Kundër Juventusit Alegri mund të vendosë t’i besojë sërish ish-lojtarit të Mançester Sitit
Nëse njëri qesh, tjetri është pak i zymtë, në mënyrë të pashmangshme. Duket se do të jenë këto fatet e Robinjos dhe Ronaldinjos në këtë sezon, dy sfidantë të mëdhenj në shtëpinë kuqezi. Endrra e “4 Fantastikëve” për momentin do të mbetet e tillë, Alegri, duke parë problemet që ka “Djalli” me ekuilibrin vazhdon t’i besojë ideve të tij, tre sulmues në fushë, mundësisht me një mesfushor të avancuar mbrapa dy sulmuesve.
Që dy sulmuesit kryesorë do të jenë Ibrahimoviç dhe Pato kjo është jashtë diskutimit. Ndërsa, po arsyetohet në lidhje me lojtarin që duhet të qëndrojë mbrapa, njeriu që duhet të shërbejë si urë lidhëse midis reparteve, duke frymëzuar sulmuesit dhe nëse është e mundur të argëtojë dhe publikun, një aspekt ky shumë i rëndësishëm për Milanin.
Dhe këtu futen në lojë dy brazilianët, shokë të ngushtë jashtë fushës, të cilët duhet të luftojnë për një fanellë titullari. Robinjo nuk ka patrur një nisje të mirë, por është përmirësuar shumë në javët e fundit. Në Napoli ka qenë një nga më të mirët, ka shënuar, ka provuar të bëjë edhe gjëra të vështira, pavarësisht kushteve jo shumë të mira të fushës.
Në fund ka dalë fitimtar, si gjithë Milani, duke qenë më i shpejtë, më luftutar pa Sedorfin dhe mbi të gjitha pa Dinjon. Roni ka filluar të vlerësojë siç duhet situatën që është krijuar: kundër Napolit ka munguar për shkak të problemeve fizike, por gjithsesi dukej se nuk do të luante pas paraqitjes zhgënjyese në Ligën e Kampionëve kundër Realit.
Dhe në pritje të ndeshjes me Juventusin nuk do të ishte një çudi ta shikonim sërish në stol për t’i lënë vendin pikërisht Robinjos, që ka befasuar Alegrin me dëshirën e tij për t’u sakrifikuar, duke menduar edhe për mbrojtjen. Marrëdhënia Milan-Ronaldinjo mund të përkeqësohet më shumë nëse në Milanelo do të rikthehej Kakà. Galiani fshihet mbrapa frazës “nuk e di” që në të vërtet lë shumë hapësira.
Jemi larg nga fjalët “Kakà nuk do të kthehet” të 18 tetorit të kaluar. Në të vërtet është e lehtë të mendohet se Milani dhe Reali i Madridit, kundërshtarë në Champions, të fillojnë të vlerësojnë seriozisht situatën pas ndeshjes së kthimit më 3 nëntor. Dhe ndoshta Dinjo, duke parë fanellën e Kakasë dhe kontratën në rrezik, mund të vendosë të ulë kërkesat ekonomike për të rimarrë Milanin…