Braziliani, kundër bardhezinjve, do të luajë ndeshjen e tij numër 100: Do të jetë një sfidë e veçantë
Tetë centimetra dhe tetë kile më shumë në krahasim me ditën e transferimit të tij në Itali. Dhe nuk i mjafton: “Dua të rritem akoma”. Sepse kur të rritet Pato do të bëjë qendërsulmuesin, dhe kjo nuk mund të bëhet pa muskuj dhe shtatlartësi. Një e veçantë e vogël: të përmbledhur në ato centimetra dhe kile diferencë (nga 172 cm në 180 cm, nga 71 kg në 79 kg) janë 45 gola në 99 ndeshje.
Ndoshta kështu është rritur, duke e çuar topin në rrjetë deri sa ka arritur një mesatare të jashtëzakonshme. Të shtunën Pato do të luajë ndeshjen e tij numër 100 me fanellën e Milanit. Dhe nuk mund të jetë si gjithë të tjerat. “Do të jetë një ndeshje e veçantë dhe një arritje e rëndësishme. Jam i lumtur që bëj pjesë në historinë e Milanit. Dhe jam i lumtur që jam këtu, sepse këtu jeta ime është perfekte. Dua të fitoj. Dhe jam i sigurt se me këtë fanellë do t’ia dal mbanë”.
- Pato, si po shkon “transferimi” nga krahu në qendër të sulmit? Ndonjë preferencë?
- Sinqerisht, mua më intereson vetëm të luaj. Sulmues i parë, i dytë ose në krah për mua nuk është një problem. Jam i përgatitur të bëj gjithçka, më pëlqejnë të gjithë pozicionet e sulmit.
- Të shtunën me Juventusin do të luani ndeshjen e 100-të me Milanin”, ndonjë dëshirë të veçantë?
- E kam të qartë: të shënoj gol dhe të ndihmoj Milanin të fitojë. - Milani historikisht është një “koloni” braziliane: ju keni dhënë ndihmën tuaj?
- Sigurisht. Më pas, shokët e tjerë të skuadrës janë të gjithë të lumtur që na kanë në ekip, sepse punojmë shumë dhe kemi një mentalitet fituesi. Ndërsa Alegri është një teknik që të stimulon sepse flet shumë, dhe me të gjithë. Jam ndier me të vërtet mirë me të tre trajnerët. Natyrisht Ançeloti është ai që më ka kërkuar, që ka besuar i pari tek unë.
- Ashtu siç besoni dhe ju te Milani. Do të jetë një marrëdhënie e gjatë kjo e juaja me kuqezinjtë?
- Eshtë Milani që vendos, unë punoj për këtë klub, që është shtëpia ime dhe mendimi im i vetëm. Nëse do të ma kërkonin mund të vendos ta kaloj të gjithë karrierën time këtu, pse jo…
- Po nëse vitin tjetër do t’iu “dhuronin” Kakanë?
- Më parë duhet të kuptojmë se si do të rrjedhin ngjarjet. Por është e qartë se do të isha i lumtur, është një kampion i madh dhe një mik i ngushtë.
- Ibrahimoviç zemërohet shpesh me ju gjatë ndeshjes: si reagoni?
- Eshtë pjesë e futbollit, nuk më bezdis. Ai e ndihmon shumë skuadrën, mban topin dhe jep pasime të mrekullueshme.
- Për ju thuhet shpesh se keni ulje dhe ngritje, pse ndodh kjo?
- Në të vërtet janë vetëm dy ndeshje që nuk shënoj. Kam shënuar tre gola me kombëtaren, katër me Milanin pavarësisht se kam qëndruar jashtë për shkak të një dëmtimi. Nuk mund të shënoj gjithmonë. Nuk është vetëm spektakli. Unë nuk jam i fiksuar me golin, më intereson më shumë të ndihmoj skuadrën të fitojë.
- Berluskoni për ju ka shpenzuar 22 milionë euro: një investim i rëndësishëm për një djalosh 17-vjeçar.
Çfarë marrëdhënie keni me presidentin?
- E takoj me kënaqësi kur vjen në Milanelo ose në stadium. Dhe jam i kënaqur kur flet mirë për mua. Mund të them se është një marrëdhënie e mirë pune.
- Të flasim pak për jetën private: keni ndonjë të fejuar apo jo?
- Në këtë moment jam një beqar i lumtur. Kur kam ardhur këtu isha një fëmi, tani jam burrë. Tani e flas mirë gjuhën, lëviz me makinë vetëm, ndërsa në fillim kisha një njeri që më shoqëronte kudo. Në Milano kam miqtë, por jeta ime është gjithmonë e njëjtë: stërvitem, kthehem në shtëpi dhe në mëngjes jam përsëri në Milanelo. Ha këtu, bëj gjithçka këtu.
- Çfarë do t’i jepje Italisë nga Brazili?
- Në Brazil banoja poshtë stadiumit, jeta ime ishte vetëm futboll, nuk kam patur mundësinë të njoh asgjë. Këtu ka gjithçka, nuk më mungon asgjë. Më pas, Porto Alegre i ngjan pak Milanos.
- Luani akoma bouling?
- Po, por më pak nga sa bëja më parë. Jam përmirësuar shumë dhe askush nuk dëshiron të luajë me mua…
- Sa miq të vërtetë keni jashtë futbollit?
- Një, të ndershëm dhe besnik. Por fatmirësisht këtu në Itali nuk kam takuar asnjëherë njerëz që kanë kërkuar të përfitojnë nga fama ime.
- Çfarë këshillash do t’i jepnit Koutinjos?
- Mund t’i them të vazhdojë kështu, po bën një punë të mirë dhe do të ketë sukses me Interin.
Ronaldinjo nuk stërvitet në Milanelo
Përgatitjet e kuqezinjve për ndeshjen e madhe të së shtunës po vazhdojnë me disa probleme më shumë në krahasim me ditët e kaluara: Tiago Silva, që po rekuperon nga dëmtimi në kavilje, nuk është stërvitur me shokët dhe dje ka punuar në palestër.
Ndërsa, nuk është stërvitur për asnjë minutë Ronaldinjo, i lënë pushim. Eshtë rekuperuar kapiteni Ambrozini, i cili do ta nisë ndeshjen nga stoli. Edhe Antonini është drejt rekuperimit pas dëmtimit të marrë në Napoli. Të vetmit që nuk janë në dispozicion të skuadrës janë Zambrota dhe Abate.
Robinjo kërkon të fitojë gjithçka
“Më kanë shpjeguar se ndeshja me Juventusin është më e rëndësishmja, më vjen keq për ata, por mentaliteti ynë është që të fitojmë gjithçka: do të jetë një ndeshje e vështirë, por po stëvitemi për të bërë një paraqitje të mirë”.
Këto kanë qenë fjalët e Robinjos në pritje të supersfidës së “San Siros”. “Nëse trajneri më kërkon të luaj si mesfushor i avancuar unë nuk kam asnjë problem. Endrra ime është të fitoj Ligën e Kampionëve me fanellën e Milanit, Serinë A dhe Botërorin që do të zhvillohet në Brazil”, ka thënë sulmuesi brazilian.