Skualifikimi prej dy ndeshjesh që i është dhënë Milos Krasiç pas hedhjes kundër Bolonjës sigurisht nuk i ka pëlqyer drejtuesve juventinë. I pari që ka komentuar vendimin e gjykatësit sportiv, Xhianpaolo Tozel, ka qenë Bepe Marota: “Vendimi i gjykatësit ka qenë i padrejtë, - ka pranuar drejtori i përgjithshëm i bardhezinjve. - Futbolli nuk duhet të kthehet në një lojë kompjuterike ku mund të analizosh çdo moment të ndeshjes me hollësi. Dhe koncepti i simulimit është shumë i gjërë: ky rregull duhet riparë. Ne jemi të sigurtë se Krasiç nuk ka qenë protagonist i një gjesti antisportiv:
Milos po vraponte me shpejtësi të madhe dhe ka vënë re afrimin e Portanovës që me dorën e djathtë shkon drejt tij. Krasiç ka patur frikë se mos dë-mtohej, kështu që ka kërkuar të parandalojë përplasjen. Më pas, nëse arbitri do ta kishte vlerësuar rënien e Krasiç si një simulim, do ta kishte ndëshkuar me kartonin e verdhë. Ndërsa, në këtë mënyrë Milos duhet të mungojë në dy ndeshjet e ardhshme”.
Juventus do të kërkojë rishikimin e vendimit dhe ka provuar të përfshijë edhe gjestin e Robinjos, që në Napoli ka marrë një goditje të lehtë në gjoks nga Aronika dhe ka rënë në tokë duke mbuluar fytyrën: “Nuk dua të merrem me çështjet e Milanit. Them vetëm se dy episodet janë të ngjashëm dhe për mua nuk ishte simulim as ai i Krasiç dhe as ai i Robinjos, - ka shtuar Marota.
- Dhe përsa i përket Milosit, sigurisht ai nuk donte të shkaktonte një sherr apo të bëhej shkak për situata të dhunshme”. Avoketërit e Juventusit, Mikele Briamonte dhe Luixhi Kiapero, do të bëjnë gjithçka është e mundur për të shfuqizuar vendimin e Tozelit dhe të anullojnë skualifikimin prej dy ndeshjesh, që për momentin do ta pengonin Krasiçin të luante kundër Milanit dhe Çezenës.
Do të provohet të tregohet mirëbesimi i një lojtari që merr shumë goditje në çdo ndeshje. Shumë shokë të skuadrës kanë folur për një Milos të “shkatërruar”, për kaosin që është krijuar pas Bolonjës, dhe tani do t’i takojë Del Nerit të rekuperojë lojtarin edhe në aspektin psikologjik.