15 dhjetor 2009

Ambrozini kundër modulit të ri të Leonardos


Pas humbjes me Palermon, kapiteni kuqezi, kërkon marrjen e masave: Për të fituar, duhet të ndryshojmë skemë
Skema 4-2-”fantazi”, që i pëlqen aq shumë Adriano Galianit, dështoi kundër Palermos me një humbje të papritur të Milanit të Leonardos kundër skuadrës së Delio Rosit, një rast i mirë për t’iu afruar Interit, i cili ndaloi në Bergamo me Atalantën, duke barazuar 1-1. Kundërshtarët morën masa ndaj modulit të ri të trajnerit brazilian, siç e nënvizoi pa asnjë problem Masimo Ambrozini: “Mund edhe të të shërbejë të humbasësh një ndeshje, -deklaroi kapiteni kuqezi.
- E kemi thënë edhe më parë që për të qëndruar në nivele të larta duhet të bëjmë gjithnjë diçka më shumë, duhet të përpiqemi gjithnjë të përmirësohemi, sepse gjërat e reja në fillim krijojnë shumë entuziazëm dhe shumë dëshirë. Por për të qëndruar në vendet e larta të renditjes, kemi nevojë për gjëra të tjera. Vetëm me gjëra të reja dhe entuziazëm nuk mund të fitohet kampionati”.
Mesfushori 32-vjeçari i Milanit vazhdon analizën e tij mbi sistemin e një loje ultra-sulmuese, duke synuar një burim më konkret për rotacionin: “Problemi është që te ky modul kemi tre sulmues dhe mund të luajë vetëm njëri, - shpjegon Ambrozini. - Në brendësi të një kampionati, mund të ketë edhe situata ku mund të ndryshojë moduli. Nuk është që mund të qëndrojmë të ndaluar vetëm te një skemë loje ose te një modul. Ky aktuali po jep frytet e veta, por ka akoma shumë ndeshje për t’u luajtur.
Duhet të dimë edhe të ndryshojmë”. Një këshillë e qartë për Leonardon kjo e kapitenit milanist. Sigurisht, pas dhjetë ndeshjesh radhazi me rezultate vetëm pozitive, një humbje edhe mund të qëndrojë, por reagimi i Ambrozinit është një sinjal i hapur se nëse gjërat nuk shkojnë, atëherë ka vend për ndryshim. Kjo mbetet për t’u parë në javën që vjen kundër Fiorentinës në Firence, një skuadër që luan futboll sulmues dhe për Milanin ky është një privilegj.