30 tetor 2010

Del Neri: Mund të dalim fitimtarë në “San Siro”

Trajneri i Juventusit ka besim se skuadra e tij mund të marrë një rezultat pozitiv kundër Milanit

Për teknikun e Juventusit bardhezinjtë do të jenë gati për ndeshjen më të rëndësishme të javës së nëntë të Serisë A kundër kuqezinjve: “Kam besim te lojtarët e mi. Do të paraqitemi në këtë sfidë me vetëdije në aftësitë tona. Nuk jam dakord për barazimin; kjo Juve duhet të jetë gjithmonë e bindur se mund të fitojë kundër kujtdo. Jemi të vetëdijshëm, por duhet të përmirësohemi.

Për shembull, të dielën e kaluar kam parë në Bolonjë një skuadër shumë të përqendruar, të kujdesshme, që ndoshta nuk ka finalizuar siç duhet disa aksione, por e ka mbuluar shumë mirë fushën, duke i lejuar Bolonjës vetëm një goditje në portë në 90 minuta lojë. Të dielën e kaluar më kanë thënë se kishim goditur pak herë portën e Bolonjës: kemi gjuajtur 17 herë në portë, pa llogaritur goditjet ballore që janë devijuar nga mbrojtësit, që do të kishin shkuar sigurisht në portë.

Për këtë arsye them se një skuadër që luan në transfertë dhe bën 25-30 goditje në portë ka cilësitë e duhura për të zgjidhur të gjitha problemet në një të ardhme të afërt. Ne jemi të bindur për këtë. Jemi të bindur se jemi në rrugën e duhur. Vetëdija vjen me rezultatet. Dhe duke rigjetur këtë mentalitet, unë mendoj se Juventusi mund të përballet me çdo kundërshtar”, ka thënë Del Neri.

“Zonja e Vjetër” nuk është e shqetësuar për faktin se në “San Siro” nuk do të ketë Milos Krasiç: “Në këtë fillimsezon ka bërë një lojë shumë të shpejtë duke i detyruar kundërshtarët të bëjnë ndërhyrje të ashpra”. Del Neri nuk ka dashur të zbulojë shumë në lidhje me atë që do të zëvendësojë serbin kundër Milanit. Gjithçka do të varet nga rekuperimi i Amaurit: “Duhet të presim stërvitjen e fundit dhe më pas do të vendosim.

Shpresoj që ta rekuperojmë dhe të udhëtojë me ne drejt Milanos”. Ndërkohë, sulmuesi i bardhezinjve Kualjarela do të kërkojë të lërë shenjën e tij në përballjen e sotme me kuqezinjtë: “Nëse do të shënoj një gol vendimtar në “San Siro”, do t’i jap një darkë ekipit”, ka thënë Fabio Kualjarela. “Kundër kuqezinjve do të jetë një ndeshje thelbësore, jemi në rritje dhe të karikuar. Duhet të keni besim, për këtë Juventus asgjë nuk është e pamundur”, ka përfunduar sulmuesi napoletan.