Presidenti zikaltër replikon ndaj numrit një bardhezi: Ai vazhdon të ndjekë politikën e vjetër
Dy ditë pas kërkesës së Andrea Anjelit, që ka thënë se kërkon t’i dorëzohen titujt e hequr të Juventusit në 2005-ën dhe 2006-ën, vjen dhe përgjigja e Masimo Moratit. “Juventusi ka politikën e tij, kur ne të hyjmë në rendin e ideve të tyre, atëherë do të kërkojmë edhe ne titujt që na mungojnë në të shkuarën, - replikoi presidenti zikaltër, duke iu referuar titujve të vitit 1998-të dhe 2002. - Juventusi ka zgjedhur këtë politikë dhe nuk ka asnjë kritikë për të bërë.
Nuk ndryshon asgjë me Andrea Anjelin në aspektin personal, vetëm se kuptojmë çfarë politike kanë zgjedhur: ndodh që njëri është komunist dhe tjetri fashist, por mund të jemi sërish miq”. Ndërkohë sot është Milan-Juventus dhe Morati zgjedh të mos e teprojë: “Milani ka më shumë pikë dhe zakonisht bëhet tifo për skuadrën që ka më pak, por në këto momente jemi pak indiferentë nëse fiton njëri apo tjetri”.
Merkatoja si çdo vit, nuk ka munguar mes temave të propozuara për presidentin:
“Një sulmues? Edhe unë këtë verë isha i bindur që mund të na shërbente nëse do të blinim ndonjë më shumë, para së gjithash për arsye të sigurisë numerike, - përgjigjet Morati. - Në absolut Eto dhe Milito gëzojnë stimulin tim total, por ai që drejton skuadrën, Benitezi, më ka bindur me të drejtë që nuk ishte prioritet, që më shumë do ta na nevojitej një lojtar në një repart tjetër.
Dhe ne me të drejtë në atë pikë, pritëm që ai futbollist mund të jetë Koutinjo: për atë që djaloshi ka ditur të bëjë, me vazhdimësi, në ndeshjen me Sampdorian, besoj se ishte një zgjedhje e duhur”. Por në merkaton e dimrit, gjithçka mund të ndodhë: “Nëse pastaj në janar, do të ketë mundësi interesante do ta marrim në konsideratë, - vazhdon Morati. - Në këtë rast, nuk mund të tërhiqem asnjëherë prapa…”.
Morati në fund njofton edhe rinovimin e kontratës me Uezli Shnejderin, që do të qëndrojë zikaltër deri në 2015-ën dhe pastaj i uron të fitojë “Topin e Artë”: “Të gjithë janë të lirë të thonë se duhet ta fitojë dikush tjetër, por më duket shumë e qartë që i takon Shnejderit, duke parë që e udhëhoqi Interin vitin e shkuar dhe arriti në finale të Botërorit”.