Kapiteni bardhezi dëshmon në Gjykatën e Napolit: Të gjithë janë të merituar. Kemi 17-të, jo 15-tëNjë javë e ngjeshur për Alesandro Del Pieron, i cili të dielën arriti rekordin e mitit juventin Xhiampiero Boniperti me 178 gola në krye të renditjes së golashënuesve më të mirë të historisë së Juventusit në Serinë A dhe që nesër do të zbresë në fushë në Salcburg për sfidën e Ligës së Europës. Por dje pasdite, kapiteni bardhezi është thirrur në rolin e dëshmitarit në Gjykatën e Napolit, ku është dëgjuar nga prokurorët vendës si person që ka dijeni mbi fakte në procesin “Calciopoli 2″.
Del Piero edhe një herë ka konfirmuar ato gjëra që ka thënë edhe në të shkuarën, për sa u takon titujve të fituar me “Zonjën”: “Që kur luaj, - saktësoi kapiteni bardhezi, - të gjithë titujt që i kam parë të fitohen, kanë qenë të merituar. Si tanët, ashtu edhe titujt e të tjerëve, kanë qenë të merituar. Sa trofe kam fituar? Unë them 17, të tjerët 15-të”.
Del Piero pastaj dëshmoi për ndeshjen Leçe-Juventus të 14 nëntorit 2004, me gjyqtar Masimo De Santisin, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të ish-gjyqtarit italian: “Kushtet e fushës ishin të vështira, - kujton Del Piero. - Gjyqtar ishte De Santis. Më duket se bëri një provë para ndeshjes nëse kërcente topi, pastaj kujtoj që përpara ndeshjes folëm për gjendjen e terrenit. Për mua ekzistonin kushtet për të luajtur.
Përpara ndeshjes, unë dhe kapiteni i Leçes folëm me gjyqtarin. Përshtypja e përgjithshme nga fillimi i ndeshjes ishte se mund të luhej. Skuadra jonë ishte ndërtuar për të qenë e fortë në të gjitha aspektet, por ai teknik ishte shumë i rëndë, në fushë në ato kushte nuk ishin ideale për ne”. “Kujtoj një ndeshje me Interin në sezonin 2004-2005, që solli pezullimin e Ibrahimoviçit për një ndërhyrje të ashpër ndaj Kordobës, - ka vazhduar numri 10-të i Juventusit.
- Ibra, nëse merrte edhe një karton të verdhë, nuk mund të luante ndeshjen e radhës, por u pezullua nga prova televizive dhe kjo e detyroi të mos luante ndeshjen vendimtare me Milanin në atë sezon. Po, De Santis nuk e pa atë faull dhe nuk e ndëshkoi me karton të kuq Zllatanin. Por kjo i kushtoi shtrenjt, sepse pa provën televizive do të luante për sfidën për titull kundër Milanit”. Pasi mbaroi dëshminë, gjatë daljes nga salla e gjykatës, Del Piero ka nënshkruar disa autografë për t’u rinisur drejt Torinos me një avion privat.
Nga Beslind Dragusha