Skënderbeu me “marsh të 5-të“, Flamurtari dhe Dinamo “kalojnë lumin“, kreu nuk ndryshon
Java e 8-të e superligës e ka ngritur siparin e vet në fushën e Peqinit, aty ku në orën 13:15 ka nisur ndeshja mes Shkumbinit dhe Vllaznisë.
Shkumbini me fat, Vllaznia në vendnumëro
Në një terren të mrekullueshëm, nën një kohë me diell, ishin të gjitha kushtet për të parë një futboll të bukur. Cka ka ndodhur në fakt, me performancë pozitive të të dyja palëve. Vecanërisht Vllaznia, ka treguar një futboll cilësor dhe impenjim maksimal, për të mos dalë duarbosh nga fusha e Peqinit. Gjë të cilën e ka “prekur me dorë“ deri në minutën e parafundit të lojës, kur erdhi edhe ndëshkimi fatal për kuqeblutë, që i dërgojë ata krejt papritur në “ferr“, ndërsa peqinasit në “parajsë“. Ka qenë pikërisht minuta e 89-të, ajo që ka vendosur fatin e kësaj ndeshjeje, që ka shtuar edhe 3 pikë të tjera në “llogarinë“ e Shkumbinit. Goli i shënuar nga serbo-boshnjaku Gërbovic, i futur si zëvendësues në pjesën e dytë në vend të Mustafarajt, ka shokuar shkodranët, që mendonin se po dilnin me një barazim, të paktën, nga kjo transfertë e vështirë. Dhe ia kanë bërë hyzemtin një rezultati të pranueshëm në Peqin kuqeblutë, kanë krijuar disa raste për të shënuar, janë mbrojtur mirë dhe kanë përballuar më së miri furinë peqinase. Por kjo ka zgjatur deri në minutën e parafundit, kur diferencën e ka bërë Gërbovic, që me kokë ka shënuar në portën e Vujadinovicit. Duke i dhënë fitoren Shkumbinit, që arrin në kuotën e 11 pikëve tashmë, duke parakaluar në renditje edhe vetë kuqeblutë, me golaverazh më të mirë se ata, ndërsa Vllaznia mbetet sërish në vorbullën e problemeve të saj, edhe pse performanca e skuadrës shkodrane në Peqin ishte e mirë. Situata e trajnerit malazez Radonjic te Vllaznia tashmë bëhet më kritike se kurrë.
Teuta vijon ngjitjen, Elbasani “KO“
Në stadiumin “Niko Dovana“ të Durrësit, të shtunën, në orën 14:30, ka nisur ndeshja mes Teutës dhe Elbasanit. Vendësit, me rezultate mjaft pozitive në javët e fundit, vinin në këtë sfidë me moral të lartë dhe pretendime maksimale, marrjen e fitores, ndërsa miqtë verdheblu të ngarkuar psikologjikisht, edhe për faktin se një ditë më parë, pas një vendimi të FIFA-s, i janë hequr 3 pikë në renditje. Mosshlyerja e një ish-lojtari të Elbasanit, Darko Peric, para dy sezonesh, ka bërë që ky i fundit të hapë gjyq dhe të ankohet në FIFA. Kjo e fundit i ka dhënë të drejtë futbollistit në fjalë, që duhet të dëmshpërblehet me 11 mijë euro, ndërkohë që Elbasanit i hiqen 3 pikë nga klasifikimi, me kërcënimin tjetër se, po nuk pagoi shumën në fjalë për Peric, do të zbritet direkt edhe nga superliga. Kjo situatë, e cila ka ardhur para ndeshjes së javës së 8-të me Teutën, i ka trazuar jo pak ujërat në kampin verdheblu. 