Lojtari i Juves do të paraqitet para gjykatës së drejtësisë në Romë për të justifikuar veprimin e tij
“Rikthimi i titujve? Federata Italiane e Futbollit do të pranojë vendimin e prokurorisë së federatës”. Presidenti i Federatës Italiane, Xhiankarlo Abete, u përgjigjet në këtë mënyrë pyetjeve në lidhje me kërkesën e Juventusit për të rimarrë titujt që i janë hequr, atë të 2005-ës dhe atë të 2006-ës, të cilët i janë dhënë Interit, në rast se do të vërtetohet korrektësia e punës së klubit bardhezi.
“Pozicioni i Federatës Italiane, - ka vazhduar Abete, - është i qartë që kur ka ardhur kërkesa e Juventusit. Që në atë kohë thashë se federata do ta pranonte vendimin e pavarur të prokurorisë, kundrejt së cilës ka besim të plotë. Në këtë moment nuk ekziston akoma një përgjigje. Mundësitë janë dy: e para është e lidhur me proçesin penal që po zhvillohet dhe e dyta, që na intereson ne, ka të bëjë me kërkesën e paraqitur nga Juventusi”.
MBROJTJA E KRASIÇIT - Do të jetë i pranishëm edhe Milos Krasiç sot në mëngjes në Romë para Gjykatës së Drejtësisë së Federatës Italiane. Për një herë fantazisti do të luajë në mbrojtje. Avokatët bardhezinj kanë vlerësuar se prezenca e serbit mund të ndihmojë në fshirjen e skualifikimit të lojtarit për dy ndeshje. Lojtari do të kërkojë të provojë se veprimi i tij nuk ka qenë i qëllimshëm por instiktiv:hedhja në zonën e rreptësisë të Bolonjës ka qenë mënyra e vetme për të shmangur përplasjen me Portanovën.
E njëjta teori që është mbështetur nga Del Neri dhe Marota në përfundim të ndeshjes. Përveç kontestimit të këtij “rregulli të padrejtë”, siç e ka përcaktuar drejtori i përgjithshëm i Juves - nëse arbitri do ta kishte parë lojtari do të kishte marrë vetëm një karton të verdhë, me provën televizive është skualifikuar për dy ndeshje - avokatët e Juventusit do të paraqesin imazhet e të paktën tri goditjeve të tjera të marra nga Krasiçi para episodit kryesor.
Prezenca e Krasiçit në Romë do të jetë e shkurtër, sepse në mesditë lojtari duhet të jetë në Vinovo në stërvitje me skuadrën. Drejtuesit bardhezinj besojnë që nga Roma të kthehet një lojtar më shumë për Del Nerin.
MARTINEZ NE VEND TE KRASIÇIT - Kur kanë mbetur vetëm 24 orë nga Milan-Juventus, populli bardhezi duket shumë i shpërqendruar. Flitet shumë për tituj që duhen rikthyer dhe për skualifikime që duhen shfuqizuar, me rrezikun e madh që sfida e rëndësishme e “San Siros” të kalojë në plan të dytë. Dhe gjërat janë komplikuar akoma më shumë nga dëmtimet e shumta, që kanë goditur skuadrën bardhezi.
Me shtatë lojtarë në infermieri (Bufon, Traore, Rinaudo, Grigera, Lanxafame, Amauri dhe Iakuinta), zgjedhjet e trajnerit do të jenë të detyruara. Në mbrojtje lojtarët janë të pakët, sulmi është i përgjysmuar. Dje në mëngjes Amauri është rikthyer të vrapojë, por për ta riparë në fushë do të duhen të paktën dhjetë ditë. Ndërsa, Iakuinta ka punuar në palestër (ashtu si Sisoko), koha e tij e rekuperimit nuk është akoma e qartë.
Del Neri ka punuar për skuadrën anti-Milan, duke përgatitur një formacion pa Krasiçin. Në vendin e tij trajneri ka provuar Martinezin. Alternativa ndaj uruguajanit mund të jetë Pepe, duke parë se në krahun e majtë duhet të konfirmohet Markizio. Mesfusha do t’i besohet sërish dyshes Akuilani-Melo. Në sulm Del Piero dhe Kualjarela janë dy sulmuesit e vetëm në dispozicion.