Pas shpërthimit të Juventusit, është para së gjithash një emër: ai i Millosh Krasiçit. Anësori i djathtë serb është bërë në më pak se një muaj idhulli i ri i tifozëve bardhezinj dhe përqafimi që i dhuruan këta të fundit në rastin e një daljeje të tij në publik, e ka bërë të ndihet i madh. “Jam i prekur, i falënderoj të gjithë, - tha serbi. - Në veçanti Juventusin, që më lejoi të përjetoj këtë ëndërr”. Del Neri e ka etiketuar vendimtar dhe Amaurin, duke bërë shaka, ka zbuluar se kërkon ta blejë për skuadrën “e tij” të futbollit.Dy mënyra të ndryshme për të thënë që Krasiç i ka bërë pikërisht për vete, pavarësisht se ka akoma probleme me gjuhën. Por atë të futbollit ama, e njeh mirë dhe me lojën e tij ka marrë për dore një skuadër që synon ta ringjisë në nivelet më të larta. Pikërisht ajo cilësi gjithnjë e kërkuar prej vitesh në shtëpinë bardhezi. Krahasimi me Nedvedin i ka shërbyer për ta paraqitur në Serinë A, por duket se Milloshi nga Kosovska Mitrovica, ka vendosur të shkëlqejë “yllin” e tij.
Nga: Beslind Dragusha