3 pikë të hequra nga renditja, 11 mijë euro që duhen paguar për llogari të kroatit Peric, por edhe iniciativa për ta apeluar këtë vendim, e ka spostuar disi vëmendjen e drejtuesve dhe lojtarëve të Elbasanit nga gara. Cka është dukur qartë edhe në fushën e lojës, ku Elbasani është mposhtur totalisht nga durrsakët, sidomos në pjesën e parë. “Djemtë e detit“ kanë krijuar mjaft raste të pastra për gol në portën e Llanit, por janë mjaftuar me shënimin e dy golave, në minutën e 34-t me anë të Mirel Çotës, sulmuesit të spikatur të Teutës, dhe 4 minuta më vonë, në të 38-n, ka finalizuar lushnjari Pepa. Duke i siguruar kështu fitoren Teutës në pjesën e parë, për të menduar më shumë për mbrojtjen e rezultatit në 45 minutat e dyta. Në fraksionin e dytë ka pasur njëfarë reagimi nga miqtë verdheblu, të cilët kanë krijuar edhe momente të mira për shënim, por e kanë pasur disi të pamundur ta prekin rrjetën e portës durrsake. Ia kanë arritur kësaj vetëm në minutën e 83-të, pas një kombinimi mes Sadikut dhe të futurit në pjesën e dytë, Lloga, kur ky i fundit ka realizuar golin e parë verdheblu. Por nuk ka pasur shumë minuta në dispozicion të miqve, për të barazuar, duke mos bërë dot më shumë se kaq në këtë ndeshje. Të cilën e ka fituar Teuta, me rezultatin 2-1, duke marrë kësijoji edhe 3 pikë të arta, duke e parë veten në pozita kreu, pas 8 javësh kampionat. Në anën tjetër, Elbasani futet kështu në një situatë të rrezikshme, pasi gjendet në kuotën e 6 pikëve, fare afër fundit të klasifikimit.
S’përmbahet Skënderbeu, zhbllokohet Bërkiç
Të dielën, sipas kalendarit për katës, do të luheshin edhe tri ndeshje të tjera të kësaj jave. E para për këtë ditë ka startuar sfida mes Skënderbeut dhe Kastriotit, pikërisht në orën 13:00. Juglindorët e drejtuar nga Shkëlqim Muca
Janë treguar të papërmbajtur në këtë 90-minutësh, ku kanë shënuar plot 5 gola, nga të cilët tre mbajnë “firmën“ e Bërkicit, që nuk e kishte shijuar akoma këtë gjë me fanellën e Skënderbeut. Duhet thënë se në dy gola, të parin, realizuar nga Jolic dhe në të tretin, realizuar me penallti nga Bërkic, ka pasur gabime të gjyqtarëve. Herën e parë, topi i krosuar drejt Jolicit e kishte kaluar më parë vijën anësore, gjë që nuk është sinjalizuar nga anësori, ndërsa në rastin e tretë Soza e ka mashtruar gjyqtarin, duke simuluar. Anësori Gerard Qirici, pa asnjë motiv, ka sinjalizuar pë 11-metërsh, në një kohë që ndaj Sozës, realisht, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje të gabuar, por argjentinasi duhej ndëshkuar me të verdhë, për simulin. Sidoqoftë, topi është ekzekutuar nga pika e penalltisë nga Bërkic, duke realizuar dhe mbyllur historinë e kësaj ndeshjeje. Në total, Skënderbeu e ka dominuar ndeshjen, cka duket edhe në shënimin e 5 golave në portën e Halilit të Kastriotit, ndërsa miqtë nga Kruja janë munduar të bëjnë dicka në këtë transfertë, por mezi kanë arritur të shënojnë në minutën e dytë shtesë golin e nderit, me anë të Alikajt. 5 gola, tri pikë të tjera të cmuara, që Skënderbeu i shton në “llogarinë e vet“, duke dëshmuar se ka pretendime të mëdha në këtë edicion. Dhe janë në rrugën e duhur, kurse Kastrioti kthehet sërish në “ferr“, sapo ishte mbushur 1 javë nga fitorja e parë në kampionat e tyre, arritur fundjavën e shkuar ndaj Lacit, me rezultatin 3-1. Humbja e thellë në Korcë tregon brishtësinë e skuadrës së drejtuar nga Ramadan Ndreu, e cila duket e destinuar të luftojë për mbijetesë në superligë, ashtu sic ka bërë në fakt vazhdimisht në vitet e fundit.
