaj e keni një dëshirë.

‑ Dihet fare mirë që nëse përballem me Milanin, ngarkesa emocionale do të jetë e veçantë.

‑ Atëherë çfarë mendoni për Interin?

‑ I vetmi problem me Interin është se nga pikëpamja teknike është skuadër e shkëlqyer. Mendoj se në mesin e skuadrave që zunë vendin e dytë në grupe është më e mira.

‑ Cilat janë mesazhet që ju vijnë nga Milano?

‑ Gjërat shkojnë mirë, kam biseduar me Leonardon, pasi përshëndetemi përherë para ndeshjeve. Kam biseda të shpeshta me të.

‑ A e prisni një përplasje mes jush?

‑ Sinqerisht do të doja të mos përplasesha në muajin shkurt me Leon në “Stamford Bridge”. Por nëse ndodh, nuk ka problem. Futbolli të vendos para situatave të tilla. I ka ndodhur edhe Kakasë, kur iu desh të luante kundër Milanit në fazën e grupeve.

‑ Milani nuk u mallëngjye aspak…

‑ Kundër Realit arriti rezultate fantastike, duke fituar në “Bernabeu”. I jashtëzakonshëm ishte edhe në Marsejë, pasi diti të imponohej kur nuk ishte aspak në nivelin e tanishëm. Ka treguar karakter pasi vuajti shumë në “San Siro”.

‑ Po Interi?

‑ Ka pasur vështirësi në fillim, më pas ia doli të futej në korsinë e sukseseve. E pashë ndeshjen e së mërkurës në Ligën e Kampionëve dhe mund të them që bëri një ndeshje shumë të mirë.

‑ A jeni edhe ju në grupin e ‘fansave të Balotelit’?

‑ Kundër Rubinit ishte vendimtar, luajti mirë edhe për skuadrën, modest dhe i palodhur. Eshtë pa dyshim talent i madh.

‑ I vështirë për t’u mbajtur nën kontroll?

‑ Eshtë një djalë i veçantë, por besoj që ka shumë mundësi që të përmirësohet, edhe si karakter. Eshtë shumë i ri.

‑ E patë Nestën? Duket shumë i ri edhe ai.

‑ Pas një viti pushim është kthyer fuqishëm. Mbetet ndër lojtarët më të mirë në qarkullim në rolin e vet. Eshtë një pasuri kombëtare.

‑ A jeni i befasuar nga rilindja e Ronaldinjos?

‑ Të them të drejtën jo. Dinjo ka gjetur vetveten, falë edhe sistemit të lojës së Leos, sistem që vë në pah aftësitë e tij dhe të Patos.

‑ Nëse Milani dhe Interi nuk përplasen me Çelsin, kë duhet të shpresojnë që të evitojnë?

‑ Në vazon e parë të gjitha skuadrat janë të forta. Ajo që ka më pak përvojë ndoshta është Arsenali, skuadër shumë e re. Ka humbur disa lojtarë që kur eliminoi Milanin dy vjet më parë. Në mesfushë është përherë Fabregas, por janë larguar Flamini e Hleb, lojtarë me peshë.

‑ Nëse Çelsi nuk përplaset me skuadrat milaneze?

‑ Në mesin e skuadrave që janë renditur të dytat shoh vetëm tri skuadra në nivelin e të parave: Milan, Inter dhe Bajern i Mynihut, të tjerat janë një shkallë më poshtë.

‑ Të martën ju barazoi Apoeli në minutat e fundit, 2-2 në “Stamford Bridge”.

‑ Rezultati nuk kishte rëndësi për klasifikimin, por jam zemëruar shumë pas ndeshjes.

‑ Lojtarët e Çelsit kanë thënë se nuk ju kishin parë kurrë aq të zemëruar.

‑ Mund të dalësh barazim, por duke luajtur mirë. Në pushim të ndeshjes u thashë lojtarëve të luanin bukur për të fituar, e dinin shumë mirë.

‑ Me të vërtetë nuk do të blini asnjë lojtar në janar?

‑ Jam i kënaqur me lojtarët që kam. Në janar është Kupa e Afrikës dhe Drogba, Mikel, Kalu dhe Esien nuk do të jenë në skuadër. Do të mungojnë për katër ndeshje të Premier Ligës, por kam lojtarë të mirë, premtues, si Borini dhe Kakuta. Kakuta, 18 vjeç, ishte më i miri në fushë kundër Apoelit.