Mesfushori i Juves ka karikuar skuadrën e tij para përballjes me Milanin
Sot në mbrëmje në “Meaca” do të zhvillohet supersfida e javës së 9-të të Serisë A dhe në lidhje me këtë përballje ka folur një nga protagonistët e mundshëm, mesfushori i bardhezinjve, Akuilani. Ish-lojtari i Liverpulit është kthyer në Itali dhe pas disa vështirësive në fillim duket se ka rigjetur formën e tij më të mirë:
“Jam i kënaqur. Kur kam ardhur te Juvja isha mirë fizikisht dhe natyrisht nuk isha i gëzuar kur qëndroja në stol: doja të luaja, si të gjithë, - ka shpjeguar mesfushori roman, - nuk e di se çfarë ka ndryshuar. Ndoshta kur kam ardhur, në prag të ndeshjes së parë të kampionatit, skuadra kishte krijuar një ide për lojën që duhej të zhvillonte. Luaj më shumë si mesfushor, por më parë mendoja më shumë për fazën sulmuese.
Tani duhet të kem më shumë ekuilibër, të jem i kujdesshëm edhe për mbrojtjen”. Dhe sot në mbrëmje do të jetë ndeshja e madhe kundër Milanit, një sfidë që Akuilani e ka jetuar edhe në të kaluarën si protagonist: “Më i rrezikshmi në këtë moment është Ibrahimoviç: problemi është se ata kanë më shumë se një kampion. Kjo nuk do të thotë se jemi inferiorë apo kemi frikë për t’u përballur me ta: kurrë. Përkundrazi.
Ne jemi Juventusi dhe duhet të zbresim në fushë për të fituar. Më pas në futboll mund të ndodhë gjithçka, e rëndësishme është të provosh”. Në fund ka ardhur një koment në lidhje me dëmtimet e shumta që kanë kushtëzuar fillimin e karrirës së tij: “Kam humbur shumë kohë, shumë ndeshje, por jam mësuar të shikoj gjithmonë përpara. Tani dua të fitoj sa më shumë ndeshje me Juventusin, dhe më pas do të bëjmë llogaritë”, ka thënë Akuilani.