Ahmataj “shpëton nderin“ e kuqezinjve
Në Vlorë, skuadra e vendit të tretë, Flamurtari, ka pritur kurbinasit e Lacit, me të cilët kishte vuajtur jo pak edicionin e shkuar. Skuadra e Gugash Maganit vinte në këtë sfidë pas humbjes 3-1 në Peqin, pësuar një javë më parë, cka e bënte të domosdoshme autokritikën e kuqezinjve para tifozëve të vet. Njeriu që ka shpëtuar nderin e kuqezinjve të Vlorës ka qenë Julian Ahmataj, që përmes një goditjeje dënimi ka realizuar në poryën e kurbinasve, pikërisht në minutën e 20-të të pjesës së parë. Më pas, pavarësisht përpjekjeve të të dyja palëve, nuk ka pasur gola të tjerë, si për meritë të mbrojtjeve respektive, por edhe të pamundësisë së reparteve sulmuese të Flamurtarit dhe Lacit. Pavarësisht se ka realizuar vetëm një gol, skuadra e drejtuar nga Gugash Magani ka arritur të marrë 3 pikët e cmuara, për të ruajtur ritmin e skuadrave rivale, si të Skënderbeut, duke ruajtur vendit e tretë në klasifikim, pas javës së 8-të. Nga ana e tyre, kurbinasit pësojnë humbjen e dytë radhazi, në dy transferta, duke e pritur ndeshjen e radhës, me Skënderbeun, në Lac, si një sfidë “për jetë a vdekje“. Ku duhet arritur fitorja, në të kundërt situata bëhet akoma edhe më kritike, që do të merrte si përkufizim ideal, me plot gojën, fjalën “krizë“.
Dinamo djersin, por fiton me Bylisin
Në orën 14:00, në kryeqytet, po të dielën, Dinamo kampione në fuqi, kryesuese e kampionatit për momentin, ka nisur ndeshjen me Bylisin e Ballshit. Pjesa e parë e kësaj sfide është mbyllur me fitoren e vendësve, me rezultatin 2-0, me golat e shënuar nga Malakarne, në minutën e 6-të, dhe Vila, që ka “firmosur“ në minutën e 18-të. Fraksioni i dytë i lojës ka nisur ndryshe, ku ballshiotët janë më kërkues dhe ushtrojnë presion në prapavijën e kampionëve blu në fuqi. Derisa gjejnë edhe golin e parë të tyre, me anë të kapitenit Dimo, i cili praktikisht e hap ndeshjen, për faktin se në dispozicion të të dyja skuadrave janë plot 35 minuta të tjera, të mjaftueshme për t’i ndryshuar gjërat. Por, në fakt, sa i takon rezultatit, nuk do të kishte të reja, duke mbajtur në fuqi fitoren 2-1 të Dinamos, cka i shton edhe 3 pikë në “llogarinë“ e kampionëve të vendit, që ruajnë hapin dhe vendin e parë në Superligë.
Besa-Tirana, ndeshja përmbyllëse e javës
Ndeshja përmbyllëse e javës së 8-të të superligës do të luhet ditën e hënë në Kavajë. Besa, nënkampionia e vendit në fuqi, fituesja e Kupës së Shqipërisë dhe e Superkupës së vendit, do të presë Tiranën e titujve të shumtë, plot 24 të tillë, tashmë e drejtuar nga Nevil Dede. Si rrallëherë në edicionet e fundit, skuadra kavajase mban fundin e klasifikimit, me pikë të barabarta me Bylisin e Ballshit. Kavajasit nuk e kanë shijuar ende fitoren në këtë kampionat, por kanë marrë vetëm 4 barazime, cka është shoqëruar edhe me largimin e trajnerit Shpëtim Duro dhe ardhjen në stolin verdhezi të Përparim Daiut. Një javë më parë, Besa ishte fare pranë fitores së parë, në Elbasan, por goli i minutave shtesë, realizuar nga Sadiku, u hoiqën nga duart 3 pikë të arta kavajasve. Të cilat do të bëjnë cmos t’i rikuperojnë kësaj here. Edhe pse do ta kenë të vështirë, pasi përballë do të kenë Tiranën e emrit të madh, e përbërë nga lojtarë të spikatur të kampionatit shqiptar. Deklarimi para ndeshjes i Nevil Dedes, së në Kavajë dua të shijoj fitoren e parë si trajner i bardhebluve, zbulon qartë edhe synimet e kryeqytetasve në këtë transfertë. Cka e bën këtë ndeshje mjaft interesante dhe me pritshmëri të mëdha futbollistike. Si “qershia mbi tortë“, e javës së 8-të të superligës, edhe për faktin se përmbyll të gjitha ndeshjet e kësaj jave.
