Të mëdhenjtë e futbollit anglez, Mançester Junajtid, Liverpuli dhe Arsenali, kanë regjistruar fitore në javën e tetë të Premier Ligës.
“Djajtë e kuq” siguruan një tripikësh të artë falë fitores 2-1 me Stoke Sitin në transfertë. Heroi i Junajtidit ishte meksikani Hernandez, me dy gola në minutat 27’ dhe 86’. Për vendasit barazoi përkohësisht rezultatin Tunçai në të 81-tën.
Fitore ka shënuar më në fund edhe Liverpuli. Skuadra e kuqe rikthehet te tri pikët falë suksesit 2-1 kundër Blekbërn Roversit në “Anfield Road”. Gjithçka u vendos brenda tre minutash: në të 48-tën Kiriakos kalon vendasit përpara, barazimi për miqtë vjen pas tre minutash, ndërkohë që vetëm dy minuta më pas Torres i jep fitoren skuadrës së Roi Hodgsonit.
Në kryesfidën e javës së tetë, Arsenali tregoi forcën në transfertën e vështirë me Mançester Sitin, duke fituar bindshëm me rezultatin e thellë 3-0. Vendasit mbetën me dhjetë lojtarë që në minutën e pestë pas daljes me karton të kuq të Boiatas, ndërkohë që golat për “Topçinjtë” mbajnë firmën e Nasrisë (20’), Songut (65’) dhe Bendtnerit (87’). Katër minuta nga fundi i pjesës së parë kapiteni Fabregas çoi dëm një rast të mirë pasi gaboi nga pika e 11-metërshit.
Pas javës së tetë, Premier Liga vazhdon të kryesohet nga Çelsi me 22 pikë, pesë më shumë se ndjekësit (Arsenali, Mançester Junajtidi dhe Mançester Siti kanë nga 17). Totenhemi dhe Uest Bromuiçi kanë nga 15 pikë, duke ndarë vendet 5 dhe 6.
Premier Liga, java e 8-të:
Totenhem 1 - 1 Everton
Birmingem 2 - 0 Blekpul
Çelsi 2 - 0 Ulverhempton
Sandërlend 1 - 0 aston Vila
Uest Bromuiç 2 - 1 Fulhem
Uigan 1 - 1 Bolton
Uest Hem 1 - 2 Njukasëll
Stoke Siti 1 - 2 Mançester Junajtid
Liverpul 2 - 1 Blekbërn
Mançester Siti 0 - 3 Arsenal