30 tetor 2010

Alegri i druhet Juves: Kanë krenari

Tekniku i Milanit, Masimiliano Alegri parashikon një sfidë të ashpër kundër Juventusit të shtunën mbrëma në “San Siro”: “Ka për të qenë tepër e vështirë”.
Trajneri livornez nuk i beson parashikimeve që e shohin favorit ekipin e tij në përballjen kryesore të javës së nëntë në kampionatin italian. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi ata do të synojnë të na vënë në vështirësi. Do na mbyllin hapësirat duke u organizuar mirë në mbrojtje. Vijnë nga një javë e vështirë, prandaj do kërkojnë maksimumin nga ky takim”, u shpreh kreu i stolit kuqezi në konferencën e sotme për shtyp.

Alegri i trembet sidomos krenarisë bardhezi: “Një grup i mirë lojtarësh japin gjithnjë më të mirën në momente të vështira”. Megjithatë, ai pret një paraqitje më të mirë nga lojtarët e tij në krahasim me takimet e kaluara. “Gjithnjë duhet të luajmë më mirë se ndeshjet e mëparshme”, theksoi Alegri, i cili duhet të mendojë ndërkaq edhe për sfidën e mesjavës me Realin e Madridit në Ligën e Kampionëve.

“Të sigurt e kanë vendin në formacion vetëm Abiati, Nesta, Pirlo dhe Ibrahimoviçi. Kam dyshime për krahun e majtë të mbrojtjes, ku janë tre alternativa: Odo, Abate dhe Bonera. Për Tiago Silvën do të vendosim pas stërvitjes së sotme: nëse është mirë, do të luajë. Në të kundërt, do ta kemi gati për Realin”, sqaroi tekniku i Milanit, Masimiliano Alegri.