Java e 8-të, Superliga
SHKUMBINI-VLLAZNIA 1-0
TEUTA-ELBASANI 2-1
SKËNDERBEU-KASTRIOTI 5-1
FLAMURTARI-LACI 1-0
DINAMO-BYLIS 2-1 (po luhet)
BESA-TIRANA (NESER)
Fitore të thella të Prishtinës dhe Trepçës ‘89
Prishtinë, 24 tetor - Sulmuesi i Prishtinës, Astrit Fazliu ishte fatal për skuadrën e KEK-ut, që pësoi humbje 4:0 të dielën në javën e 12-të të Raiffeisen Superligës. Fazliu (16', 45', 69') shënoi tri herë në portën e KEK-ut dhe një herë asistoi për kapitenin Behar Maliqi (61'). Me këtë fitore Prishtina rikthehet në krye të tabelës me 24 pikë të mbledhura, kurse KEK-u zbret në pozitën e shtatë me 15 pikë.
Në Mitrovicë, futbollistët e Trepçës '89 janë treguar superiorë ndaj Ferizajt, duke fituar 5:2.
Kjo fitore ngrit ekipin mitrovicas në kuotën e 18 pikëve, kurse Ferizaj fundoset edhe më shumë me vetëm shtatë pikë të tubuara. Armend Zabërgja (2', 35'), Agron Shabani (13'), Dino Cakoviq (70') e Bajram Zuçaku (82') ishin realizatorë për vendasit, kurse dy golat e Ferizajt mbajnë firmën e Sherif Topallit (2', 90'), të dy nga penalltia.
Sulmuesi i Flamurtarit, Përparim Livoreka, shënoi "hat-trick" në fitoren e ngushtë të skuadrës së tij ndaj Ballkanit. Flamurtari të dielën në "Xhemail Ibishi" mposhti klubin nga Theranda me shifrat 4:3, në ndeshjen e javës së 12-të të Superligës. Për skuadrën "kuqezi" nga kryeqyteti kjo është fitorja e tretë dhe me të ngjitet në pozitën e nëntë me 14 pikë, një më pak se Ballkani që tani pozicionohet i teti.
Disponimi i mirë i portierit Valmir Bytyçi i ka mundësuar ekipit të Besës nga Peja që të nxjerrë një barazim në takim me Vëllaznimin, në derbin dukagjinas (0:0).
Bytyçi përveç që ka pritur shumë gjuajtje të lojtarëve gjakovarë, ka qenë edhe me fat, kur dy gjuajtje nga dënimi më i rëndë - nga penalltia, nuk kanë përfunduar në rrjetin e portës së tij. I pari në minutën e 27-të, ka provuar sulmuesi Dardan Rogova, por ka qëlluar vetëm shtyllën e djathtë. Ndërsa, Virtyt Hashani në minutën e 65-të në vend të kuadratit, nga 11 metra ka gjuajtur lart mbi portë.
Rezultatet:
Prishtina - KEK-u 4:0
Vëllaznimi - Besa 0:0
Trepça '89 - Ferizaj 5:2
Flamurtari - Ballkani 4:3
Liria - Hysi 3:2
Drenica - Trepça 1:2