12 dhjetor 2009

Ferrara: Nuk kam menduar kurrë të largohem

Pas skualifikimit në Champions, trajneri bardhezi del kundër kritikave: Në këto momente duhet të reagojmë

Skualifikimi nga Championsi “djeg” akoma në shtëpinë e Juventusit. Çiro Ferrara nuk kërkon justifikime, por as kërkon të trajtohet si njeriu kryesor i dështimit në Europë. Kështu, në prag të ndeshjes së sotme në kampionat kundër Barit të Venturës, trajneri bardhezi hidhet “në sulm”: “Njerëzit inteligjentë duhet të reagojnë dhe të gjithë jemi në gjendje t’u bëjmë ballë situatave të tilla, ‑ shpjegon Ferrara.

- E kam thënë gjithnjë, në të mirë e në të keq, duhet ecur përpara, të durojmë ato që janë kritika, të refuzojmë ato më të këqijat dhe të mos i pranojmë. Sa i takon pjesës tjetër gjithçka qëndron. Pas një skualifikimi nuk pretendojmë të vlerësohemi nga shtypi. Por as në periudhën e fillimit, pavarësisht se Juventusi fitoi katër ndeshje radhazi, nuk u fol për raste që iu lanë kundërshtarit”.

Ferrara duket nervoz në sallën e shtypit. “Ndeshjen e analizuam. Është e kotë të kthehemi aty. E dimë që jemi jashtë një kupe, që do të kishte qenë e vështirë edhe nëse do të kishim pasur mundësi ta kalonim turin. Me sa duket nuk bëmë atë që pritej, ndaj u skualifikuam. I mirëpresim kritikat, edhe ato “vrasëse”, dhe do të ecim përpara. Në këto momente duhet të reagojmë”. As ideja për të luajtur në Ligën e Europës nuk ia kthen humorin trajnerit bardhezi: “Do të kemi kohë ta vlerësojmë.

Tani objektivi ynë dhe mendja jonë janë në Bari dhe pastaj javën që vjen në Katania, duke shpresuar t”i fitojmë këto dy ndeshje”. Për sa i takon mundësisë së një shkarkimi të tij të mundshëm, Çiro është i qetë përballë klubit, që në këto ditë ka shprehur besim të plotë ndaj trajnerit. “Për këtë s’kisha dyshime, ‑ vijon Ferrara. - E kam thënë edhe në momente të tjera të vështira. E dimë shumë mirë që jam një trajner i ri dhe që kam nevojë të përmirësohem. E kuptoj që s’kam shumë kohë, ndaj duhet të rritem shpejt”.

Besimi vjen edhe nga skuadra, pavarësisht kritikave nga ana e tifozëve pas humbjes me Bajernin: “Mendoj që lojtarët janë të gjithë të ndërgjegjshëm se ç’do të thotë të luash te Juventusi, ‑ shton tekniku juventin. - Nuk është ky problemi. Secili prej nesh bën analizën e tij.

Kjo është e vërtetë, të gjithë jemi fajtorë. Jo se brazilianët janë më pak të përfshirë dhe nuk po flasim se duhet të rekuperojmë tri lojtarë. Nuk më duket e drejtë. Edhe ata duhet të përmirësohen, por duhet ta bëjmë të gjithë. Bari? Do të kemi përballë një skuadër të shpejtë dhe të mirë në fazën mbrojtëse. Kanë dy mungesa të rëndësishme si Ranokia e Parisi, por kanë një organizim që e lejon të jenë mes mbrojtjeve më të mira të kampionatit”.