Kërkesa e Anjelit për rikthimin e titujve gjen mbështetje te kodi i drejtësisë sportive
Nga njëra anë është Interi, që e konsideron të vetin titullin e marrë në tavolinë në 2006-ën. Nga ana tjetër është Juventusi i ri, që ka vendosur të rihapë kapitullin “Calciopoli” dhe po punon për të rimarrë titujt që i janë hequr. Në mes është një gjyq i përfunduar, që ka ndëshkuar bardhezinjtë duke i çuar në Serinë B dhe që, tani, mund të rihapet. Si? Nëpërmjet nenit 39 të kodit të drejtësisë sportive: “korrigjim dhe shfuqizim”. Ta shpjegojmë mirë.
Neni 39, të cilit i referohemi, është përfshirë në kodin e drejtësisë sportive një ditë pas mbylljes së gjyqit të “Calciopoli”-t. Sipas këtij rregulli, që flet qartë për “korrigjim dhe shfuqizim”, një gjyq mund të rihapet në rast se dalin “fakte të reja, njohja e të cilave mund të kishte ndikuar në vendimin final”. Për këto fakte të reja, që Juventusi ka bërë të ditur se i zotëron, bardhezinjtë kanë ndërmend të kërkojnë hapjen e “Calciopoli 2″.
Çështja, siç kuptohet, nuk është aspak e lehtë. Para së gjithash asgjë nuk mund të bëhet konkretisht para përfundimit të gjyqit që po zhvillohet në Napoli. Në sallë, kohët e fundit, kanë dalë gjëra të reja (dhe kjo i jep të drejtë Juves), por gjyqtarët nuk janë shprehur akoma në lidhje me rëndësinë e këtyre fakteve të reja. Duke bërë një përmbledhje, ka fakte të reja që nuk janë marrë në konsideratë në gjyqin sportiv të “Calciopoli”-t, por a mjaftojnë për të shfajësuar Juventusin dhe Luçiano Moxhin? Do të presim dhe shohim.
E kotë të themi që, në rast se përgjigja do të jetë pozitive, Juventusi - por edhe Moxhi, Bergamo, Paireto, etj… - do të hidheshin në kundërsulm. Ndërkohë, sepse rrugët janë paralele, bardhezinjtë kanë dorëzuar në prokurorinë e Federatës Italiane cd-në me përgjimet e reja që kanë lidhje me bisedimet e Faketit dhe Moratit me Paolo Bergamon.
Superprokurori i federatës Stefano Palaci do të pareqesë brenda fundit të sezonit një raport në këshillin e federatës që do të përcaktojë nëse ka “motive etike” për t’i hequr titullin e 2006-ës Interit. Dhe pikërisht këtu mbështetet Juventusi për të kërkuar zbatimin e nenit 39, për heqjen e titullit zikaltërve dhe shfuqizimi i gjyqit të parë.