Sulmuesi suedez i Milanit ka shprehur shqetësimet e tij para përballjes me Juventusin
Ndeshja midis Milanit dhe Juventusit do të ketë një shije të veçantë për Zllatan Ibrahimoviçin. Sulmuesi suedez 29-vjeçar ka veshur për dy sezone fanellën bardhezi duke fituar dy kampionate, para se të fillonte aventurën e tij tek Interi pas kaosit të “Calciopoli”-t. Premton shkëndija dueli i tij me mbrojtësin bardhezi Xhiorxhio Kialini: “Eshtë e vërtetë, për mua është mbrojtësi më i fortë dhe më i ashpër, ai që më bën të vuaj më shumë, - ka pranuar Ibra.
- Eshtë me të vërtet e vështirë të luash kundër tij, nuk të lë hapësira, nuk të lë të marrësh frymë… Por Kielini më pëlqen, është korrekt, një luftëtar i vërtetë. Midis nesh ka patur gjithmonë duele të bukura. Mua më pëlqen të fitoj, jam mësuar tashmë. Në skuadrat ku kam luajtur jam paraqitur gjithmonë mirë dhe kemi fituar bashkë. Do të jetë kështu edhe te Milani”.
Kështu, aktivizimi i Ibrës në sulmin e “Djallit” është i padiskutueshëm, ndërsa në mesfushë tekniku Masimiliano Alegri mund të rigjejë kapitenin Ambrozini, i ndalur për shkak të problemeve në gju që nga 14 shtatori i kaluar. Edhe braziliani Tiago Silva vazhdon të japë sinjale pozitive dhe të shtunën në mbrëmje duhet të jetë në qendër të mbrojtjes bashkë me Nestën, ndërsa Antonini duket se e ka rimarrë veten nga goditja e rëndë që ka pësuar në qafë kundër Napolit pas përplasjes me Maxhion. Me pak fjalë, të gjithë në dispozicion për superndeshjen e “San Siros”, me përjashtim të Zambrotës dhe Abates.