Shtatlarti i sulmit të Milanit të shtunën mbrëma do të gjejë sërish përballë skuadrën me të cilën fitoi dy tituj kampion në fushë në sezonet 2004/2005 dhe 2005/2006.
Në fakt, në harkun e 15 ditëve Ibrahimoviç do të vihet kundër dy ekipeve që kanë paraprirë Milanin në karrierën e tij “italiane”. Mbrëmjen e së shtunës në “San Siro” vjen Juventusi, ndërsa të dielën e 14 nëntorit suedezi luan derbin e parë me fanellën kuqezi. Me Juven dhe Interin, 29-vjeçari ka fituar pesë tituj kampion në po kaq kampionate.
Tashmë kampioni synon të përsërisë sukseset e kaluara edhe me fanellën e Milanit, për të konfirmuar sërish se në kampionatet kombëtare nuk njeh rivalë. Në nëntë sezonet e fundit, Ibrahimoviç ka fituar tetë tituj (2 me Ajaksin, 2 me Juventusin, 3 me Interin dhe 1 me Barcelonën). Kurse Milani ka fituar vetëm dy tituj në 11 sezonet e fundit: 1998/1999 dhe 2003/2004.
“Erdha këtu për të fituar dhe ju garantoj se Milani ka për të fituar gjithçka”, deklaroi Ibra mbrëmjen e 29 gushtit kur u prezantua para tifozëve kuqezi të cilët u entuziazmuar menjëherë, duke e harruar menjëherë të kaluarën “bardhezikaltër” të suedezit. Ky i fundit ia ka nisur menjëherë nga puna: ka shënuar gjashtë gola në shtatë ndeshje radhazi në kampionat e Champions.
Siç thotë edhe vetë, të shtunën në mbrëmje do të përballet me mbrojtësin më të fortë që e ka mbuluar ndonjëherë. “Po, është e vërtetë: Giorgio Chielini është për mua kundërshtari më i vështirë, prej tij vuaj më tepër. Është e vështirë të luash kundër tij, s’të lë asnjë hapësirë. Të merr frymën. Por më pëlqen, sepse luan ndershëm. Është luftarak. Ka pasur përherë dyluftime të bukura mes nesh”, u shpreh shtatlarti suedez.